Antikorrupsioni kërkoi që Prokuroria t’i japë llogari për iniciativat e ngritura nga ta

Anëtarët e Komisionit kundër korrupsionit në seancën e sotme kërkuan llogari nga Prokuroria Publike, përkatësisht çdo vendim që do të merret të njoftohet dhe të dihet se çfarë po ndodh me iniciativat e tyre. Ata kërkojnë nga Prokuroria Publike që t’i përgjigjet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) nëse dhe si është vepruar dhe jo vetëm se do të veprohet në lidhje me iniciativat e tyre, transmeton Portalb.mk.

Në këtë drejtim, kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, informoi se me Prokurorinë Publike është duke u përgatitur memorandum bashkëpunimi, me të cilin do të kërkohet të njoftohen për iniciativat e tyre.

Në seancë, në kuadër të shqyrtimit të lëndëve të caktuara, janë theksuar edhe rastet e mira për bashkëpunim me Qeverinë dhe Inspektoratin e Arsimit, pas disa iniciativave në kompetencë të tyre.

Katica Nikollovska, anëtare e KSHPK-së, ka ndarë vendimin e Gjykatës administrative lidhur me një rast për të cilin Antikorrupsioni ka shqiptuar vërejtje publike për kryetar të Këshillit të Komunës, pasi si kryetare e Këshillit sipas Ligjit për avokaturë nuk guxon të kryej funksion publik. Personi ka iniciuar padi në Gjykatën administrative, KSHPK-ja e ka fituar kontestin, ndërsa në shpjegim gjykata ka konstatuar se KSHPK-ja në përputhje me kompetencat dhe detyrimet e saj që dalin nga Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit është institucioni i vetëm që mund të konstatojë ekzistimin e konfliktit të interesit, procedura është zhvilluar në pajtim me dispozitat ligjore dhe janë shqiptuar me rregull vërejtjet që janë paraparë me ligj.

“Me këtë është në zgjidhje dilema nëse këshilltarët, edhe pse janë persona të zgjedhur që në mënyrë joprofesionale e kryejnë funksionin publik të këshilltarit në Komunë, guxojnë ose nuk guxojnë ta kryejnë veprimtarinë e avokatisë, pasi është në kundërshtim me ligjin e tyre”, tha Nikolovska.

Ajo përkujtoi se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, KSHPK-ja u ka dërguar njoftim të gjitha komunave për të gjitha rastet e mundshme të konfliktit potencial të interesit, që mund të paraqitet tek këshilltarët, duke përfshirë edhe këtë moment, duke pasur parasysh praktikën që shumë avokatë janë përzgjedhur si anëtarë të këshillave komunalë.

Goran Tërpenoski, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) duke iu referuar lëndës, theksoi se ka konstatime serioze të keqpërdorimeve në federatën e automobilizmit dhe prandaj ky rast do t’i dorëzohet Agjencisë për Rini dhe Sport dhe auditorëve shtetëror.

Sqaroi se bëhet fjalë për shfrytëzimin e mjeteve buxhetore, të cilat janë ndarë nga Agjencia për Rini dhe Sport për organizimin e aktiviteteve programore, me qëllim të kryerjes së veprimeve kompetente, kontrollit dhe përcaktimit të përdorimit të paraparë, të ligjshëm të mjeteve nga viti 2018 dhe 2019. Ndër të tjera si shembull theksoi se ai që ka qenë kryetar i Federatës së automobilizmit ka qenë edhe shofer.

Nga KSHPK përkujtuan se Ligji për sport rregullon edhe konfliktin e interesave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button