fbpx

Dita 77: Ukraina ndaloi tubacionin kryesor të gazit rus për në Evropë

Ukraina ka thënë se për herë të parë që nga fillimi i luftës se do të pezullojë rrjedhën e gazit natyror përmes një pike tranziti, e cila dërgon pothuajse një të tretën e karburantit të dërguar nga Rusia në Evropë përmes Ukrainës. Kievi fajëson Moskën për lëvizjen, duke thënë se do të zhvendoste flukset diku tjetër. Edhe pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, ajo kishte mbetur rrugë kryesore tranziti për gazin rus në Evropë. Megjithatë, trupat ruse kanë marrë gazin që kalonte përmes Ukrainës dhe e kanë dërguar në zonat separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonin lindor të Donbasit, tha shefi i operatorit të rrjetit të gazit të Ukrainës GTSOU për agjencinë e lajmeve Reuters, pa dhënë prova. GTSOU thotë se ndalon dërgesat përmes rrugës Sokhranivka. Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom tha se kishte marrë njoftim nga Ukraina se do të ndalonte tranzitin e gazit në Evropë përmes interkonjeksionit Sokhranivka nga ora 07:00 me orën lokale të mërkurën. Megjithatë, Gazprom, i cili ka një monopol mbi eksportet e gazit rus me tubacion, thotë se është “teknologjikisht e pamundur” që të zhvendosen të gjitha vëllimet në pikën e ndërlidhjes Sudzha më në perëndim, siç propozoi GTSOU, transmeton Portalb.mk.

11:59 – Pse Hungaria po e bllokon embargon ndaj naftës ruse?

Derisa Bashkimi Evropian përpiqet të vendosë sanksione ndaj naftës ruse si përgjigje për luftën në Ukrainë, Hungaria është shfaqur si një nga pengesat më të mëdha për mbështetjen unanime të nevojshme nga 27 vendet anëtare të bllokut.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e kaluar propozoi ndërprerjen graduale të importeve të naftës së papërpunuar ruse brenda gjashtë muajve dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit, për të hequr Evropën nga varësia e saj nga karburantet fosile ruse dhe për të ndërprerë një burim fitimprurës që padyshim ndihmon në financimin e luftës së Rusisë.

Por, Qeveria nacionaliste e Hungarisë – një nga qeveritë më miqësoret me Moskën në BE – këmbëngul se nuk do të mbështesë asnjë sanksion që synon ndalimin eksporteve ruse të energjisë. Hungaria është shumë e varur nga nafta dhe gazi rus dhe thotë se bojkoti i naftës në BE do të ishte një “bombë bërthamore” për ekonominë e saj dhe do të shkatërronte “furnizimin e qëndrueshëm me energji”.

Von der Leyen bëri një udhëtim të papritur në kryeqytetin e Hungarisë të hënën, më 9 maj, për negociata me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në përpjekje për të shpëtuar propozimin, por ende nuk është arritur një marrëveshje.

Ja çfarë duhet të dini rreth bisedimeve dhe çfarë do të vijë më pas:

Çfarë po thotë Hungaria?

Qeveria e Hungarisë ka këmbëngulur se do të bllokojë çdo propozim sanksionesh të BE-së që përfshin energjinë ruse, duke e quajtur atë një “vijë të kuqe” që është në kundërshtim me interesat e Hungarisë. Hungaria merr 85 për qind të gazit natyror dhe më shumë se 60 për qind të naftës nga Rusia.

Orban, i konsideruar gjerësisht një nga aleatët më të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, në BE, ka mbështetur pa dëshirë sanksionet e mëparshme të BE-së ndaj Moskës, duke përfshirë një embargo ndaj qymyrit rus. Por, ai ka argumentuar se lëvizje të tilla dëmtojnë bllokun më shumë sesa Rusinë.

Që nga marrja e pushtetit në vitin 2010, Orban ka thelluar varësinë e Hungarisë nga energjia ruse dhe është shprehur se gjeografia dhe infrastruktura energjetike e saj e bëjnë të pamundur heqjen dorë nga nafta ruse.

“Ne thamë se sanksionet ndaj qymyrit janë në rregull, sepse ato nuk prekin Hungarinë; por tani me të vërtetë kemi arritur një vijë të kuqe, një vijë të dyfishtë, sepse embargoja e naftës dhe gazit do të na shkatërronte”, tha Orban në një intervistë të premten, më 6 maj.

Vendi pa dalje në det nuk ka port detar për të marrë dërgesat globale të naftës dhe duhet të mbështetet në tubacione. Plus, një program kryesor i Qeverisë hungareze për të reduktuar faturat e shërbimeve varet nga kostoja relativisht e ulët e lëndëve djegëse fosile ruse dhe është një faktor kryesor që mbështet mbështetjen e brendshme politike të Orbanit.

