Takimi Kovaçevski – Borrell: Nevojitet zgjidhje evropiane për mosmarrëveshjen dhe zhbllokimin e negociatave

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së tij njëditore të punës në Bruksel, u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri si dhe nënkryetarin e Komisionit Evropian, Josep Borrell, transmeton Portalb.mk.

Nga qeveria njoftojnë se Kovaçevski dhe Borrell theksuan nevojën për të vepruar shpejt dhe për të arritur interesin strategjik të BE-së dhe përfitimin nga zgjerimi i BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si prioritet për sigurinë evropiane.

Në këtë drejtim, thonë nga Qeveria se u theksua që është koha për të gjetur zgjidhje dinjitoze evropiane për të zhbllokuar fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut.

Kovaçevski nga Brukseli tha se duhet hapje urgjente e negociatave për Maqedoninë e Veriut

“Këto kushte na kanë detyruar të jemi të bashkuar si kurrë më parë dhe të harmonizojmë politikat tona. Për Maqedoninë e Veriut, me Borrell do të diskutojmë nevojën për hapjen e menjëhershme të negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, sepse zgjerimi i BE-së tashmë po bëhet një çështje sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kovaçevski.

Ndryshe, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sonte ka organizuar darkë joformale me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Në një konferencë të mbajtur para këtij takimi, Borrell ka thënë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Ai përmendi edhe luftën në Ukrainë për çka kujtoi se lufta e fundit brenda kufijve të Evropës ishte në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button