Çun Lajçi në Tetovë: Ta ruajmë gjuhën pasi e kemi bastarduar deri në palcë (VIDEO)

“Troshat” është titulli më i ri i aktorit dhe shkrimtarit të mirënjohur në mbarë shqiptarinë, Çun Lajçit i cili sot si një shitës ambulant u stacionua para bibliotekës së qytetit të Tetovës për të takuar lexuesit e tij dhe për të shitur titujt e fundit të tij. Lajçi tha se sot nuk ka shumë blerës të librit pasi ka pak lexues. Ndërsa porositi që të rinjtë në mbarë trojet shqipfolëse ta ruajnë gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Shitja e librave në terren nga vetë autori është më produktive për autorin sipas Lajçit, siç tregon ai autori shkon direkt te lexuesi, ndërsa lexuesi e ka rastin të merr librin dhe të njeh autorin dhe të bisedojë me të.

Çun Lajçi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Çun Lajçi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Dy botimet e reja nga Lajçi janë “Troshat”, një roman me tregimet e tij jetësore dhe “Ofshamë malli”, një përmbledhje poetike.

“Tregimet janë të rinisë sime, janë tregimet që më kanë përcjellë që nga mosha dhjetë vjeçare deri sot në moshën 75 vjeçare. Janë tregimet që kam mbajtur nën lëkurën time. Troshat më shumë i ngjason një romani autobiografik. Ai që do e lexojë do e mësojë mirë jetën e një artisti që nga ai bariu deri te filmat që i ka në mbarë botën”, tha Lajçi.

Librat e Çun Lajçit, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Librat e Çun Lajçit, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, Lajçi thekson se libri në përgjithësi nuk ka shumë blerës sepse ka pak lexues.

“Pak kemi blerës të librave. Ju duket shtrenjtë libri ndonjëherë, unë me qëllimin më të mirë dhe me një vullnet të çeliktë e kam rritur çmimin e librit, por kam dashur me ju treguar se arti dhe letërsia nuk janë kafshatë buke as nuk është gotë uji që mund të pihet, krijohet me shumë mund. Gjithçka që i zbritet çmimi i humbet vlera, këtë e kam hetuar te populli im. Popullit tim po ja rrite çmimin atij i zgjohet edhe kureshtja me e pa se çka është kjo që kushton një mijë denarë dhe ajo tjetra njëqind. Gjithçka që falet nuk lexohet”, sqaron Lajçi.

Librat e Çun Lajçit, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Librat e Çun Lajçit, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mesazhi i tij për shqiptarët jo vetëm të Maqedonisë së Veriut por edhe të Kosovës dhe Shqipërisë është që ta rruajnë gjuhën, pasi e njëjta është bastarduar deri në rrashtë.

“Gjuha është pasuria më e madhe por edhe këtë gjuhë në këtë kohë e kemi bastarduar me dëshirë dhe pa dëshirë tu e lakmuar gjuhëve të huaja dhe duke e përzier qoftë këngën, qoftë shkrimin, qoftë këndimin. Aty është bazamenti i çdo populli. Prandaj ky është gabimi më i madhi që po e lejojmë edhe përmes mediave televizive me e përdorur gjuhën e rrugëve”, porositi Lajçi.

Çun Lajçi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Çun Lajçi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai u shpreh se në titujt e tij ka kritikuar edhe politikanët në trojet shqiptare por duke e ruajtur anën artistike. Ndër të tjera tha se në planet e tij është tu kushtojë ndonjë tituj edhe ngjarjeve në Kumanovë, pasi siç tha ai ja kemi borxh Kumanovës dhe asaj lagjeje.

Lajçi nesër do të jetë në Gostivar për të dërguar titujt e tij edhe atje, ndërsa më tutje tha se do vazhdojë rrugëve të çdo qyteti ku ka shqiptarë.

Çun Lajçi në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Poralb.mk
Çun Lajçi në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Poralb.mk

Ndryshe, Lajçi ka një karrierë të pasur prej aktori, duke luajtur rreth dyqind role në teatër, film, drama dhe seriale televizive. Është vlerësuar me shumë çmime në festivale të ndryshme të teatrit dhe filmit. Deri më tani ka botuar trembëdhjetë libra.

Për më tepër ndiqeni videon më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button