Sinani: BDI hyri në koalicion me VMRO-në për ti tallur shqiptarët

Së fundmi, Shkupi u ‘ndez’ nga tensionet etnike, ku maqedonasit mësynë në lokalet e shqiptarëve, për faktin se një i ri shqiptar vrau një maqedonas.

Sa u përket këtyre tensioneve, opinionisti Ismail Sinani shprehet se dhuna që u pa në Shkup nga huliganët nuk duhet parë si ngjarje e veçuar, por si vazhdimësi e një politike diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Tensionet ndëretnike në Maqedoni nuk duhen parë si diçka momentale, që kanë ndodhur hë për hë apo si refleksion i një vrasjeje, e cila gjithsesi ishte makabre. Tensionet në Maqedoni janë të shtresuara dhe të ngarkuara me elementë politikë, të cilët vihen në funksion çdoherë kur e kërkon nevoja”, tha Sinani për Albeu.

Ai vazhdon të argumentojë se që nga ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së, është krijuar bindja se maqedonasit janë zot të shtetit dhe se shqiptarët sikur gjenden krejt rastësisht në Maqedoni.

Më tej, Sinani shprehet se duke qenë se BDI udhëheq shumicën e komunave shqiptare, kryetari i saj, Ali Ahmeti e ka patur mundësinë që të bllokojë funksionimin e shtetit dhe të kërkonte një marrëveshje të re për shqiptarët, gjë të cilën nuk e ka realizuar dot.

“Në një situatë kur BDI kontrollon thuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare, konsideroj se shumë lehtë do të mund ta bllokonte funksionimin e sistemit dhe të detyronte faktorin ndërkombëtar që pala maqedonase edhe një herë të ulej në tavolinë të bisedimeve me shqiptarët për t’i përcaktuar pistat e veprimit në të ardhmen. Fundja a nuk e bëjnë këtë serbët në Kosovë?!”, argumenton Ismail Sinani.

Ai në fund shprehet se BDI në fakt hyri në koalicion me Gruevskin me një premtim bosh të NATO-s, duke tallur votuesit shqiptarë./ Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button