Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e reja

Ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e reja që i ka përfshirë në aktakuzë Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ata kërkuan përshpejtim të procesit gjyqësor dhe thanë se prej 18 muajsh janë duke u mbajtur padrejtësisht në paraburgim, raporton Koha.net.

Të pafajshëm janë deklaruar të martën katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndaj akuzave të reja të ngritura ndaj tyre më 29 prill nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët janë duke u mbajtur prej 18 muajsh në paraburgim në Hagë, u është zgjeruar aktakuza me pretendime për kryerje të krimeve të luftës edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Në seancën e Dhomave të Specializuara, gjatë së cilës e kanë deklaruar pafajësinë, ata janë paraqitur ndaras. Shumë nga ta thanë të ishte i pakuptueshëm teksti i zgjerimit të aktakuzës meqë ishin redaktuar shumë pjesë, e po kështu kërkuan shpejtim të procesit gjyqësor, pasi konsideruan se janë duke u mbajtur padrejtësisht në paraburgim.

Para gjykatësit të procedurës paraprake, i pari është paraqitur ish-presidenti Hashim Thaçi. Ai ka qenë fare i shkurtër.

“Zoti gjyqtar, e theksova edhe njëherë, amendamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj edhe nuk i kam kaptuar, por deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Vërejtje për pakuptueshmërinë e tekstit të aktakuzës ka pasur edhe avokati i tij Gregory Kehoe. Ai ka thënë se ka redaktime të shumta të emrave, vendeve e kohës, gjë që, sipas tij, është e pamundur të kuptohet drejt nga klienti i tij se për çfarë po bëhet fjalë.

Për shqetësimet e ngritura nga Thaçi dhe avokati i tij, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka dhënë një arsyetim.

“E them për publikun që ka redaktime vërtet në aktakuzë dhe ato kryesisht kanë të bëjnë me emrat e dëshmitarëve potencialë dhe viktimave potenciale dhe këto janë autorizuar prej meje në vendimin e që kam dhënë”, ka thënë gjykatësi, tek ka arsyetuar fshehjen e emrave.

Ndaj akuzave të reja të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i pafajshëm është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli. Në fjalën e tij Veseli ka kërkuar që sa më parë të fillojë procesi gjyqësor ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.

“I kam lexuar dhe kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh edhe pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.

Më i gjatë në fjalën e tij ishte ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ai përveçqë është deklaruar i pafajshëm, ka pasur edhe kërkesë të njëjtë me atë të Veselit për përshpejtim të procesit gjyqësor.

Krasniqi deklaroi se është duke u mbajtur padrejtësisht në paraburgim dhe ka konsideruar se akuzat që janë ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë ngritur mbi bazën e gënjeshtrave.

“Mua më vjen turp se pse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë, në një regjim ndër më kriminelët e pasluftës së Dytë Botërore”, ka deklaruar Krasniqi.

Pafajësinë e ka deklaruar edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Para gjyqtarit ai ka thënë se i ka lexuar në tërësi akuzat e reja për krimet në Gjilan, Budakovë e Semetisht, porse të njëjtat, sipas tij, nuk kanë të bëjnë asgjë me të.

“Natyrisht që i kam kuptuar dhe i kam lexuar, dhe e pohoj edhe një herë se nuk kam të bëj asgjë me krimet dhe akuzat e pretenduara në këtë aktakuzë”, ka thënë Selimi.

Aktakuzës së konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 ndaj katër prej ish-drejtuesve të UÇK-së, në muajin e shkuar i janë shtuar edhe disa pretendime për vrasje e tortura. Ndër të tjera, aty përmendet se të dëmtuarit ishin qytetarë të dyshuar për bashkëpunim me serbët ose përkrahës të LDK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button