fbpx

VMRO bojkoton Kuvendin, pushteti s’pranon mbajtjen e zgjedhjeve

Opozita maqedonase të martën, më 10 maj, ka nisur me bojkotin e punës së Kuvendit duke pamundësuar kështu miratimin e të gjitha ligjeve që kërkojnë dy të tretat e votave, por edhe mbajtjen e seancave të rregullta për shkak të shumicës së brishtë parlamentare, pasi nga 120 deputetë sa numëron Kuvendit, shumica ka 64, raporton REL.

Deri te bojkoti erdhi pasi kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, që drejton Lidhjen Social Demokrate, refuzoi kërkesën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, për takim liderësh në të cilën kërkohej që të caktohej data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

VMRO-ja vlerëson se Qeveria nuk ka legjitimitet dhe aftësi për të udhëhequr vendin, që sipas saj, është në gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit.

“Bllokada aktive është pasojë apo reagim ndaj veprimit të Qeverisë së Kovaçevskit, në krye me LSDM-në dhe BDI-në [Bashkimin Demokratik për Integrim], e cila nuk tregoi ndjenjën e shtetësisë dhe refuzoi çdo mundësi për dialog për çështjet më të rëndësishme në këtë vend. Epilogu i bllokadës aktive vjen pasi Kovaçevski dhe Qeveria paraprakisht refuzuan edhe dialogun në katër fusha kyçe për qytetarët, ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe politikën ndërkombëtare, me theks të veçantë bllokadën nga Bullgaria dhe si zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, deklaroi Nikolla MIcevski, kryetar i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se gjithmonë ka qenë dhe është i gatshëm të bisedojë me të gjitha partitë për të gjitha çështjet, por jo përmes kushtëzimeve, shantazheve dhe afateve kohore.

“Bisedime përmes shantazheve, me numërim të ditëve se keni edhe pesë apo katër ditë për të biseduar për një pikë të rendit të ditës, për caktimin e datës së zgjedhjeve, takim të tillë nuk mund të ketë. Qeveria dhe LSDM-ja së bashku me partitë tjera, nuk do të lejojnë që përmes bllokimit të institucioneve të bllokohet vendi. Ne kemi shumicës dhe do të vazhdojmë të qeverisim. Kërkesa e VMRO-së ka të bëjë me mbulimin e dështimeve në të gjitha komunat që i fitoi në zgjedhjet e vitit të kaluar”, tha Kovaçevski.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njëherësh zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, tha se qëllimi i opozitës, sipas tij, nuk është e ardhmja e vendit, por marrja e pushtetit.

“Opozitës nuk i intereson asgjë tjetër pos dorëheqjeve dhe zgjedhjet e parakohshme, por kjo nuk i intereson edhe qytetarëve të cilët kanë interesa të ndryshme nga ato të opozitës, e cila ka vetëm se një qëllim si të vijë në pushtet”, tha Osmani, duke akuzuar opozitës edhe për pengesa në procesin e integrimit evropian, përkatësisht në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Ndërkohë, për dallim nga VMRO-DPMNE-ja, opozita shqiptare nuk do të bllokojë punën e Kuvendit, por edhe ajo pajtohet me kërkesën e opozitës maqedonase për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, tha se Qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin pasi zgjedhja e saj nuk është bërë në zgjidhje, por është trashëgim i qeverisjes së ish-kryeministrit, Zoran Zaev.

Përveç kësaj, Sela tha se zgjedhje duhet të ketë edhe për shkak se BDI-ja, sipas tij, nuk ka përmbushur premtimin e saj kryesor për kryeministrin e parë shqiptar, por edhe për shkak të krizës së thellë ekonomike.

“Të mos flasim pastaj për krizat të cilat, më tepër se gjithçka i godasin qytetarët e këtij vendi. Prandaj janë legjitime veprimet politike të partive politike. Agjenda jonë është kjo, të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndërsa për format se si do të realizohen këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne respektojmë vendimin e çdo subjekti politik”, u shpreh Sela.

Qeveria, që drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, u formua në janar të këtij viti duke zëvendësuar Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet lokale, më 31 tetor të vitit 2021.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button