Ukraina ka bërë përparime në lindje, pezulloi dërgesat e gazit rus

Zyrtarët ukrainas thanë se kanë larguar forcat ruse nga disa zona përreth qytetit kyç të Ukrainës, Harkiv. Fshatrat Çerkaski, Tishki, Ruski Tishki, Borshçova dhe Slobozhanske tani janë nën kontrollin ukrainas, tha një zëdhënës i ushtrisë, transmeton REL.

Këto zhvillime në verilindje të Ukrainës po ndodhin, teksa operatori i gazsjellësit natyral në Ukrainë tha se të mërkurën do të pezullojë dërgesat ruse përmes një tubacioni kyç në lindje të vendit.

Operatori i gazsjellësit tha se dërgesat ruse përmes qendrës së tij Novopskov, që gjendet në një zonë të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, do të ndërpriten duke filluar nga e mërkura, më 11 maj. Po ashtu ky operator tha se kjo qendër menaxhon pothuajse një të tretën e të gjithë gazit që kalon nga Ukraina për në Evropën Perëndimore. Ndërkaq, gjiganti i gazit natyror rus, Gazprom, tha se gazi që kalon përmes këtij gazsjellësi përbën një të katërtën e gazit që shkon për në Evropën Perëndimore.

Ukraina ka vazhduar të jetë një rrugë e rëndësishme për gazin rus në Evropë edhe pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.

Operatori tha se do të ndalë transportimin e gazit për shkak të ndërhyrjeve nga “forcat pushtuese”. Ukraina tha se do të ndryshojë rrugën e dërgesave të gazit nga pika e transitit Sokranivka, zonë e kontrolluar nga forcat ruse, për në një zonë tjetër të kontrolluar nga Ukraina.

Por, zëdhënësi i Gazpromit, Sergei Kupriyanov tha se kjo do të ishte “e pamundur në aspektin teknologjik”.

Sipas të dhënave nga rrjeti i operatorëve, mëngjesin e të mërkurës nuk kishte të dhëna për transportin e gazit rus përmes pikës së transitit.

Ndërkaq, Zelenksy tha të martën se ushtria ukrainase gradualisht po largon forcat ruse nga Harkivi, ndërkaq ministri i tij i Jashtëm, Dmytro Kuleba, shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se Ukraina mund të shkojë përtej detyrimit të Rusisë që të largohet nga zonat që ka pasur nën kontroll para se të niste pushtimin më 24 shkurt.

Kuleba tha për Financial Times se fitorja fillestare do të ishte tërheqja e forcave ruse në pozicionet që kanë pushtuar para pushtimit të 24 shkurtit. Por, forcat ruse u përqendruan në rajonin lindor të Donbasit, pasi dështuan që të merrnin Kievin.

“Tani ne kemi një front të fort ushtarak dhe ne do ta fitojmë betejën për Donbasin, që do të jetë thelbësore për dinamikat e ardhshme të luftës, sigurisht do të përbënte fitore për ne dhe do të mundësonte çlirimin e territoreve të tjera tona”, tha Kuleba.

Deklaratat e Kulebas duket se reflektojnë më shumë ambiciet politike sesa realitetin në fushëbetejë: forcat ruse kanë bërë përparim në Donbas dhe kontrollojnë shumë më shumë territor sesa kontrollonin para luftës. Por, qëndresa e Ukrainës kundër ushtrisë ruse befasoi shumë zyrtarë e analistë, pasi pritej që Rusia të merrte më shpejt territor.

Një shembull i aftësisë së Ukrainës për të parandaluar Rusinë që të arrijë fitore të lehta është Mariupoli, ku luftëtarët ukrainas ende vazhdojnë të luftojnë në fabrikën e çelikut, Azovstal, duke ia pamundësuar Rusisë që ta marrë kontrollin e plotë të këtij qyteti-port. Batalioni ukrainas që gjendet në Azovstal ka thënë se avionët rusë kanë vazhduar bombardimet, duke kryer 34 sulme brenda 24 orëve.

Në ditët e fundit, Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq, kanë arritur të evakuojnë civilët e bllokuar në Azovstal. Megjithatë, zyrtarët thanë të martën se besohet se afër 100 civilë besohet se ende janë në kompleksin e tuneleve të kësaj fabrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button