Viktor Hygo dhe koncepti i lirisë

Jam duke e shijuar udhëtimin e parë në Evropën perëndimore që kur filloi pandemia Covid-19. Pas një kohe të gjatë kur aktivitetet e shumë projekteve u mbajtën online, është ndjenjë e jashtëzakonshme të kthehesh në realitetin e dikurshëm kur mund të udhëtosh lirshëm gjithandej. Para dy vitesh në këtë kohë, kur shkruaja se një ditë do të arrijmë të kthehemi në realitet dhe sërish do të vazhdojmë me aktivitetet tona të përditshme, një gjë e tillë dukej e pamundur në kushtet e orës policore dhe ndalesave të shumta. Ja pra ku erdhën edhe këto ditë kur mund të udhëtosh sërish pa maska, ku mund të hysh dhe të dalësh në shtete të ndryshme pa procedura të shumta, kur mund të jetosh lirshëm, siç ke jetuar dhe punar më parë. Pas këtyre dy viteve jeta nuk është e njejtë, dhe as ne vet nuk jemi ata që kemi qenë më parë. Kemi kaluar kohë të vështira, kemi përjetuar humbje të mëdha, kemi mësuar shumë, dhe ja ku jemi, duke vazhduar më tej, me të gjitha përjetimet tona mbi krahë.

Në kuadër të projektit Esplorado të cilin e implementojmë në partneritet me universitetin Franche Compte, vizituam qytetet Belfort dhe Besanson në Francë. Gjëja e parë që të bie në sy sa herë që udhëton nëpër Evropë është lehtësia e kalimit të kufinjve të cilat bëhen gjithnjë e më të padukshëm. Në aeroportin Bazel-Mulhouse, sapo ke dalë nga kotrolli i pasaportave, ke dy drejtime që mund të marrësh. Në njërën anë shkruan Zvicër, në anën tjetër shkuarn Francë dhe Gjermani. Një aeroport në kufi sado poetik të tingëllojë është skajshmërisht praktik dhe i qasshëm, pa shumë procedura dhe pa byrokraci të pandevojshme. Është tërësisht zgjidhja jote në cilën anë dëshiron të shkosh. Kjo njdenjë e lirisë vështirë përjetohet në Ballkan, ku edhe turistët që kanë vendosur të bëjnë një shëtitje të thjeshtë deri në shtetin fqinj, ballafaqohen me rradhë të gjata të pritjes në kufinjtë e pakuptimtë. Ballkani vazhdon të mbetet një vend që e favorizon izolimin edhe kur të njejtin mund ta evitojë përmes thjeshtësismit të procedurave të bashkëpunimit ndërkufitar.

Projekti Esplorado ka për qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes dy universiteteve lidhur me kurikulat e programeve studimore, bashkëpunimin në projekte hulumtuese shkencore si dhe vendosjen e lidhjeve mes qyteteve ku gjenden universitetet që realizojnë këtë bashkëpiunim. Kemi aq shumë për të mësuar nga universitete me renome dhe me shumë eksperiencë si Universiteti Franche Compte. I themeluar gati 600 vjet më parë, ky universitet sot është pjesë e avangardës botërore në zhvillimin e teknologjisë dhe inzhinjerisë energjetike. Grupet shkencore që punojnë në këtë universitet kanë realizuar arritje të parpërshkrueshme në mënyrat alternative të krijimit të energjisë, dhe veçanërisht në krijimin e makinave hidrogjenike, të cilat tekstualisht, në vend që të punojnë me derivatet e naftës, punojnë me ujë, duke e ndarë hidrogjenin dhe duke e përdorur në vend të lëndës djegëse për ta lëvizur makinën që duket ende më luksoze dhe ende më ekologjike se makina elektrike.

Bashkëpunimi përmes proejtkeve të përbashkëta me universitete të cilat kanë shumë më tepër eksperiencë dhe ekspertizë është një avantazh i madh për studentët tanë të cilët gjatë studimit do të përfitojnë nga eksperienca të tilla. Kështu, në kuadër të këtij projekti, studentët e universitetit tonë do të kalojnë disa javë në Francë ku do të mësojnë jo vetëm gjuhën frënge por edhe do të avansojnë dijet e tyre me arritjet më të fundit botërore në shkencat kompjutetikre. Bashkëpunimet e tilla janë bazë që rinia jonë të mund ti zgjerojë horizontet dhe të arrijë të përjetojë të njejtat arritje si edhe rinia evropiane.

Bezanson përndryshe njihet edhe si vendlindja e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo i cili citohet të ketë thënë: “Liria fillon aty ku përfundon injoranca”. Pra, vetëm njeriu i ditur mund të jetë i lirë. Në këtë kohë kur dituria është aq e kapshme dhe aq e qasshme, është mëkat të mbesim edhe më tej pre e injorancës, kur mund të jemi të lirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button