Shndërrimi i rafinerive dhe tubacioneve të naftës të Hungarisë për të përpunuar naftë nga burime joruse do të zgjaste pesë vjet dhe do të kërkonte një investim masiv, tha Orban. Kjo do të nxiste më tej çmimet e larta të energjisë, duke çuar në mbyllje dhe papunësi, shtoi ai.

A ka shans për kompromis?

Përveç Hungarisë, Sllovakia dhe Republika Çeke po kërkojnë prej vitesh të heqin dorë nga nafta ruse. Komisioni Evropian ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë vendet që janë veçanërisht të varura nga nafta ruse.

“Ne e pranojmë se Hungaria dhe vendet e tjera që janë pa dalje në det dhe kanë varësi të konsiderueshme energjetike nga furnizimet me naftën ruse janë në një situatë shumë specifike që kërkon që ne të gjejmë zgjidhje specifike”, tha më 10 maj zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

Mamer tha se Hungaria ka “shqetësime legjitime” në lidhje me furnizimet me naftë dhe se një ndërprerje e naftës ruse mund të përfshijë “afate kohore të diferencuara që korrespondojnë me situata të ndryshme të vendeve specifike”.

“Ky është padyshim një nga mundësitë sepse padyshim nëse po flisni për investime në përmirësimin e infrastrukturës, ju duhet kohë”, tha Mamer.

Ai nuk specifikoi se cilave vende mund t’iu ofrohet zbatimi i vonuar i një embargoje të naftës.

Në një postim në Twitter të hënën, më 9 janar, pas takimit të saj me Orbanin, Von der Leyen tha se diskutimi kishte qenë “i dobishëm për të sqaruar çështjet që lidhen me sanksionet dhe sigurinë e energjisë” dhe se ishte bërë përparim, por “duhet punë e mëtejshme”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bisedoi me Orbanin të martën, më 10 maj, për “garancitë” e nevojshme për disa shtete anëtare, si Hungaria, që “janë në një situatë shumë specifike në lidhje me furnizimet e tubacioneve nga Rusia”, tha zyra e presidentit francez.

Çfarë duhet të fitojë Hungaria?

Bllokimi i paketës së sanksioneve mund të përdoret si levë në një konflikt të veçantë midis Budapestit dhe BE-së.

Blloku ka ndaluar disa fonde për rimëkëmbjen e Hungarisë nga pandemia për shkak se ka parë masa të pamjaftueshme kundër korrupsionit dhe po ashtu ka nisur një proces për të ndaluar mbështetjen e mëtejshme për shkak të shkeljeve të parimeve të sundimit të ligjit të BE-së.

Hungaria është akuzuar për kthim prapa në raport me vlerat demokratike duke ushtruar kontroll të tepruar mbi gjyqësorin, duke mbytur lirinë e medias dhe duke mohuar të drejtat e personave të komunitetit LGBT.

Qeveria e Orban i mohon akuzat dhe argumenton se dënimet e BE-së janë të motivuara politikisht.

Por, me ekonominë e Hungarisë që përballet me inflacion të lartë dhe me një deficiti të madh buxhetor, asaj do t’i nevojiten ato para të BE-së për një rimëkëmbje ekonomike.

Derisa zyrtarët e BE-së negociojnë me Hungarinë për të fituar mbështetjen e saj për sanksionet ndaj energjisë ruse, lirimi i fondeve të mbajtura peng mund të shërbejë si një mjet pazaresh.

10:08 – Dhoma e Përfaqësuesve miratoi 40 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi pakon e re të ndihmës prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, teksa ligjvënësit përforcuan kërkesën fillestare të presidentit Joe Biden, duke sinjalizuar një përkushtim të dy partive për t’iu kundërvënë pushtimit rus të Ukrainës.

Pakoja e re kaloi me 368 vota për dhe 57 kundër, duke ofruar 7 miliardë dollarë më shumë sesa Biden kishte kërkuar në muajin prill, duke rritur ndihmën në mënyrë të barabartë për programet humanitare dhe të mbrojtjes.

Kjo paketë synon t’i ofrojë ndihmë ushtrisë ukrainase dhe ekonomisë së këtij shteti, të ndihmojë aleatët rajonalë, por edhe synon të ofrojë 5 miliardë dollarë për të adresuar mungesat e furnizimit me ushqime globale, pas krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

“Populli ukrainas ka nevojë për ne, ata kanë nevojë për ndihmën tonë në mënyrë dëshpëruese”, tha Rosa DeLauro, kryetare e Komitetit për ndarje buxhetore në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të mbahen përgjegjës. Kjo masë e bën këtë duke mbrojtur demokracinë, duke kufizuar agresionin rus dhe duke forcuar sigurinë tonë kombëtare”, shtoi ajo.

