Java e Shëndetit të Grave: 4,9 për qind e foshnjave janë lindur nga nëna të moshës 15 deri në 19 vjeç

Duke e shënuar Javën e Shëndetit të Grave, e cila është prej 8 deri më 14 maj, Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë – MAGO dje filloi fushatën për edukim seksual të iniciuar nga bashkëpunimi me organizatën joqeveritare botërore Amaze, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të udhëhequr nga misioni dhe synimi themelor për të inkurajuar zhvillimin seksual natyral dhe të shëndetshëm të fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe ndërtimin e një bote në të cilën të rinjtë do të kenë akses të vazhdueshëm në informacionet e nevojshme, gjinekologët përgatitën 20 video të shkurtra edukative dhe argëtuese dhe resurse edukative për shëndetin seksual, të cilat janë në dispozicion në maqedonisht dhe shqip.

Në prezantimin e djeshëm  gjinekologët i shpallën edhe rezultatet e punës disamujore të ambulanteve mobile gjinekologjike për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës me kontroll gjinekologjik falas dhe testit PAP.

Sipas informacioneve të anëtarëve të MAGO-s, e mitura më e re që ka bërë abort në Maqedoni është vetëm 13 vjeç. Në vitin 2020, ka pas 18 vajza nën moshën 15 vjeç të cilat kishin lindur fëmijë, ndërsa nga numri i përgjithshëm 4,9 për qind i foshnjave janë lindur nga nëna të moshës prej 15 deri në 19 vjeç.

Gjithashtu, ndonëse shtatzënia te vajzat e mitura mund të jetë në rënie, shifrat janë ende të larta.

Në kuadër të fushatës me debate për tema që ndërlidhen me shëndetin riprodhues të grave dhe aktivitete për të thyer stigmat dhe barrierat që vajzat dhe gratë i kanë për shëndetin e tyre riprodhues dhe seksual dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjinekologjike, gjinekologët përkujtojnë fusha për punë me të rinjtë është jashtëzakonisht të madhe.

“Analizat kanë treguar se ata janë pjesa më e vogël e popullsisë që e viziton gjinekologun rregullisht. Ka një stigmë dhe injorancë në mesin e të rinjve për disa nga gjërat themelore, për shembull për rreziqet e marrjes infeksionit që transmetohet seksualisht. 20 për qind e të rinjve besojnë se prezervativi mbron nga shtatzënia e padëshiruar, ndërsa nuk mbron nga infeksionet që transmetohen seksualisht. Dhe 20 për qind e tyre mendojnë se marrja e kontraceptivëve oralë do t’i mbrojë nga sëmundjet që transmetohen seksualisht, gjë që nuk është e vërtetë”, tha prof dr. Gligor Tofoski.

Një fakt tjetër zhgënjyes është që më shumë se 60% e grave nuk shkojnë në kontrolle gjinekologjike të rregullta një herë në vit dhe më shumë se 40% nuk ​​e kanë zgjedhur gjinekologun e familjes.

Jehona më e ulët për kontrollet e tilla është në rajonin Lindor. Sipas prof. dr. Ana Daneva si pasojë e pandemisë numri i kontrolleve gjinekologjike të shtatzënave është zvogëluar.

“Fatkeqësisht kemi shënuar dyfish më pak shërbime për kontrolle të rregullta, sidomos në tre muajt e parë të shtatzënisë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjitha komplikimet që mund të ndodhin më vonë gjatë shtatzënisë. Shërbimet e shëndetit riprodhues janë reduktuar. Edhe pse është realizuar projekti për abort të sigurt, ende nuk kemi vërejtur se të gjitha shërbimet e planifikimit familjar kanë marrë një përgjigje më të madhe në krahasim me të kaluarën”, tha prof. dr. Daneva.

Me ambulantën mobile gjinekologjike nga dhjetori deri në fund të muajit të kaluar janë përfshirë 1300 paciente për të cilat janë siguruar kontrolle ultrasonike gjatë shtatzënisë, kontrolle gjinekologjike, marrje të strishove, HPV test dhe teste për infeksione që transmetohen seksualisht, kurse nëse është e nevojshme gratë dërgohen edhe në kontrolle plotësuese.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të ekzaminuar në periudhën nga 1 dhjetor 2021 deri më 31 mars 2022 përmes dy klinikave mobile gjinekologjike | Burimi: MAGO

Ekipet mjekësore që përbëheshin nga një mjek, një specialist i gjinekologjisë dhe obstetrikës dhe një infermiere në atë periudhë realizuan gjithsej 115 aktivitete në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button