Dita 78: UNICEF: Rreth 100 fëmijë të vdekur në Ukrainë gjatë 1 muaji

Finlanda duhet të paraqesë kërkesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, thanë presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin në një deklaratë të përbashkët të enjten. “Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë,” thanë Niinisto dhe Marin. Ky është një ndryshim i madh i politikës i shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,.00 km (810 milje) dhe një të kaluar të vështirë me Rusinë, ka mbetur jashtë aleancës. Disa hapa mbeten përpara se procesi i aplikimit të fillojë, por ky vend ka mbështetje të gjerë nga anëtarët e tjerë të NATO-s. Suedia fqinje pritet të marrë gjithashtu vendim për anëtarësimin në aleancën mbrojtëse në ditët në vijim, transmeton Portalb.mk.

22:00 – UNICEF: Rreth 100 fëmijë të vdekur në Ukrainë gjatë 1 muaji

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha se rreth 100 fëmijë vdiqën në Ukrainë gjatë muajit të fundit për shkak të luftës së nisur nga Rusia, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari i UNICEF-it Omar Abdi tha në konferencën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se lufta në Ukrainë ka krijuar një krizë të të drejtave të fëmijëve.

Duke tërhequr vëmendjen për sulmet ndaj shkollave dhe heqjen e të drejtës së fëmijëve për arsimim, Abdi deklaroi se në Ukrainë gjatë muajit të fundit kanë vdekur rreth 100 fëmijë.

Duke thënë se shkollat ​​përdoren për qëllime ushtarake dhe se 15 shkolla të mbështetura nga UNICEF-i u dëmtuan në luftë javën e kaluar, Abdi bëri thirrje për t’i dhënë fund sulmeve ndaj shkollave.

– SHBA: Rusia shënjestroi mesatarisht 22 shkolla në Ukrainë çdo ditë

Richard Mills, Zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB, tha se Rusia ka shënjestruar mesatarisht 22 shkolla çdo ditë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, mohoi akuzat kundër ushtrisë ruse dhe pohoi se historia nuk u mësohet fëmijëve në Ukrainë siç duhet.

Ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, akuzoi Rusinë për rrëmbim dhe adoptim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas.

19:24 – OKB-ja do të hetojë vrasjet, torturat dhe abuzimet e tjera në Ukrainë

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHCR), më 12 maj, miratoi me shumicë votash një rezolutë për të jetësuar një hetim mbi akuzat për abuzime nga trupat ruse në zonat e Ukrainës që rusët i kishin përkohësisht nën kontroll.

33 shtete votuan pro hetimit ndërsa vetëm dy kundërshtuan – Kina dhe Eritrea. Dymbëdhjetë vende abstenuan nga votimi. Rezoluta e UNHCR-së përmend raste të dukshme të torturës, të të shtënave dhe dhunës seksuale, së bashku me mizoritë e tjera të dokumentuara nga një ekip i OKB-së në terren.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, e cila kryeson këshillin, tha më herët se mijëra kufoma janë gjetur në rajonin e Kievit pas tërheqjes së forcave ruse në ato që mund të jenë dëshmi e krimeve të luftës.

Ajo tha përmes videolidhjes se autoritetet po punonin për të verifikuar shkeljet.

“Shkalla e vrasjeve të paligjshme, duke përfshirë indikacionet e ekzekutimeve në zonat në veri të Kievit, është tronditëse”, tha Bachelet.

UNHCR-ja më 12 maj dënoi mizoritë e dokumentuara nga ekspertët në territoret e pushtuara nga Rusia dhe kërkoi qasje për punëtorët humanitarë tek njerëzit që janë marrë nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i pushtimit.

Ajo përmendi akuzat se shumë prej tyre janë detyruar të shkojnë në Rusi.

17:32 – Forcat ruse vazhduan ofensivën drejt qytetit Odesa

Forcat ruse po vazhdojnë sulmet me artileri në Ukrainën juglindore, ndërsa përpiqen të avancojnë drejt qytetit Odesa dhe pjesëve të tjera të rajonit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat, njofton nga rajoni Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore.

Avionët rusë fluturojnë ulët dhe vënë në përdorim mekanizmat për t’u mbrojtur nga raketat kundërajrore, përpara se të sulmojnë pozicionet ukrainase.

Në terren, rezultati është shkatërrimi. Një fshat i vogël në rajonin Donbas, në Ukrainën lindore, ka mbetur pothuajse i zbrazët. Rajonet duken si qytete fantazma tashmë.

