ANALIZË: Një pjesë e investimeve kapitale “nën akull” – mbi 600 milionë euro të planifikuara do të mbeten vetëm “dëshirë”?

Po afrohet fundi i gjysmës së parë ekonomike, kurse është duke u përgatitur rebalanci i buxhetit. Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, me datë 11 të këtij muaji realizimi i shpenzimeve kapitale është pak mbi 17%. Sipas njoftimeve, buxheti i rebalancuar do të sigurojë rreth 100 milionë euro përmes shkurtimit të shpenzimeve joproduktive. Por, shuma e shpallur prej mbi 600 milionë euro të shpenzimeve kapitale me buxhetin aktual mund të vihet në pikëpyetje – disa nga projektet kanë ngecur kurse disa nga institucionet në tremujorin e parë nuk kanë treguar fare realizim. Zakonisht, gjatë riplanifikimit të buxhetit, janë pikërisht shpenzimet kapitale që shkurtohen, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.     

Realizimi i shpenzimeve kapitale….

Nga ministritë, Ministria e Mbrojtjes edhe pse ka një buxhet të madh prej mbi 80 milionë euro për shpenzime kapitale, për tre muaj ka realizuar vetëm 7,7%, Ministria e Punëve të Jashtme ka një realizim prej 9,5%, në Ministrinë e Financave prej 8 milionë eurove të planifikuara, realizimi është 12,6%. Ministria e Ekonomisë nga gjithsej 13,4 milionë euro për shpenzime kapitale, ka shpenzuar vetëm 0,06%, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale e cila me buxhetin aktual ka 13,3 milionë euro – realizimi është vetëm 6,4%, kurse me shpenzim prej vetëm 6,9% është Ministria e Arsimit, e cila ka 35 milionë euro për të shpenzuar për investime kapitale.

Ministria e Shëndetësisë nga gjithsej 20,1 milionë euro për shpenzime kapitale, në tre muajt e parë ka shpenzuar vetëm 9,3%, ndërsa nga buxheti i përgjithshëm për shpenzime kapitale në vlerë prej 15,5 milionë euro, kurse Ministria e Brendshme realizuar 16,3%. Përqindje më të lartë të realizimit për tre muaj, prej 44,5%, ka në Ministrinë e Sistemit Politik.

Është interesante se ka institucione që kanë shuma të ulëta për shpenzime kapitale, por për tre muaj kanë arritur përqindje të lartë të realizimit, si p.sh. Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka në dispozicion 8.000 euro dhe ka realizuar gati 92%. Sekretariati për Legjislacion nga 6.400 euro në dispozicion realizoi 88,1%, ndërsa  Inspektorati Shtetëror i Arsimit nga gjithsej 4,300 euro ka shpenzuar 67%.

Me realizimin “0” janë më shumë institucione – kështu për shembull Presidenti i Maqedonisë për këtë vit ka në dispozicion 108 000 euro, mirëpo në tremujorin e parë nuk ka shpenzuar asnjë denar, pa realizim të shpenzimeve kapitale është edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka për të shpenzuar 101.000 euro, pa realizim janë dhe Komisioni Rregullator për BanimAgjencia për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar nuk ka shpenzuar asnjë denar nga afro 10,000 eurot në dispozicion, Agjencia e Sigurisë Kombëtare edhe pse disponon me 4,5 milionë euro, për tre muaj ka shpenzuar një shumë të parëndësishme prej 0,04%. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhës është me realizim zero, dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe Drejtoria doganore me realizim 0,83%, Drejtoria e të Ardhurave Publike me realizim prej 0,18%, zero realizim të shpenzimeve kapitale ka edhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, Inspektorati Shtetëror i Transportit, Inspektorati Shtetëror Komunal, nga buxheti total për shpenzime kapitale në vlerë prej 3,1 milionë euro, Agjencia për Rini dhe Sport realizuar vetëm 0,03%, pa realizim ose me realizim minimal të shpenzimeve kapitale janë më shumica e komisioneve dhe institucioneve shtetërore – Arkivi Shtetëror, Enti Shtetëror i Statistikave, Byroja e Mjekësisë Ligjore, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Avokati i Popullit, Agjencia e Punësimit.

Qeveria nga ana tjetër, e cila ka në dispozicion 27,5 milionë euro për të shpenzuar në tre muajt e parë, ka shpenzuar gati 21 milionë euro ose 76%.

Së shpejti do të dihet se cilat ministri dhe institucione sa para do të kenë për shpenzime kapitale. Vitin e kaluar realizimi i investimeve kapitale ishte 78,3%. Vendimtare do të jetë të shihet se me rebalancin e buxhetit jo vetëm a do të mbijetojnë, por edhe a do të forcohen financiarisht projektet e infrastrukturës dhe ato të energjisë, veçanërisht për sa i përket gazifikimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button