Dita 76: Raketat goditën Odesën, një i vdekur dhe pesë të lënduar

Tre shpërthime u dëgjuan rreth qytetit pak para orës 22:30 të së hënës. Autoritetet e qytetit konfirmuan se gjatë 9 majit Odesa ishte sulmuar me shtatë raketa duke përdorur avionë. Ata thanë se një person u raportua i vdekur dhe pesë të tjerë ishin dërguar me urgjencë në spital. Raketat e përdorura mund të kenë qenë të epokës sovjetike – por dëmi që ata shkaktuan ishte ende i madh. Në pamjet e postuara në internet nga ushtria ukrainase, zjarrfikësit mund të shihen duke shkelur nëpër rrënojat e asaj që dikur ishte një qendër tregtare dhe një magazinë. Kërcënimi për sigurinë globale të ushqimit u theksua nga Presidenti Zelensky në fjalimin e tij gjatë natës. Ai tha se pa eksportet e Ukrainës, dhjetëra vende do të jenë “tashmë në prag të mungesës së ushqimit” dhe se situata mund të “bëhej, sinqerisht, e frikshme”, transmeton Portalb.mk.

22:00 – Zbulimi amerikan: Rusia po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë

Lufta tre-mujore e Rusisë në Ukrainë ndodhet “në një lloj ngecjeje” dhe Presidenti rus Vladimir Putin duket se po përgatitet për një konflikt të gjatë, thanë të martën zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan. Rusia, e cila e quan sulmin “një operacion special ushtarak”, dislokoi muajin e kaluar më shumë trupa në Ukrainë, për një ofensivë të madhe në pjesën lindore të vendit, por përparimi ka qenë i ngadaltë.

Sulmi i Rusisë në ditët e para të luftës në fund të shkurtit për të marrë Kievin dështoi si pasojë e rezistencës së fortë ukrainase.

“Rusët nuk po fitojnë dhe as ukrainasit nuk po fitojnë, dhe situata është futur në një lloj ngecjeje”, tha gjeneral-lejtnanti Scott Berrier, kreu i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak, para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura.

Ai shtoi se deri më tani, 8 deri 10 gjeneralë rusë janë vrarë në luftën e përgjakshme.

Lufta ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve, ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga vendi dhe ka kthyer qytetet të tëra në gërmadha. Moska nuk ka shumë çfarë të tregojë për fitore me përjashtim të një rripi në jug dhe disa territore të vogla në lindje.

Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje rusëve të vazhdojnë betejën, gjatë një fjalimi triumfator me rastin e Ditës së Fitores ndaj nazizmit të hënën, por heshti lidhur me planet për një përshkallëzim të sulmit në Ukrainë. Perëndimi kishte parashikuar që ai mund ta përdorte fjalimin në Sheshin e Kuq, për të urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm.

Gjatë së njëjtës seancë në Senat, Drejtoresha e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Avril Haines tha se një fitore e Rusisë në rajonin e Donbasit, që shtrihet në pjesën lindore të Ukrainës, mund të mos i japë fund luftës.

“Ne vlerësojmë se presidenti Putin po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë, gjatë së cilit ai mund të synojë të arrijë qëllime përtej Donbasit”, u tha zonja Haines senatorëve.

Zonja Haines shtoi se zoti Putin po pret që vendosmëria e perëndimit të dobësohet me kalimin e kohës. Ndërsa konflikti vazhdon, janë ngritur shqetësime mbi dinamikën e tij në muajt e ardhshëm.

“Si rezultat i mospërputhjes së ambicieve që ka Putini me aftësitë ushtarake konvencionale të Rusisë në terren, në muajt e ardhshëm mund të shohim një trajektore më të paparashikueshme dhe potencialisht përshkallëzuese”, tha zonja Haines.

Armët taktike bërthamore

Shqetësimi perëndimor mbi rrezikun e një lufte bërthamore u rrit pasi zoti Putin nisi sulmin në Ukrainë, më 24 shkurt, me një fjalim gjatë të cilin ai foli mbi fuqinë bërthamore të Moskës dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për t’iu kundërvënë Rusisë: “do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj”.

Autoritetet ruse thanë muajin e kaluar se po planifikojnë që deri në vjeshtë, të dislokojnë raketat e sapotestuara balistike ndërkontinentale “Sarmat”, të cilat janë të afta për të kryer sulme bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara.

