Afrim Gashi u rizgjodh në krye të partisë Alternativa

Sot në Kongresin e parë të partisë Alternativa, kryetari aktual, Afrim Gashi u rizgjodh edhe për një mandat katër vjeçar. Kongresi e miratoi edhe Statutin dhe Programin e Partisë 2022-2026, njofton Portalb.mk.

Në garë për kryetar të partisë, nuk ka pasur të paraqitura kandidatura tjera pos të Gashit.  Pas votimit, ai i falënderoi për nderin dhe besimin që i dhënë delegatët e kongresit dhe anëtarësia partiake.

“Në mënyrë demokratike Kongresi votoi programin, votoi statutin, votoi kuvendin e ri qendror, njëkohësisht Kongresi sot ma dha edhe një mandat për të udhëhequr Partinë Alternativa. Ky është nder dhe respekt për mua, e unë besoj se nuk do t’i zhgënjej aktivistët, votuesit dhe gjithë qytetarët, ngase kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për mua. Ju faleminderit shumë!“, tha Gashi pas përfundimit të Kongresit të Parë të partisë.

Kongresi miratoi sot edhe dy dokumente për katër vitet e ardhshme – Statutin, programin e ri të partisë për periudhën 2022 – 2026. Delegatët, gjithashtu  me shumicë votash zgjodhën anëtarët e rinj të Kuvendit Qendror.

Kongresi u mbajt në sallën e madhe të Filarmonisë. Pjesës së punës i parapriu një pjesë solemne në prani të të ftuarve të shumtë nga Qeveria, partitë politike, trupi diplomatik dhe miq të partisë.

Rrugëtimi i “Alternativës”

Partia, Alternativa u krijua në vitin 2019-të, pasi u shkëput nga Lëvizja BESA për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e partisë Bilall Kasami. Pas dështimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të Afrim Gashi, dhe një pjesë e partisë, të cilët ishin pjesë e themeluesve të Lëvizjes BESA në vitin 2014, kërkuan dorëheqjen e Kasamit.

Kasami nga ana tjetër refuzoi të dorëhiqet. Madje, grupet e Kasamit dhe Gashit e shkarkuan njëri-tjetrin nga funksionet partiake. Partia u nda në dysh dhe për disa muaj, të dyja palët thirreshin në emrin dhe logon e Lëvizjes BESA, derisa Gjykata Themelore Shkupi 2, vendosi që vulën dhe logon t’ia lë në pronësi Kasamit.

Për këtë, grupi i Gashit formoi dhe partinë Alternativa, e cila për një kohë ishte në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, por i ndanë udhët pasi që në dhjetor të vitit 2021, Alternativa iu bashkua koalicionit qeveritar, i cili u riformatua pasi Zoran Zaev dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe kryetarit të partisë LSDM pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Por, zotimet e kreut të partisë për t’i realizuar pikat e marrëveshjes koalicionuese, kanë shkaktuar në këtë parti sërish përçarje. Dy bashkëpartiakët, Skender Rexhepi – Zejd dhe Afrim Gashi që luftuan për ta larguar Kasamin nga kreu i Lëvizjes BESA, sot janë në “mosmarrëveshje” në partinë Alternativa, për pikën më të nxehtë dhe më të ndjeshmja – rastet gjyqësore për të cilat dyshohet se janë montuar.

“Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël”, thuhet në marrëveshje.

Për shkak të mospërmbushjes së këtij premtimi, deputeti Skender Rexhepi – Zejd, i cili është njëri prej funksionarëve që e ka themeluar partinë dhe më me ndikim në të, nuk ka qenë prezent në Kongresin e sotëm ku përveç anëtarëve dhe funksionarëve partiak kishte pjesëmarrës nga të gjitha partitë politike të vendit, por edhe nga Shqipëria, Kosova.

“Nuk morra pjesë në kongres pasi konsideroj që ashtu do të jem më parimor ndaj qëndrimeve të mia që i theksova publikisht para disa ditëve. Nga qëndrimet e mia publike, qytetarët meritojnë përgjigje konkrete dhe të detajuar si dhe kur do të realizohet marrëveshja Alternativë – Qeveri”, tha Zejdi për TV21.

Deri më tani nuk ka zhvillime për realizimin e këtij premtimi. Sot Gashi tha se në marrëveshje nuk ka të caktuar afat kohor, por se është çështje e angazhimit të tyre politik.

Por, angazhimi i tyre politik për realizimin e këtyre pikave çdo ditë po rëndohet, sidomos duke e pasur parasysh se opozita kërkon datë për zgjedhje të reja e për këtë e ka bllokuar dhe Kuvendin.

Gashi për këtë tha se Rexhepi nuk është i vetmi delegat që nuk ka ardhur, por se ka edhe të tjerë.

“Secili i di arsyet e veta, por ftesa ka qenë në mënyrë të rregullt deri te secili delegat i partisë”, tha Gashi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button