Stojanovski: 83% e qytetarëve mendojnë se dezinformatat janë problem social

Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis në interviatën për “Click Plus” në TV 21 mbrëmë foli për ngritjen e vetëdijes publike për efektet negative të dezinformatave. Ai theksoi se sipas sondazheve të reja të opinionit publik, një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë se dezinformatat janë problem serioz i shoqërisë dhe kërkojnë masa nga shteti për t’u marrë me to, përkatësisht për të kërkuar përgjegjësi nga ana e mediave, transmeton Portalb.mk.

“Mbi 83% e qytetarëve mendojnë se dezinformatat janë problem social, problem i shoqërisë sonë dhe një pjesë e tyre kërkojnë edhe intervenim nga ana e shtetit për zgjidhjen e këtij problemi. Ndër të tjera, ka kërkesa për ndryshim të kornizës ligjore, që do të mundësonte përgjegjësi më të madhe të të gjitha llojeve të mediave dhe ishte diçka krejt e re, sepse më parë këto lloj temash nuk i interesonin popullatës së përgjithshme. Ndërsa tani po shohim se ka vetëdije te qytetarët, ka edhe vetëdije që të kërkohet nga institucionet shtetërore që t’i mbrojnë së bashku me institucionet e demokracisë, e ato janë mediat”, tha Stojanovski.

Ai sqaroi edhe se qytetarët kërkojnë aplikim më të madh të standardeve profesionale gazetareske dhe gazetarët të bëjnë angazhim shumë më të madh në luftën kundër dezinformatave dhe manipulimeve.

“Një numër i madh i qytetarëve pranojnë se ka problem me përmbajtjen. Një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë se nuk mund që gjithmonë t’i dallojnë këto manipulime dhe kërkojnë ndihmë nga gazetarët. Një nga kërkesat ishte që gazetarët të zbatojnë standardet e tyre dhe të luftojnë në vijën e parë kundër dezinformatave”, tha Stojanovski.

Ai theksoi se përshtypja e një pjese të madhe të qytetarëve është se politikanët janë ndër burimet më intensive të dezinformatave, krah për krah me mediat dhe rrjetet sociale.

“Së pari janë renditur politikanët, por edhe mediat, mediat sociale, portalet, për fat të keq… Ka edhe të tjera, por 70 deri në 80 e më shumë për qind e qytetarëve e konsiderojnë këtë lloj burimi problematik, edhe pse, ne duhet të distancohemi këtu – jo të gjithë politikanët mund të konsiderohen si të tillë, gjegjësisht 80 për qind e të gjithë politikanëve, por ky është qëndrimi i njerëzve që e interpretojnë atë lloj pyetjeje në atë mënyrë që u përshtatet”, tha Stojanovski.

Ai konkludoi se gjëja më e rëndësishme nga perceptimi i qëndrimeve të publikut është se vetëdija për problemin po rritet dhe gatishmëria për të mbështetur aktivitetet që do ta zgjidhnin atë problem po rritet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button