RMV, Laboratori Qendror për mjedis jetësor është akredituar për pesë metoda të reja

Laboratori Qendror për mjedisin jetësor i Ministrisë së Mjedisit Jetësor është akredituar për pesë metoda të testimit të ujërave të zeza. Siç informojnë nga Ministria, akreditimi i laboratorit është zgjeruar me certifikata për pesë metoda të reja për matjen e parametrave që e përcaktojnë cilësinë e ujërave të zeza për sasinë e joneve të amonit, sulfateve, klorurit, fosforit total dhe fosfateve, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Numri i metodave të akredituara të Laboratorit Qendror është aktualisht 12, prej të cilave njëra është për zhurmën, kurse të tjerat për ujin. Vitin e kaluar laboratori u akreditua për testimin e gjashtë metodave të cilësisë së ujit pasi e mori certifikatën e sistemit të cilësisë, sipas standardit ISO 17025 për laborator të akredituar nga Instituti i Akreditimit.

Ministria bën me dije se janë në përgatitje e sipër akreditimet për metodat e testimit të cilësisë së ajrit.

“Laboratori Qendror tashmë e ka blerë instrumentin Horiba për matjen e shkarkimeve nga burimet e stacionuara, ndërkohë që është duke u zhvilluar procedura për plotësimin e personelit dhe trajnimin tij për të punuar me instrumentin, pas së cilës do të kalohet në akreditimin e metodave për emetimin e gazrave nga burimet e stacionuara”, informojnë nga Ministria.

Meta.mk tashmë ka shkruar se para blerjes së instrumentit të ri, për matjen e shkarkimeve nga burimet stacionare, Laboratori Qendror vitin e kaluar ka blerë një tjetër instrument për zbulimin dhe analizën e Karbonit të Zi në fraksionet e PM10 dhe PM2.5. Me atë instrument u mundësua analiza e përqendrimeve të metaleve të rënda në fraksionet e grimcave PM10, për të identifikuar sektorët kryesorë të ndotjes, industrisë, transportit, amvisërive dhe burimeve të tjera, në mënyrë që institucionet kompetente të kenë prioritet masat për uljen e ndotjes së ajrit.

Akreditimi i Laboratorit Qendror për matjet e shkarkimeve në ajër ishte një nga kërkesat më të shpeshta të organizatave ekologjike për të ndihmuar punën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor në dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit. Laboratori ekziston më shumë se katër dekada dhe ka qenë pjesë e Ministrisë që nga themelimi i saj në vitin 1995.

Megjithatë, siç ka shkruar Meta.mk, matjet e tij të parametrave të ndryshëm të ndotjes deri më tani nuk kanë mund të merren në konsideratë si prova të forta, sidomos në proceset gjyqësore ndaj ndotësve dhe deri më tani nuk ka qenë në funksion të Inspektoratit të Mjedisit Jetësor për dokumentimin e rasteve të ndotjes së ajrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button