Ende asgjë konkrete për nismën “Tetova do park”

Edhe pse iniciativa “Tetova do park” filloi në muajin shkurt me dorëzimin e një propozimi në Komunën e Tetovës për themelimin e parkut të parë real prej rreth 16 hektarësh në qytetin e Tetovës, ende autoritet nuk ka kanë ndërmarrë asgjë konkrete në këtë drejtim. Iniciatorët e kësaj nisme thonë se institucioni kryesor, Komuna e Tetovës ka treguar përgjegjshmëri të ulët ndaj propozimit duke mos kthyer përgjigje zyrtare. Komuna nuk u përgjigj as në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Propozimi është që parku të formohet në daljen për në Shkup, në pjesën lindore të qytetit, vend që sipas iniciativës është e vetmja hapësirë ​​ku mund të jetë zonë parku.

Parku parashikohet të formohet në anën e djathtë të bulevardit “Video Smilevski-Bato” nga udhëkryqi me rrugën “29 nëntori”, rruga “Boris Kidriç, si dhe në anën e majtë dhe të djathtë të të njëjtit bulevard deri në udhëkryqin me rrugën “Pish” apo hapësira e njohur si Qendra sportive, parku i gruas, Monopoli dhe hapësira “Shik Jellak”.

Propozimi për parkun e qytetit nga "Tetova do park"
Propozimi për parkun e qytetit nga “Tetova do park”

Darijan Sotirovski nga kjo nismë tha se përpjekjet e tyre janë të drejtuara te Komuna e Tetovës dhe Këshilli i saj pasi është në kompetencë të tyre. Siç thotë ai kjo kërkesë është e realizueshme nëse ka vullnet për të.

Ndonëse nisma ka pasur takime me Këshillin e Komunës së Tetovës dhe kryetarin Bilall Kasami. Ata thonë se e njëjta ka treguar përgjegjshmëri dhe gjithë-përfshirje të ulët të iniciativave qytetare.

Foto: Darijan Sotirovski
Foto: Darijan Sotirovski

“Komuna ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për propozimin. Këshilli nuk e shqyrtoi propozimin në seancë, megjithëse me ftesën tonë shumica e këshilltarëve morën pjesë në një mbledhje konsultative me iniciativën. Kemi kërkuar edhe takim dhe kemi pasur takim me kryetarin e Komunës z.Kasamin. Aty u pajtuam që të ndjekim një takim të ekipeve të iniciativës dhe ekspertëve të komunës në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për zbatim të pranueshëm për komunën dhe qytetarët. Kërkesa jonë nuk ka marrë përgjigje prej disa javësh”, tha Darijan Sotirovski.

Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske se çfarë kanë bërë deri tani si institucion në këtë drejtim dhe cilat janë planet e komunës në vijim për këtë nismë. Nga zyra për informim e komunës thanë se janë në pritje të përgjigjes nga sektori përgjegjës.

Lista “Më mirë për Tetovën” e cila është pjesë e këshillit komunal, të cilët në programin e tyre kanë ambientin e pastër dhe qytetin me plan urban, referuar nismës për parkun thonë se “në princip lista “Më mirë për Tetovën” përkrah çdo iniciativë të sinqertë që është në dobi të qytetit dhe qytetarëve”.

Nga “Tetova do park” theksojnë se komuna nuk e ka në prioritet një gjë të tillë.

“Gjithçka varet nga ajo që është prioritet në shoqëri, qytetarët, njerëzit, të gjithë ne që jetojmë një jetë të padurueshme pa kushte elementare në një qytet konkret apo në kapitalin privat që nxjerr fitime ekstra mbi kurrizin tonë, në Tetovë, duke hequr nga ne brenda natës të gjitha potencialet që mund të formohen hapësira publike për nevojat e të gjithë atyre që jetojnë këtu. Se cili është prioriteti vendos komuna. Do të shohim se çfarë do të vendosë. E kemi parë se çfarë ka vendosur deri tani”, theksoi Darijan Sotirovski.

Ideja për këtë park të qytetit përfshin katër blloqe urbane dhe për këtë është e nevojshme ndryshimi i planit gjeneral urbanistik.

Nisma mbështetet nga 60 individë të fushave të ndryshme. Propozimi u mbështet edhe nga klube sportive, klube të alpinizmit, organizata dhe grupe të ndryshme. Ndërkaq ekziston edhe një peticion online i cili deri më tani është nënshkruar nga mbi 3.100 qytetarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button