Dita 80: Zelensky, askush nuk mund të parashikojë kohëzgjatjen e luftës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se përderisa ushtria e tij po bën gjithçka për të larguar forcat ruse nga territori ukrainas, “sot askush nuk mund ta parashikojë se sa do të zgjasë kjo luftë”. Gjatë një adresimi drejtuar kombit në orët e vona të 13 majit, Zelensky tha se përfundimi nuk do të varet vetëm nga populli ukrainas, por nga “partnerët tanë, nga vendet evropiane, nga e gjithë bota e lirë”, transmeton REL.

Forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha qëkur kanë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe në ofensivën që aktualisht po zhvillojnë në lindje të Ukrainës, kanë bërë pak përparime.

Por, përderisa forcat ruse dështuan në përpjekjet e tyre që shpejt të marrin kontrollin e gjithë Ukrainës dhe të rrethojnë forcat ukrainase, Kievi tani thotë se lufta po hynë në “fazën e tretë”, në të cilën, forcat ruse do të tentojnë të mbrojnë territorin që veçse kanë marrë nën kontroll.

15:30 G7 kërkoi nga Kina që të mos e ndihmojë Rusinë

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) i bëri thirrje Kinës që të mbështesë sovranitetin e Ukrainës dhe të mos e ndihmojë Rusinë, duke paralajmëruar se lufta e paprovokuar e Moskës kundër Ukrainës ka kërcënuar botën duke shkaktuar krizë të rëndë të ushqimit dhe energjisë, transmeton REL.

G7 bëri këtë paralajmërim përmes një deklarate më 14 maj, pas përfundimit të takimit treditor në Gjermani.

Përveç se kërkuan nga Kina që të mos e mbështesë Moskën teksa lufta vazhdon, G7 po ashtu i bëri thirrje Pekinit që të “heqë dorë nga përfshirja në manipulim të informacioneve, në dezinformim dhe mjete të tjera për të legjitimuar luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

G7 po ashtu i bëri thirrje aleates së Rusisë, Bjellorusisë, që të ndalojë “mundësimin” e përpjekjeve luftarake të Rusisë dhe të “respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare”.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button