Dita 75 – Ukrainasit vazhdojnë të gjejnë trupa ushtarësh rusë në zonat e çliruara

Presidenti rus Vladimir Putin mbajti fjalim për Ditën e fitores në Sheshin e kuq të Moskës duke u thënë luftëtarëve rusë se tani po luftojnë për sigurinë e Rusisë. Ai ka uruar veteranët për ditën e “fitores së madhe”. Dita e Fitores feston fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Putin në fjalimin e tij tha se “operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë – atë që Kremlini e quan pushtim – ishte një masë e nevojshme dhe “në kohë”. Ai thotë se ishte “vendimi i duhur” i një vendi të pavarur, të fortë dhe sovran, transmeton Portalb.mk.

17:39 – Ukrainasit vazhdojnë të gjejnë trupa ushtarësh rusë në zonat e çliruara

Ushtria ruse ka humbur kontrollin e disa fshatrave në rajonin e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Ndërkohë pas kthimit në këto fshatra, ushtria ukrainase po vazhdon të gjejë trupa të ushtarëve të vrarë rusë. Kievi thotë se deri tani Moska nuk është interesuar për kthimin e kufomave të ushtarëve të tyre.

Ndërsa ushtria ukrainase përparon duke çliruar fshatra të tjera në rajonin rreth Kharkivit, vazhdon gjetja e gjithnjë e më shumë trupave të ushtarëve rusë.

“Me simbole fashiste, shtetasit rusë erdhën për të shfarosur ukrainasit”, thotë një pjesëtar i ushtrisë së Ukrainës.

Madje edhe në fshatin Malaya Rohan, i çliruar para më shumë se një muaji, ushtarët ukrainas vazhdojnë të gjejnë kufoma të rusëve.

Disa prej tyre janë varrosur nga banorët e zonës, ndërsa të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në vendet ku janë vrarë.

“Në gjithë fshatin Malaya Rohan janë afërsisht 300 trupa. Ka pasur më shumë. Disa i morën me kohë. Kur po largohesha pashë që po i merrnin të paktën 15 trupa, ndërsa kishin ngelur rreth 30 tjerë. Herë pas here vijnë dhe i marrin. Por sinqerisht, do të preferoja që t’i fusnim të gjithë në një varrezë masive dhe të kursejmë energjinë e djemve tanë. Sepse rusët nuk e meritojnë të rivarrosen”, thotë Gennadiy, banor i fshatit.

“Rusët jo vetëm që duhet të largohen matanë kufirit, por edhe të bombardohen. Le ta provojnë, të jetojnë në ferrin që përjetuam ne. Ata u bënë gjëra të tmerrshme fëmijëve dhe grave. Si është e mundur? Nuk na linin të iknim. Po gjuanin drejt nesh. Mendoj se këta duhet të vdesin si qentë”, thotë Iryna Reshetnik, banore e fshatit.

Trupat e mbi 40 ushtarëve rusë, të cilët u gjetën pas betejave rreth qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv, do të ruhen në frigoriferët brenda një vagoni të trenit, derisa Rusia të kërkojë marrjen e tyre.

“Tani po presim hapat e radhës nga përfaqësues të Federatës Ruse ose urdhra nga qeveria jonë, për shkëmbimin ose ruajtjen e këtyre trupave”, thotë një ushtar ukrainas i njohur me pseudonimin “Leto”.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve ukrainas, deri tani Rusia nuk ka bërë asnjë përpjekje për tërheqjen e trupave të ushtarëve të saj.

13:50 – Zelenskyy: Është e pamundur të hysh në Mariupol me mjete ushtarake

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se është e pamundur të hysh me mjete ushtarake në qytetin e Mariupolit, i cili ishte i rrethuar nga ushtria ruse.

Agjencia kombëtare ukrainase e lajmeve Ukrinform publikoi deklaratën e Zelenskyy-t pas një takimi me kryeministrin kanadez Justin Trudeau në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës.

“Është e pamundur të hysh në Mariupol me mjete ushtarake. Është e pamundur sot”, tha Zelenskyy.

Ai tha se Ukraina nuk ka armë të rënda që do t’i mundësonin hyrjen në Mariupol me mjete ushtarake.

“Trudeau na informoi për armët që i duhen vendit tonë për të ecur më shpejt drejt fitores. Mbështetja e Kanadasë për çminimin e zonave të çliruara është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ukrainën. Ne ramë dakord të punojmë së bashku mbi zgjidhjet për rindërtimin e pasluftës”, tha Zelenskyy.

13:27 – Stoltenberg: Putin të fillojë negociatat e paqes

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës në Ukrainë menjëherë.

Duke folur për gazetën gjermane Die Welt, Stoltenberg tha se Putin duhet t’i tërheqë trupat e tij nga Ukraina dhe të fillojë negociatat e paqes.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë vend që të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg.

Komentet vijnë në ditën kur Rusia shënon Ditën e Fitores, apo atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste, më 1945.

Stoltenberg tha se Putin e ka shfrytëzuar rregullisht fjalimin e tij të 9 Majit për të përhapur gënjeshtra për Perëndimin dhe për të kritikuar NATO-n.

“Unë pres që Putini përsëri të përhapë gënjeshtra për NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij për Ditën e Fitores, Putin e uroi ushtrinë e tij dhe tha se Perëndimi ka bërë “komplote” për të kërcënuar Rusinë.

Sipas Putinit, “operacioni ushtarak” në Ukrainë ka qenë “i nevojshëm” dhe “në kohë”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.

Mijëra njerëz janë vrarë në luftime dhe miliona janë zhvendosur nga shtëpitë.

Përfaqësuesit rusë dhe ata ukrainas kanë nisur negociatat për paqe shumë shpejt pas shpërthimit të luftës, por, deri më tash, ato nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra, ekonomike dhe diplomatike, kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

09:39 – Së paku 60 njerëz të vrarë nga sulmi në një shkollë në Ukrainë

Së paku 60 persona u vranë kur një bombë goditi një shkollë në Ukrainën lindore, tha presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky.

Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai, tha se, në kohën e sulmit, 90 veta po strehoheshin në ndërtesën në qytetin Billohorivka dhe se 30 prej tyre shpëtuan.

Ai tha se një aeroplan i ushtrisë ruse ka hedhur bombën të dielën; Rusia nuk komentoi.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është “i tmerruar” nga sulmi vdekjeprurës dhe shtoi se “civilët duhet të kursehen gjithmonë në kohë lufte”.

Ditëve të fundit ka pasur luftime të ashpra në Luhansk, ku forcat ruse dhe separatistët pro-rusë po përpiqen të rrethojnë forcat qeveritare.

Pjesa më e madhe e rajonit është nën kontrollin e separatistëve tash e tetë vjet.

Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.

Mijëra njerëz janë vrarë në luftë, ndërsa rreth 6 milionë janë larguar nga Ukraina.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button