Luani Gjoni nga kafazi në Gjilan është zhvendosur në një strehimore për arinj afër Prishtinës (FOTO)

Luani me emrin Gjoni, për të cilin besohet se në vitin 2019 përmes rrugëve alternative është kontrabanduar nga Shqipëria në Kosovë dhe ishte ruajtur në një kafaz në restorantin “Maja e Zezë” në Gjilan, është liruar nga grilat dhe tani jeton në një strehimore për arinj në afërsi të Prishtinës, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Strehimorja “Bear Sanctuary” Prishtina kumtoi se luani tani ka mundësi të kënaqet duke qenë i lirë të lëvizë jashtë kafazit.

“I shpëtuar në fund të muajit mars, Gjoni ngadalë po adaptohet të jetojë sërish si luan. Pasi e sollëm në strehimoren tonë, ekipi ynë ishte intenzivisht i angazhuar për ta përgatitur atë që të del jashtë në oborr. I duhej një kohë e caktuar që të mblidhte fuqi t’i bënte hapat e para në kullosën e freskët dhe në truallin e hapësirës së jashtme. Ky është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm për të që të adaptohet në vendin ku gjendet tani, por jemi të sigurt se Gjoni së shpejti do të jetë më i relaksuar” thuhet në kumtesën e “Bear Sanctuary” Prishtina.

“Për fat të mirë, koha me diell, rrethi i qetë dhe lojërat që i përgatit ekipi ynë, do t’i ndihmojnë Gjonit t’i tejkalojë së shpejti traumat e të së kaluarës së tij” shtojnë nga strehimorja.

Luani, foto nga Bear Sanctuary Prishtina, Facebooku zyrtar

Megjithatë, nga strehimorja thonë se Gjoni do të zhvendoset në vend tjetër.

“Vazhdojmë të punojmë në drejtimin që ai të shpërngulet në njërën nga strehimoret për mace të mëdha të quajtur “Four Paws”, ku do të kënaqet në një rreth adekuat për sojin e tij” shpjeguan aktivistët për mbrojtjen e të së drejtave të kafshëve të egra.

Luani, foto nga Bear Sanctuary Prishtina, Facebooku zyrtar

Vitin e kaluar, për rastin e luanit reagoi edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Fon Kramon, duke kërkuar që ai sa më shpejtë të largohet nga restoranti “Maja e Zezë”, dhe si duket tregimi i tij po merr një fund të lumtur.

Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut, nuk ka asnjë informatë për fatin e luanit “Simba”. Atë në shtator të vitit të kaluar e vozitnin nëpër vetura luksoze të kumanovarëve si dhe u pa i fotografuar nëpër vila luksoze. Edhe pse Meta.mk disa herë ka kërkuar përgjigje, nuk dihet ende si ka hyrë ky luan në shtet dhe si u zhduk i njëjti.

Luani Simba, foto: Rrjete sociale

LEXO: Si erdhi Simba te kumanovarët: A ka kontrabandë të kafshëve të egra në vend?

Nga organet kompetente nuk ka as informatë zyrtare se a ka lidhje Simba i Kumanovës me luanin Simba që u gjet në Malin e Zi.

Pas një sërë tekstesh të publikuara nga Meta.mk, policia vitin e kaluar arrestoi një person kundër së cilit u ngrit kallëzim penal për ruajtje dhe tëhuajësim të kafshës së egër, por nuk e gjeti luanin.

LEXO: RMV, u arrestua 31 vjeçari për shkak ruajtjes së kundërligjshme të kafshëve të egra

Në një bisedë me agjencinë Meta, veterinari holandez, Xhuno Van Zon i cili e ka kontrolluar luanin Simba në Malin e Zi, tha se ekziston mundësia që ky luan të jetë i njëjtë me Simba-n e Maqedonisë.

Në fillim të këtij muaji, policia malazeze arrestoi një banor të Beranit dhe dy shtetas turq për kontrabandë luanësh. Të tre u dërguan në Burgun hetimor të Spushkës, njoftoi televizioni malazez TV Vijesti. Nga atje i janë drejtuar Prokurorisë Publike të Maqedonisë, e cila ka theksuar se nuk është zbuluar origjina e luanit, e as ku ndodhet.

“Në lëndën e shpallur gjatë muajit nëntor të vitit 2021, Prokuroria Themelore Publike – Kumanovë ka iniciuar procedurë kundër një personi. Gjatë procedurës nuk u përcaktua origjina e luanit dhe as ku ndodhej. Procedura është nisur në bazë të një fotografie të postuar në rrjetet sociale nga i dyshuari. Ai u mbrojt duke thënë se ka fotografuar luanin pasi disa turist të panjohur nga Turqia e sollën në restorantin e tij. Ai u dënua për mbajtjen e një kafshe ekzotike dhe u gjobit”, tha Prokuroria në një reagim të shkurtër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button