Çfarë të studiojmë: ekzakte apo sociale? (I)

“Një ditë do të arrijmë që ta çlirojmë energjinë atomike.

Do të realizojmë udhëtime ndërplanetare.

Do të jetojmë më gjatë, do t’ia gjejmë ilaçin kancerit, tuberkulozit.

Por assesi s’do ta gjejmë arsyen se pse qeverisemi nga njerëz të nivelit të ulët…”

Jean Rostand

Si çdo vit, edhe këtë, në mesin e të rinjve që kryejnë shkollën e mesme dhe prindërve po mbretëron një dilemë e madhe lidhur me shkollimin e mëtutjeshëm, atë universitar. Kah të orientohemi në vijimin e mbindërtimit profesional? Çfarë të studiohet? Cilat drejtime studimore janë më të mira, më me perspektivë, më profitabile? Ku mund të bëj karrierë efektive? Në cilën fushë mund të vetërealizohem? Shkenca të buta (soft sciences), sociale, apo të rënda (hard sciences), natyrore, siç i kategorizoi në vitin 1967 sociologu i shkencës Norman W. Storer? Të studioj shkenca formale si matematika, logjika, informatika e të ngjashme apo të aplikuara? Trendi aktual është në favor të shkencave ekzakte, natyrore dhe atyre teknike e formale. Këtë pohim apo tezë e verifikojnë edhe të dhënat vendore, të Entit Shtetëror për Statistika të RMV-së: fakultete më të prefeurra për vitin akademik 2021/22 kanë qenë ato të shkencave informatike, të inxhinierisë kompjuterike (Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”), të shkencave mjekësore, drejtimi matematiko-natyror (UT), shkencat bashkëkohore dhe teknologjike (UEJL), shkencat teknike (UNT). (koha.mk) Në Kinë (2015) fusha më të preferuara kanë qenë mjekësia klinike, ekonomia dhe tregtia ndërkombëtare, shkencat dhe teknologjitë kompjuterike, gjuha dhe letërsia kineze, inxhinieria e komunikimit; në Kanada (2016) shkencat e menaxhmentit, inxhinieria e naftës dhe ajo kimike, farmacia, gjeoshkencat, inxhinieria civile; në Norvegji (2016/17) shkencat ekonomiko-administrative, mjekësia, sociologjia dhe antropologjia; në Rusi (2020) inxhinieria, teknologjia dhe shkencat teknike, shkencat kompjuterike, shkencat natyrore, matematika; në Australi (2021) biznesi, edukimi dhe puna sociale, inxhinieria, shkencat kmpjuterike, drejtësia, mjekësia; në Turqi (2021) inxhinieria e ndërtimtarisë, mjekësia, farmakologjia, inxhinieria kompjuterike, dietolgjia e të ngjashme. Marrë në përgjithësi dominon shkurtesa STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë).

Logjika e studimit të shkencave kompjuterike, mjekësisë dhe inxhinierisë qëndron në mbizotërimin aktual të konceptit të shoqërisë informatike, të një ardhmërie të supozuar mbi dominimin e inteligjencës artificiale, të kërkesës globale për mjekë në epokën e shoqërisë së medikalizuar (P. Conrad), imazhit të shkencave natyrore që na ndihmojnë ta kuptojmë botën natyrore dhe të zgjidhim probleme konkrete, nga vaksinat, te urat dhe prodhimi i ushqimeve etj. Shkencat ekzakte thuhet se bëjnë paratë, gjë që vërtetohet edhe nga listat e profesioneve më të paguara (highest paying careers), neuorkirurgu: 381.000 dollarë në vit (SHBA). Vargani i profesioneve më profitabile vazhdom me anesteziologum (331.000 $), fizikanin (255.000 $), drejtorin e sigurisë informatike (163.000 $) etj.

Po shkencat sociale, të cilat njihen edhe si shkenca human(itar)e që studiojnë jetën e njeriut dhe shoqërinë, ngjarjet, doktrinat shoqërore, kulturat, sistemet juridike dhe parametrat ekonomikë? Cili është statusi i disiplinave si sociologjia, psikologjia, filozofia, ekonomia, politologjia, marrëdhëniet ndërkombëtare, arkeologjia, antropologjia, kriminologjia, filologjia, historia, teologjia, pedagogjia e shumë të tjera? Këto disiplina janë të domosdoshme për një shoqëri të shëndoshë, për të kuptuar më mirë sjelljen, historinë dhe kulturën njerëzore. Njeriu duhet së pari ta njohë veten, frymën e vet, sociabilitetin e vet, individin, familjen, shkollën, vendin e punës, bashkësitë, kombet, qeveritë dhe mënyrat se si ato ndërveprojnë mes vete, andaj duhet studiuar edhe shkenca sociale. Pa shkenca sociale s’ka jetë shoqërore të shëndoshë. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button