fbpx

Poezi me temperament të veçantë lirik

(Vëzhgim letrar mbi librin poetik “Revansh e Dashuri” të Shpresa Purde – Memedi, botuar më 2020, Shkup)

Shpresa Purde - Memedi
Shpresa Purde – Memedi

Shpresa Purde – Memedi është lindur në vitin 1972 në Gostivar, vend në të cilin e kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm, ndërsa studimet i kreu në Fakultetin “Shën Klimend Ohridski” në Shkup. Të shumtën e kohës ka punuar në fushën e arsimit në Gostivar e gjetiu, ndërsa për momentin punon në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Magjistroi në Fakultetin Filologjik “Blazhe Koneski” në Shkup. Në të njëjtin fakultet edhe doktoroi me temën “Poetika e ekzistencializmit në kontekst të letërsive ballkanike”. Vendbanimi i saj i përhershëm është qyteti i Gostivarit. Shpresa Purde shkroi katër përmbledhje poetike dhe një vepër shkencore. Kësaj radhe do të fokusohemi te përmbledhja më e re poetike e Shpresës e titulluar “Revansh e Dashuri”.

Shpresa Purde – Memedi është e verifikuar si poeteshë e njohur në fushën e artit tonë letrar. Përmbledhja e saj poetike “Revansh e Dashuri” u mirëprit nga lexuesi shqiptar, si për nga forma, ashtu edhe për nga stili e përmbajtja. Ky libër poetik është i ndarë në dy cikle: Vargje lirike dhe Vargje dhembjesh. Në këto vargje poetike ndiejmë dhembje dashurie, humanizëm shpirtëror, por, edhe revoltë të theksuar për prapështitë e kësaj bote.  Kjo poezi është ajo që ka nxitur me të drejtë kureshtjen e studiuesve, e cila, nuk na la edhe ne pa na prekur, meqë ka nxitur kureshtjen tonë për ta vëzhguar poezinë e saj si një grua e lartë intelektuale, e cila jeton dhe vepron në Maqedoninë e Veriut. Përmbledhja e katërt poetike e saj shënon një përvojë të mjaftueshme e që tregon edhe një sukses të ri në poezinë bashkëkohore shqiptare.

Në këtë vepër, “Revansh e dashuri”, ajo ka krijuar relacione të reja të botëkuptimit e perceptimit mbi filozofinë e jetës reale. Ajo që e bënë këtë poezi edhe më të pranueshme në mesin e lexuesit të artit poetik është ajo se, poezia ruan origjinalitetin e autores me të gjitha veçoritë e saj. Ajo di që të “ëmbël” ta quajë edhe mëkatarin, kur dihet botërisht se mëkatari në gjuhën normale është një fytyrë e ndyrë dhe e papërfillshme në rrethin shoqëror. Ata nuk janë të përfillshëm as në filozofinë fetare, por, poetesha, Shpresa Purde, ka parë se në raste të veçanta edhe mëkatari është i ëmbël, ndoshta edhe në momentet më të veçanta të jetës, pasi populli thotë: ndonjëherë kah se pret të vjen. Në këtë botë të veçantë mund të depërtojë vetë poetesha, e cila, siç duket e njeh edhe një botë tjetër të veçantë…

Dhe skuqem me buzën dehur

Kur ndryt me syrin fshehur

E shpuzën e flokut si ar

O ti i ëmbël mëkatar!

(Shpresa P. Memedi, Revansh e Dashuri, Shkup 2020 , f. 13)

Kjo krijimtari poetike flet për hapa të mëdhenj e të veçantë në artin tonë poetik. Këto janë mendimet tona fascinuese për rrugëtimin poetik të Shpresës. Përjetimet dhe angazhimet e saj poetike shpërthekojnë në disa drejtime, dhe edhe për nga plani emocional ajo shtrihet në shumë plane. Në këto poezi ka kujtesë profecie, e cila, nuk dëshiron ta shohë botën nga mbrapa, por frymëzimi i saj ecën gjithandej, nga e bukura, e madhërishmja dhe veçmas nuk lejon pa e vëzhguar edhe të ulëtën dhe të shëmtuarën, të cilave do që t’u japë formë të re dhe t’i orientojë drejt të bukurës, ashtu siç e quajti mëkatarin.  Ajo shkruan jashtë asaj që nuk e do, pasi poetja ka një ego të veçantë krijuese. Ajo është intelektuale e mirë dhe nuk i beson sintagmës se bota prejardhjen e ka nga kaosi, edhe pse botën shpesh e sheh në gjendje kaotike. Pikërisht në këtë gjë forcohen vlerat krijuese e humane të poeteshës, e cila na mundëson që më lehtësisht të dallohet ëndrra e saj për të mirën njerëzore në kohë dhe hapësirë.

Ndoshta idealet e mëdha midis realitetit dhe ideales, duke udhëtuar drejt ëndrrave të bukura, do ta  shënonin emblemën më artistike të këtyre vargjeve poetike të Shpresa Purdes.

Një puthje!

Zvarritur lëmsh në jetën time

Pa mure pa korniza!

