fbpx

Shkup, sot u zhvillua fushata “Blloko Urrejtjen. Ndaj Dashuri”, lule dhe sensibilizim për të luftuar gjuhën e urrejtjes

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes është një domosdoshmëri në shoqëri dhe komunitetet tona lokale, por gjithashtu përbën edhe një detyrë për çdo qytetar në Maqedoninë e Veriut, duke patur një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj diskriminimit dhe sigurimin e një shoqërie të lirë e të larmishme. Ky ishte mesazhi kryesor gjatë manifestimit publik, sot në Parkun e Qytetit në Shkup, organizuar në kuadër të fushatës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Blloko Urrejtjen. Ndaj Dashuri!” me fokus në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, transmeton Portalb.mk.

Ambasadorët ‘Kundër Gjuhës së Urrejtjes’ – figura të shquara publike që mbështesnin fushatën, u bënë pjesë e këtij manifestimi duke ndarë lule, realizuar e shpërndarë fotografi në rrjetet sociale e duke pozuar me një kornizë të veçantë kushtuar fushatës.  Ata folën e diskutuan me qytetarët se si të mund të trajtojmë a ndalojmë gjuhën e urrejtjes.

Gjuha e urrejtjes, e cila shprehet në, përmes dhe ndaj mediave e gazetarëve është veçanërisht problematike dhe shoqëria e të gjithë individët të duhet të marrin masa serioze në adresimin e saj. Në mungesë të kësaj, ky fenomen vetëm do të vazhdojë të përhapet. Duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë gjuhës së urrejtjes që drejtohet kundër gazetareve dhe punonjëseve të medias. Ky aspekt gjinor i gjuhës së urrejtjes tregon se ku duhet të përqendrohemi kur bllokojmë urrejtjen dhe ndajmë dashurinë.” – tha moderatori dhe redaktori i njohur televiziv, Ognen Janeski, i cili mori pjesë në aktivitet si një nga Ambasadorët ‘Kundër Gjuhës së Urrejtjes’.

Denis Jankulovski, punonjës mjekësor, fitues i Çmimit Evropian i Vitit për 2021 dhe një tjetër Ambasador ‘Kundër Gjuhës së Urrjejtes’ u shpreh: “Fatkeqësisht, vitet e fundit gjuha e urrejtjes ka zënë shumë më tepër hapësirë ​​dhe shumë fjalë të këqija kanë dalë në sipërfaqe. Kjo lloj retorike mund të zbulohet pothuajse në çdo temë dhe kudo. Fjalët e zgjedhura pa kujdes mund të kenë shumë ndikim tek ata që shënjestrohen. Është pothuajse e pabesueshme që të ekzistojnë fjalë të tilla. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi sa më të zhurmshëm dhe zërat tanë duhet të dëgjohen çdo ditë, për të njohur, dënuar dhe zhdukur gjuhën e urrejtjes. Duhet të theksojmë se të gjithë do të ndihen më mirë kur fjalimi i tyre të jetë i mbushur me gjëra të bukura, fjalë të bukura dhe respekt për të gjithë, edhe pse mund mos të ndajmë gjithmonë të njëjtat mendime dhe pikëpamje”.

Blloko urrejtjen. Ndaj Dashuri!” është një përpjekje e përbashkët e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian për të mbështetur luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Nëpërmjet kësaj fushate dëshirojmë të jemi më pranë qytetarëve dhe të dërgojmë mesazhin se dashuria është alternativë ndaj urrejtjes. Ne të gjithë mund ta luftojmë urrejtjen duke ndarë vlerat tona të përbashkëta evropiane si toleranca, respekti për të tjerët, dashuria dhe angazhimi për të jetuar në një shoqëri pa urrejtje.” – tha në fjalën e saj Lejla Dervisagiç, Drejtuese e Operacioneve në Zyrën Programore të Këshillit të Evropës në Shkup.

Që nga Dhjetori 2021, fushata ndërgjegjësuese “Blloko Urrejtjen; Ndaj Dashuri”, është zbatuar në Maqedoninë e Veriut, me qëllim informimin e audiencave të ndryshme lokale rreth rrezikut të gjuhës së urrejtjes dhe mënyrave për ta trajtuar atë. Përveçse shtrirjes në kanalet e dedikuara në internet dhe mediat sociale, kjo nismë është tashmë edhe në fokusin e ngjarjeve të ndryshme publike. Fushata përfshin figura të njohura publike, institucione dhe aktivistë të njohur për të drejtat e njeriut, duke promovuar diversitetin dhe barazinë në komunitetet lokale si dhe në rajon, përmes historive personale, dëshmive dhe shkëmbimit të praktikave të mira.

Trëndafilat si simbol i dashurisë dhe harmonisë ishin tema kryesore e këtij aktiviteti, i cili mblodhi të rinj të shumtë, aktivistë, përfaqësues nga institucionet vendore, Ambasadorë ‘Kundër Gjuhës së Urrejtjes’ dhe mbështetës të fushatës. Ky aktivitet kishte për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve të Shkupit mbi format e ndryshme të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit që prekin komunitete dhe individë të caktuar, si dhe promovimin e mënyrave të ndryshme për t’a luftuar atë, kryesisht duke përhapur mesazhe pozitive të pranimit dhe respektimit të diversitetit. Ndaj në në mënyrë simbolike gjatë manifestimit ‘ndamë dashuri’ në komunitetet tona, duke dhuruar trëndafila.

Fushata zbatohet në kuadër të projektit “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut”, që është pjesë e programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button