Me këtë pako të re të ndihmës, vlera që SHBA-ja ka afruar për Ukrainën arrin në pothuajse 54 miliardë dollarë. Këtu përfshihen edhe 13.6 miliardë dollarë që Kongresi miratoi si ndihmë për Kievin në mars.

Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, SHBA-ja ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës dhe ka rritur ndihmën për Kievin.

09:14 – Ukraina ka bërë përparime në lindje, pezulloi dërgesat e gazit rus

Zyrtarët ukrainas thanë se kanë larguar forcat ruse nga disa zona përreth qytetit kyç të Ukrainës, Harkiv.

Fshatrat Çerkaski, Tishki, Ruski Tishki, Borshçova dhe Slobozhanske tani janë nën kontrollin ukrainas, tha një zëdhënës i ushtrisë.

Këto zhvillime në verilindje të Ukrainës po ndodhin, teksa operatori i gazsjellësit natyral në Ukrainë tha se të mërkurën do të pezullojë dërgesat ruse përmes një tubacioni kyç në lindje të vendit.

Operatori i gazsjellësit tha se dërgesat ruse përmes qendrës së tij Novopskov, që gjendet në një zonë të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, do të ndërpriten duke filluar nga e mërkura, më 11 maj. Po ashtu ky operator tha se kjo qendër menaxhon pothuajse një të tretën e të gjithë gazit që kalon nga Ukraina për në Evropën Perëndimore. Ndërkaq, gjiganti i gazit natyror rus, Gazprom, tha se gazi që kalon përmes këtij gazsjellësi përbën një të katërtën e gazit që shkon për në Evropën Perëndimore.

Ukraina ka vazhduar të jetë një rrugë e rëndësishme për gazin rus në Evropë edhe pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.

Operatori tha se do të ndalë transportimin e gazit për shkak të ndërhyrjeve nga “forcat pushtuese”. Ukraina tha se do të ndryshojë rrugën e dërgesave të gazit nga pika e transitit Sokranivka, zonë e kontrolluar nga forcat ruse, për në një zonë tjetër të kontrolluar nga Ukraina.

Por, zëdhënësi i Gazpromit, Sergei Kupriyanov tha se kjo do të ishte “e pamundur në aspektin teknologjik”.

Sipas të dhënave nga rrjeti i operatorëve, mëngjesin e të mërkurës nuk kishte të dhëna për transportin e gazit rus përmes pikës së transitit.

Ndërkaq, Zelenksy tha të martën se ushtria ukrainase gradualisht po largon forcat ruse nga Harkivi, ndërkaq ministri i tij i Jashtëm, Dmytro Kuleba, shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se Ukraina mund të shkojë përtej detyrimit të Rusisë që të largohet nga zonat që ka pasur nën kontroll para se të niste pushtimin më 24 shkurt.

Kuleba tha për Financial Times se fitorja fillestare do të ishte tërheqja e forcave ruse në pozicionet që kanë pushtuar para pushtimit të 24 shkurtit. Por, forcat ruse u përqendruan në rajonin lindor të Donbasit, pasi dështuan që të merrnin Kievin.

“Tani ne kemi një front të fort ushtarak dhe ne do ta fitojmë betejën për Donbasin, që do të jetë thelbësore për dinamikat e ardhshme të luftës, sigurisht do të përbënte fitore për ne dhe do të mundësonte çlirimin e territoreve të tjera tona”, tha Kuleba.

Deklaratat e Kulebas duket se reflektojnë më shumë ambiciet politike sesa realitetin në fushëbetejë: forcat ruse kanë bërë përparim në Donbas dhe kontrollojnë shumë më shumë territor sesa kontrollonin para luftës. Por, qëndresa e Ukrainës kundër ushtrisë ruse befasoi shumë zyrtarë e analistë, pasi pritej që Rusia të merrte më shpejt territor.

Një shembull i aftësisë së Ukrainës për të parandaluar Rusinë që të arrijë fitore të lehta është Mariupoli, ku luftëtarët ukrainas ende vazhdojnë të luftojnë në fabrikën e çelikut, Azovstal, duke ia pamundësuar Rusisë që ta marrë kontrollin e plotë të këtij qyteti-port. Batalioni ukrainas që gjendet në Azovstal ka thënë se avionët rusë kanë vazhduar bombardimet, duke kryer 34 sulme brenda 24 orëve.

Në ditët e fundit, Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq, kanë arritur të evakuojnë civilët e bllokuar në Azovstal. Megjithatë, zyrtarët thanë të martën se besohet se afër 100 civilë besohet se ende janë në kompleksin e tuneleve të kësaj fabrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button