Ndriçim publik jofunksional në disa pjesë të Tetovës, komuna në pritje të përzgjedhjes së kompanisë për kryerjen e punëve

Defektet e ndriçimit publik për çdo natë lënë në errësirë disa lagje, rrugë dhe rrugica në Komunën e Tetovës edhe pse për të njëjtin qytetarët paguajnë tatim. Ata ankohen se problemi i tillë ekziston një kohë të gjatë dhe se mungesa e ndriçimit u shkakton atyre frikë dhe pasiguri gjatë qarkullimit. Komuna premton zgjidhe të problemit, shkruan Portalb.mk.

Ndër tatimet lokale të përcaktuara me ligj, është edhe pagesa që qytetarët e Tetovës e kryejnë për ndriçimin publik. Megjithatë, disa rrugë nuk kanë ndriçim.

“(Për) shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik – paguhet taksë komunale në lartësinë e kundërvlerës prej 15 kw në orë me çmim për ndriçim publik për çdo matës për matjen e energjisë elektrike”, thuhet në ueb-faqen e Komunës së Tetovës.

Sipas çmimores së Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi për 1 kw në orë për ndriçim publik është 7.35 denarë. Pra nëse e përllogarisim, çdo amvisëri në Tetovë që ka orëmatës paguan nga 110.25 denarë në muaj vetëm për ndriçim publik.

Kryetari i Komunës së Tetovës, tha se ky është një problem i trashëguar për të cilin janë në fazën e tenderimit të ri për operatorin privat i cili do të merret me ndriçimin publik.

“Dua të potencoj që veç më kemi të trashëguar një studim fizibiliteti të më shumë se 10 viteve që çështja e ndriçimit publik të rregullohet mundësisht edhe me  partneritet privat. Kemi angazhuar po të njëjtën ndërmarrje- kompani që e ka përgatitur studimin e fizibilitetit të bëjë  përditësimin e të njëjtës. Brenda një periudhe të shkurtë jo më gjatë se një muaj do të kemi një studim fizibiliteti të përditësuar dhe në bazë të asaj do të shkojmë më tutje për zgjidhjen finale të ndriçimit publik sepse kjo paraqet shqetësim për shumë lagje të Tetovës, rrugë dhe rrugica”, tha Bilall Kasami.

Në ueb-faqen elektronike të prokurimeve publike figuron se Komuna e Tetovës ka hapur tender për ndriçimin publik me 29 prill dhe e njëjta është e hapur deri me 16 maj.

Thirrja për prokurim publik nga Komuna e Tetovës
Thirrja për prokurim publik nga Komuna e Tetovës

Kasami shtoi se për shkak të gjendjes financiare të komunës dhe ndërmarrjes me bllokimin e llogarive, në momente të caktuara nuk mund të bëjnë servisimin e nevojshëm për këtë problem.

“Duhet të analizojmë seriozisht mundësinë e dhënies me koncesion apo të bashkëpunimit me partner privat dhe kjo të zgjidhet”, tha Kasami.

Rregullimi i ndriçimit publik është edhe premtim në programin e Kasamit për qeverisjen me Tetovën, te pika e Urbanizmit, konkretisht thuhet: “Do të sigurojmë fonde nëpërmjet buxhetit të komunës dhe eko projekteve të BE-së ku çdo shtyllë e ndriçimit publik të ketë panele solare, do të kemi efikasitet në ndriçimin e qytetit dhe kosto të ulët ekonomike.

LEXO: Edhe pse e paguajnë, qytetarët e Tetovës kanë probleme me ndriçimin publik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button