Mund të pikasësh vetëm ushtarë që qëndrojnë në llogore. Gjithçka duket e qetë kur nuk po bien bomba. Gjithçka duket paqësore, por është kështu vetëm në dukje. Në vende të tilla po bëhet lufta për Ukrainën.

Ihori jeton në Kamianske, një ndër pozicionet e fundit që mban Ukraina në jug të Zaporizhzhias, në Ukrainën jugore. Ky qytet i vogël kishte rënë nën kontrollin rus dhe vetëm një muaj më parë u mor sërish nga ushtarët ukrainas.

Ihori thotë se nuk ka ku të shkojë. Ai nuk ka miq apo familjarë dhe thotë se preferon të qëndrojë këtu.

“Shëndeti nuk na e lejon më të vrapojmë gjithë kohës për në vendstrehim. Shumë nga ata që ikën ishin me probleme shëndetësore, probleme zemre. Gruaja ime p.sh. ka probleme me këmbët. Na shpërndajnë ushqim. Por, ja ku kemi. Ne të dy, vetëm në këtë rrugë”, i thotë Ihori Zërit të Amerikës.

Ai jeton me të shoqen, Iryna, dhe qentë e tyre që frikësohen gjithnjë e më shumë nga shpërthimet e vazhdueshme.

Iryna i thotë Zërit të Amerikës se kanë mbi tre muaj që qëndrojnë në vendstrehim.

“Kur bien bombat qëndrojmë këtu. Kështu jetojmë. Ka tre muaj që vazhdojnë bombardimet. Dalim jashtë kur nuk ka bombardim. Natën flemë nën tokë pasi nuk dihet kur mund të godasin prapë. Është më me rrezik të vrapojmë drejt vendstrehimit”, thotë Iryna.

Ushtarët qëndrojnë në llogore jo larg prej aty. Një pritje pa fund.

13:51 – Kremlini: Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO përbën kërcënim për Rusinë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të përbënte një kërcënim për sigurinë e Rusisë, pasi dy vendet, të trazuara nga lufta në Ukrainë, sinjalizuan lëvizjet e tyre ende më të qarta për të kërkuar anëtarësim.

Peskov gazetarëve në Moskë u tha se përveç krijimit të kërcënimeve për Rusinë, zgjerimi i NATO-s drejt lindjes “nuk do të kontribuojë në sigurinë në Euroazi”.

I pyetur se çfarë mund të bëjë Rusia si përgjigje, Peskov tha se kjo do të varet nga shkalla e avancimit të infrastrukturës ushtarake të aleancës në kufijtë e Rusisë. Finlanda dhe Rusia ndajnë një vijë kufitare prej 1.300 kilometrash.

“Ne do të analizojmë situatën me pranimin (e mundshëm) të Finlandës në NATO dhe do të zhvillojmë masat për të garantuar sigurinë”, tha Peskov.

Në një njoftim të lëshuar sot, liderët finlandezë thanë se planifikojnë të aplikojnë për anëtarësim në NATO sa më parë. Lëvizje të ngjashme priten gjerësisht nga Suedia.

Rusia prej kohësh ka paralajmëruar kundër anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. Po ashtu publiku dhe liderët në të dy vendet ishin kryesisht kundër deri më 24 shkurt kur Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës, pas çka rrjedha u kthye.

Në nisjen e luftës së saj kundër Ukrainës, Moska paralajmëroi vazhdimisht për “kërcënimin” e anëtarësimit të saj në NATO, megjithëse procesi i anëtarësimit të saj sapo kishte filluar.

09:32 – Japonia ngriu asetet e Sberbank dhe Alfa Bank të Rusisë

Qeveria japoneze sot ka ngrirë asetet e institucionit financiar më të madh rus, Sberbank dhe Alfa Bank, bankës së saj më të madhe private, për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Japonia vendosi sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë pas një takimi online të liderëve të G7 të dielën.

Qytetarëve dhe kompanive japoneze u ndalohet gjithashtu të bëjnë investime në Rusi që do t’u siguronin atyre aksion prej 10 për qind ose më shumë.

Po ashtu ndalohet dhënia e kredive për kompanitë ruse me një afat shlyerjeje mbi një vit.

Ndërkohë, asetet e 141 personave, përfshirë kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, u ngrinë gjithashtu.

Të martën, ministri japonez i Tregtisë dhe Industrisë, Koichi Hagiuda u citua të thoshte nga agjencia e lajmeve TASS se vendi i tij planifikon të reduktojë gradualisht varësinë e tij nga importet e naftës ruse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button