Bisedimet SASHK-MASH vazhdojnë edhe për dhjetë ditë

Sindikata për Arsim dhe Shkencë (SASHK) dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në takimin e sotëm online janë marrë vesh që bisedimet mes tyre të vazhdojnë edhe për dhjetë ditë, njofton Portalb.mk.

Siç kumtojnë nga SASHK, në takim është konkluduar nga të dyja palët për çështjen e marrëveshjes kolektive duhet periudhë më e madhe kohore se dhjetë ditë, nën ndërmjetësimin e caktuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Në dhjetë ditëshin shtesë do të duhet të caktohet përqindja për harmonizimin e pagave të të punësuarve në veprimtarinë e arsimit fillor dhe të mesëm, por edhe të definohen afatet kohore për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja kolektive.

Takimi është mbajtur në orët e pasdites nëpërmjet rrugës elektronike, në kuadër të afatit dhjetë ditëshit për bisedime në lidhje me rritjen e pagave në arsim, pas rritjes së pagës minimale në 18.000 denarë.

Ndryshe, SASHK-u mbajti grevë prej 11 deri më 28 prill, apo gjithsej 14 ditë pune, përmes së cilës kërkohej rritja e pagave prej 18.3% dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive. Pas thirrjeve dhe akuzave të vazhdueshme midis Sindikatës dhe Qeverisë, u vendos që greva të ndërpritet dhe ndërkohë negociatat të vazhdojnë, me ndërmjetësues.

Nga ana tjetër, derisa mësimdhënësit presin që t’i marrin pagat, komunat i presin autoritetet qeveritare nëse do t’u lëshojnë ose jo mjete financiare, për t’i paguar mësimdhënësit dhe edukatorët për periudhën që nxënësit nuk mbajtën mësim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button