fbpx

Dështon iniciativa që synonte të mbronte qasjen ndaj abortit në Amerikë

Ligjvënësit demokratë dështuan të mërkurën të miratojnë një projektligj që në thelb do ta mbronte me ligj të drejtën për abort. Votimi vjen pas rrjedhjes së një opinioni paraprak nga Gjykata e Lartë, të mbështetur nga shumica e anëtarëve të saj, që mund të çojë në shfuqizimin e vendimit historik të njohur si çështja Roe kundër Wade, i cili legalizoi abortin rreth 50 vite më parë, raporton VOA.

Projektligji i propozuar nga demokratët, i cili synonte ruajtjen e qasjes ndaj abortit në mbarë vendin, dështoi gjatë votimit në Senat.

Rezultati përfundimtar ishte 49 vota pro me 51 kundër procedimit të mëtejshëm me masën legjislative. Demokrati i moderuar, senatori Joe Manchin bashkoi votat me republikanët duke votuar kundër masës legjislative.

Dështimi i projektligjit në Senat ishte i pritshëm duke patur parasysh rezistencën e republikanëve dhe shumicën e ngushtë që gëzojnë demokratët në këtë dhomë të Kongresit. Duke folur pak çaste pas votimit, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se zhvillimet në Senat e bënë të qartë kontrastin mes partive ndërsa ato po i afrohen zgjedhjeve për Kongresin, që mbahen në nëntor.

Zgjidhni më shumë demokratë që mbështesin të drejtën për të zgjedhur nëse doni të shihni që një grua të ketë kontroll mbi trupin e saj, nëse doni të mbroni lirinë dhe të drejtën e një gruaje për të zgjedhur. Zgjidhni më shumë republikanë që mbështetin sloganin ta bëjmë Amerikën sërisht madhështore, nëse doni të shihni një ndalim mbarëkombëtar të abortit, dhe nëse doni të shihni mjekë dhe gra të arrestuara”, tha zoti Schumer.

Ndërkohë protestat para gjykatës së lartë të vendit kanë vazhduar si përgjigje ndaj opinionit paraprak të rrjedhur. Vendimi pritet të merret përpara se gjykatësit të fillojnë pushimet e verës në fund të qershorit, ose në fillim të muajit korrik.

Do të doja që aborti të mbetej një e drejtë kushtetuese. Është kujdes shëndetësor. Nuk mendoj se qeveria duhet të përfshihet mes askujt dhe mjekëve të tyre”, thotë Irina, mbështese e së drejtës për abort.

Pak më shumë se gjysma e amerikanëve, 53 përqind, thonë se janë kundër shfuqizimit të Roe kundër Wade. Por në të gjithë vendin ka shumë nga ata që e mirëpresin një vendim të gjykatës në këtë drejtim..

Shpresoj të shpëtohen më shumë foshnje. Kjo është ajo që po kërkoj. Do të doja ta shihja të shpallej plotësisht i paligjshëm“, thotë Jack Durham, kundërshtar i abortit.

Nëse Roe kunder Wade hidhet poshtë me një vendim të Gjykatës së Lartë, aborti do të shpallej menjëherë i paligjshëm në 13 shtete dhe shumë shpejt mund të shpallet i jashtëligjshëm edhe në 19 të tjera.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se në rast të rrëzimit të vendimit Roe kundër Wade, vendi mund të përballet me një klasifikim të abortit si vrasje.

Mendoj se jemi përpara një rreziku serioz. Mitch McConnell dhe republikanë të tjerë në Kongres po flasin për një ndalim kombëtar të së drejtës së një gruaje për të zgjedhur“, tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet e Bashkuara janë aktualisht një ndër shtatë vendet në mbarë botën që lejojnë abortet me zgjedhje pas javës së 20 të shtatzënisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button