Dita 79: Zelensky i gatshëm të flasë me Putinin, por me një kusht

Ukraina njoftoi se kishte dëmtuar një anije logjistike të marinës ruse pranë Ishullit Snake, ndërsa të afërmit e ushtarëve ukrainas të strehuar në fabrikat e rrethuara të çelikut të Mariupolit u lutën që ata të jenë të mbrojtur. Ndërkohë një ushtar rus do të dalë sot në gjyq për vrasjen e dyshuar të një civili ukrainas të paarmatosur – rasti i parë i krimit të luftës që shkon në gjykatë që nga fillimi i pushtimit rus. Vadim Shyshimarin akuzohet se ka qëlluar në kokë një 62-vjeçar përmes një dritareje të hapur makine në fshatin verilindor Chupakhivka. Ai përballet me burgim të përjetshëm sipas dënimeve të përcaktuara në seksionin e kodit penal të Ukrainës që trajton ligjet dhe zakonet e luftës. Prokuroria e përgjithshme të Ukrainës Iryna Venediktova ka thënë se po shqyrton më shumë se 10.700 krime të mundshme lufte që përfshijnë më shumë se 600 të dyshuar, duke përfshirë ushtarë rusë dhe zyrtarë qeveritarë, transmeton Portalb.mk.

17:01 – Zelensky i gatshëm të flasë me Putinin, por me një kusht

Vlodymyr Zelensky është i gatshëm të flasë drejtpërdrejt me presidenti rus Vladimir Putin, por vetëm nëse në takim nuk do të ketë asnjë ndërmjetës, shkruan BBC të premten.

Në një intervistë për kanalin italian Rai 1, Zelensky ka thënë se do të fliste vetëm me Putinin, “për kushtet e dialogut, e jo të ultimatumeve”.

“Hapi i parë i qartë për të mbajtur bisedimet do të ishte kur Rusia të tërheqë trupat nga Ukraina. Sa më shumë raste të brutalitetit që shfaqen nga rusët, si ato në Bucha, Borodyanka apo Mariupol, aq më pak tolerant do të jem ndaj çdo negociate me Rusinë”, ka thënë ai.

Ukraina dhe Rusia nuk kanë zhvilluar bisedime ballë për ballë që nga 29 marsi dhe kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinsky, që atëherë ka thënë se bisedimet e paqes po mbaheshin nga

11:07 – Në rast të embargos, si do t’ia dilet pa naftën ruse?

BE po shqyrton mundësitë e vendosjes së embargos së naftës kundër Rusisë. Disa vende anëtare janë në gjendje t’ia dalin mbanë pa naftë ruse, të tjerë jo. Megjithatë embargoja do të prekë çdo vend dhe shtrohet pyetja: kush merr më pak, nëse në tërësi ka më pak për t’u ofruar? Shumë vende, me në krye Gjermaninë, po kërkojnë alternativa të tjera, por kjo nuk ka shumë kuptim. Sepse nëse mbetet e njëjtë sasia e konsumuar, për shkak të furnizuesve të rinj, atëherë edhe çmimet do të mbeten të larta, gjë që Putinin duhet ta gëzojë. Që nga fillimi i luftës vendet e BE kanë importuar naftë në vlerë rreth 24 miliardë euro nga Rusia.

Prandaj ka rëndësi të ulet në tërësi përdorimi i naftës. “Gati gjysma e nevojës europiane për naftë ruse mund të kursehet deri në vitin 2023, dhe gati e gjithë nevoja deri në vitin 2025”, beson William Todts, drejtori ekzekutiv i “Transport&Enviroment, T&E, një organizatë që ia dedikon punën trafikut rrugor ekologjik. Vaji, derivat i naftës, produkt përdoret kryesisht për ngrohje, nafta për trafikun dhe përftimin e energjisë. Në BE 70% e naftës përdoren për automjetet.

Masa konkrete

Një masë lehtësisht e aplikueshme për uljen e përdorimit të naftës është kufizimi i shpejtësisë së automjeteve. Në 70% të autostradave gjermane nuk ka kufizim shpejtësie. Rreth 2,1 miliardë litër karburante mund të kurseheshin në vit në Gjermani, nëse vendoset kufizimi i shpejtësisë në 100km/orë në autostrada. Dhe nëse në zonat e brendshme të qyteteve vendoset kufizim shpejtësie në 30km/ orë atëherë sipas Organizatës Gjermane të Ekologjisë, mund të kursehesin në tërësi 3,7 miliardë litra benzinë dhe naftë që shpenzohen për trafikun. Masa të tjera do të ishin të dielat pa automjete, stimuj për përdorimin e transportit publik dhe më shumë homeoffice.

Mobiliteti elektrik në plan afatmesëm do të sillte po ashtu shumë efekt, sipas T%E. Me këtë masë do mund të ulej kërkesa për naftë deri në vitin 2023 me 38,8 tonë njësi nafte, gjë që i përgjigjet 48% të konsumit të naftës për automjetet europiane. Kjo masë ka efekt sidomos nëse i drejtohet më shumë automjeteve me kilometrazh të lartë, psh. automjeteve të firmave, taksive, autobusëve, automjeteve të transportit. Një masë tjetër lidhet me trafikun ajror dhe uljen e përdorimit të kerozinës. Nëse shumë vende do të merrnin si model Francën, që i ka ndaluar fluturimet e distancave të shkurtra dhe ka ofruar për këtë përdorimin e trenit, atëherë në vit mund kurseheshin 2 miliardë euro import nafte nga Rusia. Këtë e thotë një analizë e Greenpeace. Kjo organizatë kërkon edhe ndalimin e fluturimeve bosh. Këto janë fluturime, me avionë bosh ose gjysmë të mbushur, që përdoren nga shoqëritë e fluturimit për të marrë të drejta e fluturimit. Vitin e kaluar, sipas Greenpeace dimrin e kaluar janë kryer 100.000 fluturime të tilla që kanë shpenzuar 360.000 tonë kerozin.