………………………………….

Pranë meje eja dhe ma jep bekimin

Në sytë e joshur

Të shijoj të vetmin shqetësim

(Shpresa P. Memedi, Revansh e Dashuri, Shkup 2020 , f. 21)

E veçanta e kësaj poezie është edhe një bohemizëm i brendshëm i autores, por, i padukshëm.  Ajo vazhdimisht ka tërmet në shpirtin e saj dhe mjaftë e lumtur për ata që i ka dhënë perëndia. Poetët në përgjithësi manifestojnë shenja bohemizmi, pasi ata e duan jetën e tyre të veçantë. Prandaj edhe poetët shkruajnë veçantë dhe ndryshe nga njëri-tjetri. Një pjesë e mirë e poetëve janë indiferent ndaj ndodhive, qofshin ato edhe shumë sensibël. Të tjerët janë larg konventave morale e religjioze. Një pjesë e tyre janë të pandashëm nga dashuria midis gjinive dhe veçmas ndaj asaj të atdheut.

Për të gjitha këta, në shpirtin poetik të poetes duket një debat i brendshëm për të bindur rrethin e lexuesve për rëndësinë e poezisë, e cila del si minerali i arit nga thellësia e tokës, apo thënë ndryshe se, poezia e saj del nga thellësia e shpirtit. Për këtë thellësi, edhe Platoni nuk i donte poetët afër pushtetit, pasi ata janë shpirttrazuar dhe me shpejtësi e përvetësojnë rininë dhe kësisoj, bota merr tjetër kahe… Në këtë poezi nuk mungon edhe katarsisi, i cili e mbështjell fuqishëm moralin dhe karakterin e njeriut, për të cilin Aristoteli thoshte se katarsisi në letërsi është shumë funksional, me të cilin lexuesi patjetër të fascinohet fuqishëm:

Në heshtjen parathënëse

Ma plotëso jetë!

E ndiej që je pranë!

Me engjëjt eja plagosur, shtrirë

Më dhuro mëshirë

sonte…!

Ekstazën shndërroje në dëshirë

(Shpresa P. Memedi, Revansh e Dashuri, Shkup 2020 , f. 33)

Kjo poeteshë te letërsia ndien shpirtin që ia dedikon librit, si atributin më të madh të lumturisë e të shpirtit njerëzor. Këtë linjë mendimesh për artin letrar, e preferonte edhe filozofi i madh gjerman, Hegeli, i cili shkruante se vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, i cili, filozofinë e tij për letërsinë e vlerësonte mbi të gjitha, pasi sipas tij, çdo gjë e gjallë në këtë botë një ditë edhe vdes, ndërsa poezia mbetet gjallë deri sa të ekzistojë bota… S’do mend se autorja është e frymëzuar nga idetë e poetëve dhe filozofëve të mëdhenj, dhe jo rastësisht kjo poezi i është përkushtuar jetës… Pikërisht kjo, e bën autoren autonome të shpirtit të saj poetik, e cila qëndron fuqishëm në kohën kur jeton dhe vepron ajo.

Më se njëmijë vjet të pres

Ndaj dhe nuk dua të vdes

Dua të flas

Dhe njëherë

Dua botës t’i Bërtas!

 

(Shpresa P. Memedi, Revansh e Dashuri, Shkup 2020 , f. 41)

Autorja mëton të bëhet një paradigmë e një shkrimi sa real, po aq edhe imagjinar. Fjala poetike e saj herë-herë kalon në amshueshmëri, që pastaj të lidhet me shumë kuptime emocionale e filozofike. Ajo, si shkrimtare dhe qenie e veçantë mistike, në heshtje mëton për ndërtimin e një   bote të ndryshimeve të mëdha e tejet të veçantë, të cilat, paraqesin një rrugëtim të vështirë, por njerëzimi pikërisht këto i admiron. Me ato jeton dhe nga to frymëzohet. Arti i shkrimtares sjell befasi, pasi krijon nga asgjëja dhe bën diçka të bukur e madhështore. Ajo vjen deri te vlerat mahnitëse, pasi, sipas shumë studiuesve të artit letrar, shkrimtarët janë në lidhje të përafërt me krijuesin e gjithësisë, e në këtë rast autorja është e mishëruar me përvoja të shumta filozofike e artistike.

Kësisoj, poetesha si qenie tipike, e ndërthur të bukurën me të madhërishmen, të bukurën me të shëmtuarën, lumturinë me dhembjen, gjithë brenda një simbioze letrare, e cila tenton të sfidojë kohët e errëta dhe ligësitë e kësaj bote, për të arritur deri tek ajo që quhet e përjetshme. Këto kontraste jetësore dhe me plot drama e ruajnë lehtas aktualitetin letrar të veprës së Shpresës.