I pyetur mbi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike nga zoti Putin, zoti Berrier tha: “Tani për tani, ne nuk e shohim (një gjë të tillë)”.

Zonja Haines tha më herët se komuniteti i zbulimit beson se zoti Putin do të autorizonte përdorimin e armëve bërthamore vetëm nëse ai mendonte se kërcënohej ekzistenca e shtetit rus.

Të martën Ukraina bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë disa fshatra nën kontrollin e trupave ruse në veri dhe verilindje të Kharkivit, duke bërë përpara me një kundërofensivë që mund të sinjalizojë një ndryshim në rrjedhën e luftimeve, duke vënë në rrezik disa prej përparimeve kryesore të Rusisë.

Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Yuriy Saks, tha se forcat vendase po i shtynin forcat ruse jashtë rrezes së Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili ka qenë nën bombardime të vazhdueshme që nga fillimi i luftës.

Kundërsulmi mund të sinjalizojë një fazë të re në luftë, ndërsa Ukraina tashmë është hedhur në ofensivë pas disa javësh në të cilat Rusia ndërmori një sulm në shkallë të gjerë, por pa bërë ndonjë përparim.

Duke zmbrapsur forcat ruse që kishin marrë kontrollin e zonave në periferi të Kharkivit, ukrainasit po godasin tashmë linjat e furnizimit që mbështesin forcën kryesore sulmuese ruse në jug të vendit.

“Ata po përpiqen të frenojnë rusët duke ndërprerë linjat e furnizimit, sepse kjo ka qenë një nga dobësitë kryesore (të rusëve). Ukrainasit po i afrohen kufirit rus. Ndaj çdo përparim që rusët shënuan në ditët e para, në verilindje të Ukrainës, po e humbasin gjithnjë e më shumë”, thotë Neil Melvin i institutit të politikave mbi Rusinë, me bazë Londër.

Po sot forcat ruse goditën me raketa portin e Odesës, me sa duket për të ndërprerë rrugët e furnizmit të Ukrainës me armë.

Sipas zyrtarëve ukrainas sulmi ka ndodhur të hënën dhe raketat kanë goditur një qendër tregtare si dhe një magazinë. Një person humbi jetën dhe 5 janë plagosur.

Sipas zyrtarëve ukrainas, një pjesë e raketave kanë qënë të vjetra, të epokës sovjetike, ndërsa disa kanë qënë raketa moderne hipersonike.

Zyrtarë ukrainas, britanikë dhe amerikanë, thonë se Rusisë po i mbarojnë me shpejtësi armët me precision të lartë, duke shtuar rrezikun që të përdorë raketa të zakonshme, që mund të shkaktojnë më shumë dëme.

Që kur Presidenti Putin nuk arriti të merrte Kievin në ditët e para të luftimeve, ai e ka kthyer vëmendjen nga rajoni industrial i Donbasit në lindje dhe sipas disa ekspertëve, synimet e Moskës mund të përfshijnë edhe shkëputjen e plotë të Ukrainës nga brigjet e saj në Detin e Zi.

Kjo do t’i jepte Rusisë mundësinë të lidhej përmes tokës si me Gadishullin e Krimesë, që e aneksoi në vitin 2014, ashtu edhe me Transdnistrian, rajonin separatist të Moldavisë.

Edhe në se Rusia nuk do të arrinte ta shkëpuste Ukrainën nga Deti i Zi dhe duket, se ajo nuk i ka forcat e nevojshme për ta bërë këtë, vazhdimi i goditjes së Odesës me raketa, pasqyron rëndësinë e këtij qyteti si një pikë nevralgjike transporti.

Odesa, porti më i madh i Ukrainës, është gjithashtu pika kryesore nga eksportohet gruri dhe bllokada e Rusisë ka shkaktuar tashmë vështirësi në furnizimin global me drithëra.

13:55- Baerbock bëri thirrje për drejtësi për viktimat në Buça

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë dhe ka vizituar Buçan, qytezën në periferi të Keivit, ku forcat ruse po akuzohen se kanë kryer krime të luftës para se të tërhiqeshin në prill.

Vizita e Baerbock është vizita e parë e një anëtari të Qeverisë gjermane në Kiev, qëkur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Ajo pritet të takohet me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, më vonë gjatë ditës.

