Ndalimi i qarkullimit të linjave të autobusit 19 dhe 20, LSDM akuzon Arsovskën për paaftësi

Partia LSDM, ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga Portalb.mk, për ndalimin e qarkullimit të autobusit privat të linjës 19 e cila qarkullon në kuadër të Ndërmarrjes Publike të Qytetit të Shkupit. Pas ndalimit të kësaj linje, edhe linja 20 e ka ndërprerë qarkullimin e saj dhe me këtë tërë Komuna e Shuto Orizares, por edhe disa lagje të Çairit kanë mbetur pa transport publik, njofton Portalb.mk.

“Nuk ka ditë që nuk del në pah paaftësia e kryetares së Shkupit Danella Arsovska. Tre muaj Qyteti i Shkupit e udhëhequr nga Arsovska dhe VMRO-DPMNE, nuk u ka paguar transportuesve privat të autobusëve dhe për atë prej sot ata më nuk qarkullojnë në linjat e rregullta. Me ndalimin e këtillë, seriozisht reduktohet orari i rregullt, por më keq është se vendbanime të tëra janë pa transport publik. Në Komunën e Shuto Orizares, prej sot është ndërprerë transporti publik pasi linjat “19” dhe “20” në pjesën më të madhe janë të transportuesve privat. Arsovska përpara zgjedhjeve premtonte transport autobusi falas dhe hoqi dorë nga 70 milionë euro për projektin “BRT”, thonë nga LSDM.

Portalb.mk, edhe sot ka insistuar që të marrë përgjigje nga Qyteti i Shkupit për problemin e krijuar, por ata ende nuk na kanë dërguar përgjigje. Përgjigje nuk japin as nga Ndërmarrja Publike e Transportit Publik e cila e organizon transportin e autobusëve në Shkup.

Në bisedë telefonike me kompaninë transportuese private “Makekspres”, e cila i menaxhon këto dy linja, thonë se përfaqësuesit e tyre janë në mbledhje me administratën e Qytetit të Shkupit dhe pas takimit do të njoftojnë për epilogun e bisedimeve.

Portalb.mk dje informoi se autobusët privat të linjës 19 nuk qarkullojnë në Shkup pasi që Qyteti i Shkupit nuk ua ka paguar prej muajit shkurt mjetet financiare të cilat u takojnë me ligj. Pas ndalimit të linjës 19, edhe pronarët e autobusëve privat që qarkullojnë në linjën 20 i kanë fikur autobusët për të njëjtën arsye. Qytetarët detyrohen me kilometra të ecin për të kapur linja tjera për të arritur në destinacionin përkatës.

Sipas kontrollit që Portalb.mk, ka bërë në javën e fundit, orari i linjës 19 fare nuk respektohet. Sipas orarit të publikuar në ueb-faqen e NTP-së prej orës 8 deri në orën 9-të, do të duhej të qarkullonin 8 autobusë, por në fakt kalojnë vetëm 3, apo në gjysmë orë, në 8, 8.30 dhe 9, të cilët ndonjëherë dinë edhe fare mos të vijnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button