LSDM: Deputetët e VMRO-DPMNE-së qytetarëve u kushtojnë 55 mijë euro në muaj

Mos puna e deputetëve të VMRO-DPMNE-së u kushton qytetarëve mbi 55 mijë euro në muaj, reagojnë nga partia në pushtet LSDM, transmeton Portalb.mk.

“Për pagat bazë të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, qytetarët paguajnë 40 mijë euro në muaj, kurse 15 mijë euro shtesë për shpenzimet e udhëtimit, gjithashtu në kurriz të qytetarëve. Në vend që të punojnë për këto 55 mijë euro në muaj, ata nuk marrin pjesë në seanca, nuk caktojnë seanca të komisioneve që i drejtojnë, bërtasin, nervozohen dhe u bëjnë dëm qytetarëve që i paguajnë. Kur tashmë kanë vendosur qëllimisht të mos punojnë, deputetët e VMRO-DPMNE-së t’i kthejnë paratë për paga, shpenzimet e udhëtimit dhe telefonat celularë. Mbi 55.000 euro në muaj në kohë krize, janë mjete serioze që mund t’u ndihmojnë mijëra familjeve”, theksojnë nga LSDM.

Ndryshe, opozita maqedonase të martën filloi, me të ashtuquajturën “bllokadë aktive në Kuvend”, e cila sipas paralajmërimeve, do të zgjasë deri në ‘arritjen e marrëveshjes për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”. Nga ana tjetër, partitë në pushtet nuk pranojnë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhje të parakohshme kërkon edhe partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët.

Ditët e kaluara gjatë kohës së seancave kuvendore disa herë ka ardhur deri në përballje verbale mes deputetëve, derisa ata të VMRO-DPMNE-së kanë mbajtur banderola në duar.

Qeveria, që drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, u formua në janar të këtij viti duke zëvendësuar Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet lokale, më 31 tetor të vitit 2021. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button