Ulja e tatimeve nuk ndihmon

Masat për uljen e çmimit të karburantit për shkak të rritjes së çmimeve të përgjithshme të energjisë nuk do të ndihmonin në uljen e përdorimit të naftës. Megjithatë të premten në Bundestag mund të diskutohet plani që në tre muajt e ardhshëm të verës, tatimi për energjinë që u vendos si tatim shtesë mbi karburantet të ulet në nivelin europian. Sipas T&E, nëse benzina dhe nafta bëhen më të lira nuk krijohen stimuj për të kursyer, përkundrazi. Masat që morën 18 vende europiane me uljen e tatimeve për karburantet që nga marsi kanë çuar në shtimin e përdorimit të naftës në 3,3 milionë tonë më shumë.

Pra ka disa mundësi se si mund të ulet përdorimi i naftës. Ndërkohë që në BE ende diskutohet, nëse është e mundur vendosja e embargos së naftës ruse. KE e propozoi embargon për naftën brenda gjashtë muajve të këtij viti dhe për produktet e rafinerive deri në fund të vitit 2022- Gjermania në një rast të tillë do të ishte më pak e prekur, se ka arritur të ulë shpejt varësinë nga nafta ruse. Nëse vitin e kaluar rreth një e treta e naftës vinte nga Rusia, aktualisht importet ruse përbëjnë vetëm 12%. Ndryshe është gjendja në Sllovaki, Çeki, Bullgari. Në tërësi 25% e naftës që përdoret në BE vjen nga Rusia.

09:48 – G7 do të shmangë bllokadën ruse të drithërave në Ukrainë

25 milion ton drithëra ndodhen ndërkohë të bllokuara në portet ukrainase, kryesisht në Odesa, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock në hapje të konsultimeve (12.05) triditore të ministrave të Jashtëm të G7 në Weissenhaus buzë Detit Baltik. Këto drithëra nevojiten urgjentisht, kryesisht në vendet e varfëra në afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Tani shtatë demokracitë më të pasura në botë nuk duhet t’i lenë në baltë këto vende.

Qëllimi i presidentit rus Vladimir Putin është që me luftën e tij sulmuese të përçajë bashkësinë ndërkombëtare. “Ne si G7 do t’i kundërvihemi kësaj”, tha Baerbock. Ne po konsultohemi bashkarisht, se si të zhbllokojmë bllokadën e drithërave të krijuar prej Rusisë dhe të mund të dërgojmë në botë drithërat ukrainase, tha Baerbock.

Ukraina është ndër furnizueset më të rëndësishme të drithërave në mbarë botën. Sipas shifrave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin më 2021 Ukraina zinte vendin e tretë si eksportuese e elbit dhe vendin e pestë për eksportin e grurit.

BE do të lehtësojë transportin përmes rrugëve tokësore

Pak përpara deklaratës së Baerbock, Komisioni i BE-së tërhoqi vëmendjen për një situatë të rrezikshme. Drithërat rrezikojnë bllokimin e depove që nevojiten për të korrat e ardhëshme. Ukraina për shkak të porteve të bllokuara nga Rusia në Detin e Zi ndërkohë nuk mund të eksportojë më si më parë. Për këtë arsye Komisioni i BE-së do të lehtësojë tani transportin përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhave.

Gjermania aktualisht drejton presidencën e radhës në grupin G7. Anëtarë të këtij grupi janë SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia. Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve Baerbock i ka ftuar në kështjellën Weissenhaus në landin e Shlesvig-Holstainit. Gjatë konsultimeve që do të vazhdojnë deri të shtunën (14.05) në fokus është kryesisht lufta.

Putin pret të korra rekord

Rusia, sipas presidentit Vladimir Putin, sivjet pret të korra rekord të grurit. Në një mbledhje të qeverisë ai deklaroi njëkoëhësisht, se do të rriten eksportet: “Sipas vlerësimit të specialistëve – këto natyrisht janë vetëm vlerësime të përkohshme – të korrat e grurit mund të arrijnë deri në 130 milion ton, ndër to 87 milion ton grurë.” Sipas Putinit ky do të ishte një rekord për grurin. Rusia është ndër prodhuesit më të mëdhenj të drithërave në mbarë botën dhe luan një rol të rëndësishëm për ushqimin në botë.

09:25 – Britania: Putin po e poshtëron veten para botës

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë duhet të hiqen kur të gjitha trupat ruse të jenë larguar nga Ukraina.

Ajo ka thënë në një takim të ministrave të Jashtëm të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me disfatë në mënyrë që të parandalohet agresioni i mëtejmë.

“Putin është duke e poshtëruar veten para botës”, ka thënë ajo, duke shtuar se atij duhet t’i mohohet çdo përfitim për shkak të pushtimit në Ukrainë.

Ajo po ashtu ka bërë thirrje që Ukraina të ketë qasje në pajisjet ushtarake të NATO-s.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë më 13 maj se forcat ukrainase kanë ndalur me sukses një përpjekje të forcave ruse për të kaluar në Donbas përmes lumit.

Ministria ka thënë se disa imazhe tregojnë se Rusia ka humbur pajisje të armatosura teksa ka tentuar të kalojë lumin Siverskyi Donets, dhe sipas saj, ushtarët rusë kanë dështuar që të shënojnë përparim në atë zonë.

Komandantët rusë janë duke u përballur me presion në rritje nga udhëheqësit e tyre dhe janë duke zbatuar strategji të rrezikshme në fushëbetejë, është thënë në raport.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button