Ngritja e shpejtë e biznesmenit Nikolla Gruevski nuk kalon pa u vënë re

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka shënuar fillim të mirë në biznes, pasi firma e tij konsulente në Hungari, gjatë pesë muajve të fundit ka fituar 10 mijë euro, raporton “Balkan Insight”, duke i cituar mediat hungareze, njofton Nova Makedonija, transmeton Portalb.mk.

Aktivitetet që kanë kontribuar për këtë fitim nuk dihen, por mediat vendase spekulojnë se fitimet mund të jenë të lidhura me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë. Kurse Ministri i Jashtëm hungarez Peter Sijarto nuk i fsheh takimet e tij të rregullta me Gruevskin, sipas “Balkan Insight”.

Pas arratisjes në Hungari, Gruevski e shmang daljen në publik ashtu që për jetën dhe aktivitetet e tij dihet pak, por ai u bë sërish aktual në mediat lokale kur e regjistroi kompaninë I.C.I.C.

Kompania e re e Gruevskit, nga 14 korriku i vitit të kaluar, gjendet në një shtëpi në rrugën “Boskai” numër 9 në fshatin Pecel, i cili ndodhet 20 km larg Budapestit. Është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar I.C.I.C. Gruevski , sipas dokumenteve të publikuara në Regjistrin Qendror Hungarez të Kompanive, ka kërkuar dhe ka marrë leje për të filluar biznes me një kompani. “Dojçe Vele” raportoi se, sipas dokumenteve, kompania e Gruevskit është duke planifikuar aktivitete të gjera afariste në të paktën 10 sektorë të ndryshëm. Regjistrimi i kompanisë i ka kushtuar ish-kryeministrit të Maqedonisë 8350 euro.

Fokusi kryesor i kompanisë është biznes konsulencë, por është e licencuar për të ushtruar një gamë të gjerë aktivitetesh, si shitja e porcelanit, produkteve të qelqit, produkteve të pastrimit, ushqimeve, pijeve dhe duhanit, si dhe kryerja e PR, komunikimit dhe marketingut.

Gruevski gjatë regjistrimit të kompanisë e ka shënuar adresën e avokatit të tij në Budapest, ndërsa si adresë të dytë e ka shënuar atë në Shkup, në rrugën “Pavel Shatev” nr. 3 në Kisella Voda, sipas burimeve të shërbimit gjerman për media.

Besohet se rritja e shpejtë e biznesit modest do të tërheqë vëmendjen në Ballkan dhe më gjerë, duke pasur parasysh vendimet kundër Gruevskit dhe lidhjen e tij me qeverinë e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Në fillim të muajit të kaluar, Gruevski u vendos në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, por qeveria hungareze nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrimin e saj miqësor ndaj ish-kryeministrit maqedonas për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me Orbanin, përfundon “Balkan Insight”.

Prokuroria Publike në Maqedoni e akuzoi Gruevskin për organizimin e dhunës së 27 prillit 2017 në Kuvend. Që atëherë ai ka qenë në arrati në Budapest dhe më 27 qershor 2019, një gjykatë në Budapest vendosi të mos e ekstradojë ish-kryeministrin maqedonas. Gruevski kërkohet edhe për vuajtje të dënimit dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button