PËRSËRIT AI QË HARRON…

Berlin, 9 maj 1945. Forcat e koalicionit shënojnë fitoren përfundimtare kundër Gjermanisë naziste, që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë ditë, që kremtohet si Dita e fitores kundër fashizmit, ndodhi triumfi më i rëndësishëm për botën, Europën, njerëzimin, njeriun, njerëzoren.

Në këtë datë duhet të kujtohen me nderim dhe respekt të thellë miliona njerëz të pafajshëm që vdiqën nëpër llogore mizore dhe dhoma gazi.

Në këtë datë duhet të kujtojmë se bota, që shënoi përparime të mëdha në teknikë dhe teknologji, u kthye mijëra vjet pas në planin human e moral.

Europa përjetoi kasaphana sa herë që pushuan të arrinin drejt saj sinjalet e kulturës dhe sa herë arritën vetëm sinjalet e egërsisë, dhunës, njëmendësisë.

Lufta e Dytë Botërore dëshmoi se sa të dëmshme mund të jenë ideologjitë. Sa viktima e kasaphana prodhojnë ato kur u besohet me verbëri. O turmë, makineri shkatërrimtare që krijon vetëm gërmadha!

Bota dhe Europa nuk kanë mësuar nga historia. Njerëzimi jo se jo. Kush harron, ai përsërit.

Menjëherë pas mbylljes së këtij kapitulli të errët për njerëzimin dhe Europën, Gebelsi sovjetik, Zhdanovi, foli për ndarjen e re në blloqe. Perëndimi, sipas tij, ishte në orbitën amerikane dhe Lindja në orbitën sovjetike.

Në Lindje një tjetër ideologji, ajo komuniste, shkaktoi miliona të vdekur. Hitlerizmi u pasua nga stalinizmi. Krejt çka mungoi te Hitleri ishte te Stalini. Krejt çka mungoi te Stalini ishte te Hitleri. Dy përbindësha mizorë të shekullit XX.

“Dy totalitarizmat kanë vdekur. Njëri u shkatërrua nga bombat. Tjetri nga eksplodimi i brendshëm. Por, a mund ta thotë dikush se s’do të pasojë një totalitarizëm i tretë i llojit të ri, me impulset dhe shpresën e njëjtë për një Aparat që do ta ketë të njëjtën fuqi sakralizuese dhe do të shërbejë me Idenë (e mitit që kolonizon), duke marrë të njëjtët shpirtra?”, pyet Edgar Moreni në librin Autokritika.

Moreni, i cili në rini ishte verbuar nga stalinizmi, pas kthjellimit tha se rreziku për një ideologji të re ekziston për sa kohë iluzioni, gënjeshtra dhe gabimi nuk janë mposhtur tërësisht.

Kjo datë edhe sivjet u kremtua në Moskë. U festua nga ata që e udhëheqin një luftë pushtuese kundër një shteti sovran dhe duan t’i përligjin krimet nëpërmjet propagandës se kinse kjo qenka luftë kundër nazizmit. Një paradoks që i shkojnë vargjet e poetit Miodrag Stanisavleviq, i cili, në poezinë “Në Serbi gjithçka është shtrembëruar” i ironizonte fashistët serbë që festonin fitoren kundër fashizmit: “Në Serbi gjithçka është shtrembëruar / prej një prizmi budallenjsh / fashistët festojnë / Ditën e fitores kundër fashizmit.” 

Në këtë poezi mund të zëvendësohet fjala Serbi me fjalën Rusi. Asgjë nuk dallon.

Në këtë datë, veç tjerash, duhet ta lexojmë sprovën e Umberto Eco-s mbi fashizmin e përjetshëm. Fashizmi mund të shfaqet në forma të ndryshme. Ndodh mos ta shohim. Ose i vëmë emra tjerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button