Tërheqja e trupave ruse nga Buça dhe qytete të tjera afër Kievit, zbuloi dëshmi të tmerrshme të vrasjeve brutale, torturave, varrezave masive dhe shënjestrim të civilëve gjatë luftimeve. Këto dëshmi shtuan thirrjet nga disa shtete, por edhe nga Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për hetime, për të përcaktuar nëse janë kryer krime të luftës.

“Këto viktima mund të kishim qenë ne”, tha ajo pasi vizitoi Buçën së bashku me prokurorin e përgjithshëm të Ukrainës.

Policia ukrainase ka thënë se shumica e civilëve të vrarë në Buça, u vranë me armë zjarri. Disa prej viktimave, sipas policisë, kishin duart e lidhura pas shpine.

Autoritetet ruse pretendojnë se forcat ruse nuk kanë sulmuar civilët në Ukrainë dhe kanë thënë se videot nga Buça, ku duken trupat e civilëve të shtrirë nëpër rrugë, janë të falsifikuara për të justifikuar sanksionet e reja perëndimore dhe për të penguar bisedimet e paqes.

09:26 – Rusia intensifikoi sulmet në Ukrainë

Luftime të ashpra po zhvillohen në lindje të Ukrainës, teksa qyteti-port i Odesës u godit nga sulme ajrore ruse dhe Moska rinisi sulmin ndaj fabrikës së çelikut në Mariupol, ku mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë rezistencën.

Ndërkaq, në orët e para të së martës është raportuar se janë dëgjuar sirena për sulme ajrore edhe në rajonet e tjera lindore ukrainase përfshirë Luhanskun, Harkivin dhe Dnipron.

Forcat e armatosura të Ukrainës njoftuan se në Odesa është vrarë të paktën një person dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi shtatë raketa goditën një qendër tregtare dhe një depo.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes tha se forcat ruse, të mbështetura nga tanke dhe artileri, po kryejnë “operacione sulmuese” në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, në të cilën gjenden qindra ushtarë ukrainas, që janë përballur me rrethim për muaj. Ndërkaq, civilët para disa ditësh janë evakuuar.

Rusët po tentojnë që ta shkatërrojnë një urë të përdorur për evakuime, në mënyrë që mbrojtësit ukrainas të bllokohen brenda, tha këshilltari i kryetarit të Mariupolit, Petro Andryuschenko.

“Mariupoli është pjesa më e vështirë e rajonit tonë”, tha Pavlo Kyrylenko, guvernator i rajonit të Donjeckut, ku gjendet edhe Mariupoli.

Mariupoli gjendet në mes të Gadishullit të Krimesë – që Moska e aneksoi më 2014 – dhe pjesëve lindore të Ukrainës, që janë në nën kontrollin e separatistëve pro-rusë. Marrja e kontrollit të këtij qyteti do t’i mundësonte Moskës që të krijonte një korridor tokësore mes këtyre dy zonave.

Zyrtarët në Mariupol thanë se pavarësisht evakuimeve të fundit nga Azovstali, në qytetin e Mariupolit ende ka civilë.

Sulmet ajrore në Odesa, në qytet-port në Detin e Zi, erdhën në të njëjtën ditë kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin mbajti fjalim për Ditën e Fitores apo në përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në atë fjalim ai nuk foli për planet për ndonjë përshkallëzim në Ukrainë, por forcat e tij vazhduan luftimet dhe ofensivën në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.

“Ne po luftojmë për mëmëdheun, për të ardhmen e tij, në mënyrë që askush të mos i harrojë mësimet e nxjerra nga Lufta e Dytë Botërore. Në mënyrë që në këtë botë mos të ketë vend për xhelatë dhe nazistë”, tha Putin.

Ndërkaq, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një fjalimi të hënën tha se ukrainasit do të triumfojnë.

“Në Ditën e Fitores kundër nazizmit, ne po luftojmë për një fitore të re. Rruga është e vështirë, por ne nuk kemi asnjë dyshim se do të fitojmë”, tha Zelensky.

Që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, mbi 5.5 milionë ukrainas janë larguar nga shteti, thuhet në të dhënat e Kombeve të Bashkuara.

Moska ka bërë përparime të pakta në pushtim, duke marrë nën kontroll një pjesë të vogël të territorit në jug, ndërkaq ka bërë disa përparime në lindje të Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button