Sot në Bruksel do të takohen ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Ministrat për punë të jashtme të vendeve anëtare të BE-së do të takohen sot në Bruksel në Këshillin e BE-së, të rregullt në maj, me pikën e parë të agjendës për shkëmbimin e pikëpamjeve për Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e luftës në Ukrainë në rajon, njofton Portalb.mk.

Nga Këshilli i BE-së theksohet se ideja është që bashkërisht me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimorë të shqyrtohet ndikimi i “agresionit rus” në rajon.

Shërbimi Evropian për punë të jashtme hartoi një dokument strategjik që iu shpërnda vendeve anëtare përpara takimit, në të cilat janë paraqitur mënyrat se si BE-ja të ndihmojë dhe të mbështesë rezistencën në Ballkanin Perëndimor dhe të adresojë pasojat e “agresionit rus kundër Ukrainës”.

“Ballkani Perëndimor është goditur rëndë, duke filluar nga sektori ekonomik, politik, diplomatik, i komunikimit dhe i sigurisë. Ne duhet të punojmë për qëndrueshmërinë e tyre, pasi ata janë të gjithë në anën tonë. Të gjithë e kundërshtuan agresionin rus dhe janë partnerët tanë edhe në këtë çështje”, thuhet në informacion.

Shefat e diplomacive të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për problemet specifike të secilit vend, mbështetjen dhe bashkëpunimin e mundshëm, por edhe shkallën e përputhshmërisë me politikat, veprimet dhe sanksionet e BE-së.

“I kuptojmë pozicionet e ndryshme të vendeve në rajon, por po punojmë për harmonizimin 100% me BE-në në lidhje me përgjigjen ndaj luftës në Ukrainë”, përfundoi Këshilli.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dje njoftuan se në takim do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Ndryshe dje u mbajt edhe takimi joformal i ministrave të vendeve anëtare i cili u mbajt në Berlin. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, deklaroi se Maqedonia e Veriut fuqishëm e mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-së dhe aspiratën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në Aleancë. Temë kryesore ishte situata aktuale e sigurisë, pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, si dhe implikimet e mundshme të luftës për aleatët dhe pozicioni mbrojtjes i NATO-s në të ardhmen.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s iu referuan përgatitjeve për Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, të Samitit të ardhshëm të NATO-s në Madrid dhe rezultatet e pritura prej tij.

Në takim morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, të cilët informuan aleatët e NATO-s mbi zhvillimet e fundit në të dy vendet dhe dinamikën e vendimmarrjes, si dhe kahjet e veprimit në kuadër të aspiratave të mundshme për anëtarësimin e tyre në NATO.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në margjinat e takimit pati takime bilaterale me homologët e tij nga Ukraina Dmitro Kuleba, Mali i Zi, Ratko Krivokapiq dhe Holanda Vopke Hoekstra.

Ndikimi gjeopolitik i NATO-s është rritur pas invazionit rus në Ukrainë dhe së shpejti mund të ketë dhe anëtare të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button