RTM-ja vendosi: Andrea nuk skualifikohet nga Eurovizioni, në pikëpyetje pjesëmarrja e vendit vitin e ardhshëm

Radio Televizioni i Maqedonisë (RTM) vendosi që mos e përjashtojë nga gara përfaqësuesen e vendit në festivalin evropian të këngës “Eurovizion”, Andrea Koevskën pas veprimit të saj që hodhi flamurin shtetëror në tokë, transmeton Portalb.mk.

RTM-ja përmes një komunikate njoftoi se kanë vendosur që Andrea nesër të këndojë në gjysmëfinalen e dytë të festivalit, por theksuan se kanë shqyrtuar në detaje mundësinë për të skualifikuar Koevskën nga gara, por nuk kanë marrë vendim të tillë për shkak të dëmeve financiare që do i shkaktoheshin vendit.

“Një hap i tillë në një kohë kur kanë kaluar të gjitha afatet e tërheqjes do të shkaktonte dëme të mëdha financiare dhe sanksione të tjera që nuk duhen neglizhuar. Përkatësisht, anulimi do të rrezikonte pjesëmarrjen dhe devijimin e të drejtave televizive në të gjitha ngjarjet e tjera që Transmetuesi i Shërbimit Publik i merr si anëtar i Rrjetit Transmetues Evropian. Radiotelevizioni maqedonas do të marrë të gjitha vendimet ligjore dhe masat disiplinore pas kthimit të delegacionit tonë nga Torinoja, pasi anëtarët do të paraqesin raporte për ngjarjet e ceremonisë”, njoftuan nga RTM.

Nga atje shtuan se për shkak të imazhit negativ publik të projektit “Eurovizion”, i cili shkakton publicitet negativ në RTM, Redaksia e RTM-së po shqyrton mundësinë që vitin e ardhshëm Radio Televizioni i Maqedonisë të mos marrë më pjesë në Eurovizion.

Kujtojmë që përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në “Eurovizion”, Andrea Koevska gjatë ceremonisë zyrtare të hapjes së Eurovizionit të sivjetshëm në tapetin ngjyrë bruzi, gjuajti në tokë flamurin e Maqedonisë së Veriut. Koevska këtë veprim e bëri gjatë kohës që ishte duke u fotografuar, në mënyrë që të fotografohet edhe pa flamur. Koevska pas kësaj u përball me shumë komente negative në rrjete sociale. Pas reagimeve, Koevska nëpërmjet një video-porosie kërkoi falje, duke u arsyetuar se aktin nuk e ka bërë me qëllim të keq.

Momentin e gjuajtjes së flamurit shtetëror në tokë mund ta shihni në, 56:28:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button