Kjo poezi ka sjellë freski në mendjen e njeriut lexues, si gjithmonë aktuale dhe me tendenca serioze për fisnikërimin e shpirtit dhe mendjes njerëzore. Ajo, me librin e saj “Revansh e dashuri”, është bërë një fuqi më vete, me plot fuqi krijuese e dinamike, e cila, mëton për tejkalimin e krizave konceptuale të kohës, dhe, duke i luftuar ligjet e ngurta të kohës, mendimit të vjetër, jo pragmatik për kohën, ajo bëhet edhe më e suksesshme dhe më atraktive.

Për poeteshën në fjalë, duket se mania më e madhe për njeriun është libri, për të cilin e dëshmonte edhe  i madhi Borges, që thoshte se libri kishte fuqinë e shpirtit. Këtë që tentojmë të themi ne për narracionin e kësaj vepre, e plotëson edhe pasuria gjuhësore e poeteshës dhe përdorimi i figurave stilistike në vendin e duhur, duke i dhënë vlera dhe hijeshi gjuhës së saj poetike. Kësisoj, bëhet një gjuhë e kultivuar dhe me plot atribute të tjera, me ngjyra të pasura imagjinare, me nuanca dhe me prirje të thella estetike e stilistike, që e bëjnë këtë përmbledhje poetike me plotë referenca për shije arti dhe emancipim njerëzor.

Letërsia gjithmonë ka influencuar dhe  ka pasur një funksion të rëndësishëm në shoqëri, duke krijuar gjithmonë një lumturi të posaçme, te lexuesit e të gjitha kohërave. Jo rastësisht, njerëzimi vazhdimisht e kërkon librin, e admiron, e dashuron dhe një pjesë e njerëzimit nuk mund të jetojnë pa të. Pikërisht libri i letërsisë e bëri fushën më të bukur e më të privilegjuar të njerëzimit. Ky asociacion ndjenjash e perceptimesh e bëri letërsinë fushë superiore dhe me plot autonomi. Pikërisht ky asociacion ndjenjash e mendimesh ndaj letërsisë e dehu edhe poeteshën tonë, për të cilën flitet në këtë pjesë, ngaqë përgjatë gjithë historisë njerëzore ka qenë prirja më sublime për të bukurën, të madhërishmen, të ulëtën e të shëmtuarën, tragjiken, komiken, të mirën e të keqen, apo simpatiken… Për poeten Shpresa, letërsia mbeti arenë për kulturën globale, në të cilën shkrihen shekujt, kultura, distanca dhe sintetizohen në atë që është e bukura, sublimja dhe e madhërishmja. Prandaj edhe në kohërat bashkëkohore,  ngjarjet dhe motivet që i ka sjellë poezia e autores, s’mund të shkëputen nga jeta reale, madje as pas qindra shekujsh. Kësisoj edhe poezia e Shpresës ka motive dhe paraqitje për t’u mbijetuar kohërave.

Këtu me vite shoh mure

Që vazhdimisht lotojnë

E kanë këngën në vaj të tretur

O miku i botës… !

(Shpresa P. Memedi, Revansh e Dashuri, Shkup 2020 , f. 52)

Duket se kësaj poeteshe, libri i sjellë lumturi, edhe pse rruga deri te finalizimi i librit është e lodhshme, veçmas libri që konceptohet brenda letërsisë, pasi për shoqërinë është kult i një kënaqësie të veçantë, pasi lumturon shpirtin njerëzor, përmes të cilit edhe krijohet katarsisi letrar në shpirtin e njeriut. Me fjalë të tjera, kjo poezi e Shpresës sintetizon shpirtin njerëzor, ngaqë ajo është plotësisht e vetëdijshme se libri poetik është vetvetiu shenjtëria e kësaj bote, përmes së cilës krijohet memoria njerëzore, në të cilën ruhen emocionet e veçanta, të mirat dhe të këqijat e shoqërisë njerëzore në këtë botë, sa absolute, po aq edhe e brishtë.

O Zot! O Zot! O Zot!

Thash me vete

Nuk të njoha!

Nuk të njoha, o ti zemër, plagë pa shërim!

(Shpresa P. Memedi, Revansh e Dashuri, Shkup 2020 , f. 51)

Për në përfundim, mund të themi se autorja e kësaj përmbledhjeje poetike, e ka të thelluar shpirtin e saj poetik, është në valët mjedisore rreth jetës dhe vargut poetik, e cila dëshmon për arritje dhe vlera të reja poetike, pasi ajo ka depërtuar në oqeanin e kësaj fushe artistike.  Ajo nuk ka ndonjë krizë paragjykuese, përkundrazi, ajo në mënyrën e saj ka arritur një shkallë përsosmërie dhe të vetëdijesimit krijues e familjar. Ajo di t’i vlerësojë me respekt të veçantë vlera ekzistuese të saj dhe mëton me entuziazëm të jetë i mishëruar me poetikën e saj dhe qëllimet t’i arrijë  përmes revoltës ndaj realitetit të hidhur në shoqërinë, në të cilën ajo jeton dhe vepron. Patjetër duhet thënë se subjekti lirik i kësaj përmbledhjeje poetike është i lidhur ngushtë me vlerat morale e humane, të cilat i percepton Shpresa në kontakt me shoqërinë njerëzore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button