Autobusët “privat” të linjës 19 nuk qarkullojnë pasi Qyteti i Shkupit nuk u ka lëshuar mjete financiare

Autobusët privat të linjës 19, të cilët qarkullojnë në kuadër të Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) nuk qarkullojnë në Shkup. Qytetarët detyrohen me kilometra të ecin për të kapur linja tjera për të arritur në destinacionin përkatës. Sipas kompanisë private “MAKEKSPRES” që menaxhon me këtë linjë, Qyteti i Shkupit nuk ua ka paguar mjetet për transport prej muajit shkurt dhe për këtë shoferët një nga një i kanë fikur autobusët në pamundësi për t’i mbuluar harxhimet, njofton Portalb.mk.

11.5 deri në 12 kilometra, është linja e gjatë e autobusit 19-të, i cili nis nga Shuto Orizare deri në Karposh ose anasjelltas. Dje, pasdite, ashtu edhe sot nuk kanë qarkulluar pasi Qyteti i Shkupit, në krye me Danella Arsovskën, nuk ua ka lëshuar mjetet financiare pronarëve të linjave.

“Autobusë falas për të gjithë qytetarët” – ishte kyeprojekti i Arsovskës, të cilin e premtoi gjatë fushatës zgjedhore, por 7 muaj pasi i ftoi zgjedhjet, sot qytetarët të cilët udhëtojnë me linjën 19-të nuk kanë mundësi të udhëtojnë, as me para.

Kjo ka shkaktuar që gjatë ditës së djeshme, në orarin kur punëtorët kthehen nga puna, por edhe nxënësit nga shkolla, me dhjetëra qytetarë të presin me orë të tëra 19-tën e cila fare nuk ka ardhur. 19-ta nuk ka ardhur as sot në mëngjes dhe qytetarët janë detyruar të ecin me kilometra në këmbë për të udhëtuar me linjë tjetër autobusi, apo të udhëtojnë me taksi, një alternativë e cila shumëfish është më e kushtueshme dhe e cila nuk është e përballueshme për xhepin e qytetarëve.

Nga kompania MAKEKSPRES thonë se pronarët e autobusëve të kësaj linje nuk qarkullojnë pasi nuk kanë mjete financiare që ta mirëmbajnë linjën.

“Nuk kanë paguar në muajin shkurt deri në fund, marsin, prillin dhe në maj. Njerëzit gjithçka që kishin rezerva i kanë harxhuar dhe një nga një fiken, pasi që jo që nuk duan, por nuk kanë. Nëse jep në shtëpi prej buxhetit, prej nga? Nuk mund të qëndrojmë financiarisht”, thonë për Portalb.mk nga MAKEKSPRES.

Nga Ndërmarrja e Transportit Publik nuk japin përgjigje për situatën në fjalë. Përgjigje nuk s’na dërguan as nga Qyteti i Shkupit, e cila ndan para nga buxheti i saj për financimin e autobusëve privat.

Me muaj të tërë qytetarët ankohen se linja 19-të nuk vjen në kohë dhe për atë krijohen rrëmuja. Këtë e konfirmojnë edhe nga “MAKEKSPRES” dhe ka ndodhur për shkak të reduktimit të autobusëve.

“Reduktimi ka filluar prej shtatorit e këndej. Gjithçka ndjehet. Mjafton një autobus të mungojë dhe krijohet rrëmujë”, thonë nga kompania.

Sipas kontrollit që Portalb.mk, ka bërë në javën e fundit, orari i linjës 19 fare nuk respektohet. Sipas orarit të publikuar në ueb-faqen e NTP-së prej orës 8 deri në orën 9-të, do të duhej të qarkullonin 8 autobusë, por në fakt kalojnë vetëm 3, apo në gjysmë orë, në 8, 8.30 dhe 9, të cilët ndonjëherë dinë edhe fare mos të vijnë.

Qytetarët ankohen se qarkullimi jo i rregullt i kësaj linje atyre u shkakton probleme në përditshmërinë e tyre, gjegjësisht shkuar-ardhje në punë, shkollë apo spital.

Traseja e linjës së autobusit me numër 19 në Shkup:

“MAKEKSPRES” menaxhon me 5 linja të autobusëve që kryejnë transport publik, gjegjësisht 19, 20, 22, 52 dhe 54.

Ata paralajmërojnë se situatë e njëjtë mund të ndodh edhe me linjat tjera, pasi nuk u janë paguar mjetet financiare.

Përndryshe, prej vitit 2016-të, autobusët privat qarkullojnë në kuadër të NTP-së. Sipas vendimit të atëhershëm të Këshillit të Qytetit të Shkupit, atyre u paguhet 61 denarë për 1 kilometër të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button