U promovua aplikacioni “Sibord” për avancimin e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara

Përfaqësia e UNICEF-it dhe partnerët, organizata “Hapni dritaret” në Maqedoninë e Veriut e promovuan sot implementimin e aplikacionit digjital dhe veglën për teknologji ndihmëse, “Sibord”, e krijuar për t’iu ndihmuar fëmijëve me vështirësi në komunikim dhe çrregullime në të folurit. që ata të mund të komunikojnë dhe të shprehin nevojat, ndjenjat dhe mendimet e tyre, njofton Meta.mk.

Bëhet fjalë për aplikacion falas me kod burimor të hapur, i krijuar me mbështetje të Fondit të Inovacionit të UNICEF-it. “Sibord” mund të përdoret në internet ose nëpërmjet android pajisjes mobile ose tabletit, si ndihmë për fëmijët dhe të rriturit me një sërë çrregullimesh në të folurit dhe gjuhësore, të lehtësojnë komunikimin e tyre duke përdorur simbole, imazhe dhe transmetime nga teksti në të folur.

“Komunikimi është në thelbin e çdo ndërveprimi njerëzor. Fëmijët me vështirësi në të folur shpesh nuk mund të kuptohen dhe kjo mund të jetë pengesë për ndërveprimet e tyre të përditshme, zhvillimin, edukimin dhe përfshirjen sociale. Me Sibord, fëmijët fitojnë zë, mundësi për të folur, për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për t’u shprehur, e kështu edhe shans për të treguar se çfarë mund të arrijnë”, tha Patricia DiXhovani, Përfaqësuesja e UNICEF-it, e cila u bëri thirrje prindërve, edukatorëve dhe mësuesve që ta përdorin veglën e re për të kapërcyer barrierat që e pengojnë pjesëmarrjen dhe përfshirjen aktive të fëmijëve në komunitetin dhe shoqërinë e gjerë.

Sibord është zgjidhje teknologjike ndihmëse për komunikim alternativ dhe augmentativ, përkatësisht komunikues që mund të përdoret në mjedise të ndryshme, duke filluar nga familja e fëmijës, pastaj kopshtet, qendrat e ndërhyrjes së hershme, shkollat, qendrat e resurseve dhe shërbimet e logopedëve (terapistë për të folurit) dhe mund të ndihmojë veçanërisht në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë dhe përfshirjen e hershme të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke filluar nga arsimi parashkollor e më tej.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të vazhdojë angazhimin e saj për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve për t’iu mundësuar të gjithë fëmijëve, pavarësisht aftësive, mjedisit të tyre, si dhe arsimit dhe familjes së tyre, të pranojnë mbështetje të gjithanshme për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

“Sibord” fillimisht u prezantua në tre vende të rajonit, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi. UNICEF dhe partnerët e tij – organizata “Hap dritaret” dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike dhe Teknologjive Informative (FEEIT) janë përgjegjës për prezantimin në Maqedoni, që e kanë bërë lokalizimin e veglës në maqedonisht dhe shqip, si dhe krijuan një zë të ri për lexuesin audio në maqedonisht. – zëri femëror “Suze”.

Deri më sot, më shumë se 170 profesionistë, duke përfshirë ekipe të përfshirjes nga dhjetë kopshte, mësues parashkollorë, terapistë, psikologë, anëtarë të trupit të vlerësimit funksional dhe edukatorë specialë, janë njohur me aplikimin e komunikimit alternativ dhe augmentativ, duke e përfshirë Sibord, në punën me fëmijët të cilët kanë vështirësi në komunikim dhe çrregullime në të folurit dhe gjuhë. Ekspertët që e kanë testuar aplikacionin, në fazën pilot, konfirmojnë se fëmijët i janë përgjigjur veçanërisht mirë opsionit tekst-në-fjalë, se kanë treguar përmirësim në gamën e fjalëve dhe në shprehjen e nevojave të tyre.

Aplikacioni është në dispozicion në më shumë se 30 gjuhë dhe ka qasje në bazën e të dhënave Global Symbols, që ka mbi 20.000 simbole dhe e cila tani përfshin grupe simbolesh për Fondin Leksikor Bazë për gjuhën maqedonase dhe shqipe. Kompletet e simboleve mund të eksportohen gjithashtu nga Sibord dhe të printohen për t’u përdorur si një burim shtesë kur punoni me fëmijë.

Vegla digjitale mund të shkarkohet falas nga Google Play në telefonat Android ose të hyni drejtpërdrejt në faqen www.cboard.io.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button