ANALIZË: Ndërmarrjet publike, kompanitë shtetërore, komunat morën “ndihmë buxhetore” për shkak të krizës së Kovidit – por pa kritere dhe kontroll!

Edhe pse bëhej fjalë për miliona para të shpenzuara nga Buxheti për të ndihmuar kompanitë dhe qytetarët në krizën shëndetësore të Kovidit – një pjesë e mjeteve apo masave ekonomike nuk përmbanin të dhëna se si ato ishin planifikuar, përdorur, papërdorur, sa ishte masa e zbatimit, e kishte edhe mospërputhje matematikore. Ky është vetëm një nga konstatimet e Revizorit të Shtetit në lidhje me mënyrën e shpenzimit të parave të buxhetit për amortizimin e pasojave ekonomike të pandemisë së Kovidit. Dobësi serioze janë evidentuar gjatë ndarjes, por edhe në mënyrën e shpenzimit të mjeteve buxhetore për ndërmarrjet publike, ndërmarrjet shtetërore, komunat, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e ndihmës buxhetore për pagesën e rrogave në kompani…

Masat e para për Kovid-in u miratuan në vitin 2020 dhe deri më tani Qeveria ka miratuar gjashtë paketa masash – disa prej tyre janë plotësuar për shkak të pasigurisë që solli kriza shëndetësore.

Në vitin 2020 janë siguruar 292 milionë euro: 79% nga buxheti, 20% nga kreditë, 1% nga donacionet. Realizimi mbi 95% ose 277 milionë euro.

Në vitin 2020 janë siguruar mbi 276 milionë euro: 65% nga buxheti, 20% nga kreditë 15% nga donacionet.  Deri më 29.10.2021 janë realizuar 46% ose mbi 127 milionë euro.

Pjesa më e madhe e parave ose 70% janë paguar përmes Qeverisë. Ja për çfarë janë shpenzuar këto shuma milionëshe:

– 60% e mjeteve kanë përfunduar për mbështetjen e punëdhënësve për pagesën e rrogave

– 9% ka shkuar në kartelën pagesore për të gjithë personat e papunë, për të rinjtë dhe punëtorët me rrogë neto nën 15 mijë denarë në muaj;

– 9% për mbështetje financiare për kategoritë e cenueshme për konsum më të lartë

– 4% për të mbështetur bujqësinë për blerjen e rrushit dhe kultivuesit e duhanit

– 6% është mbështetje financiare për sektorin privat për tregje të reja, konkurrencë dhe modernizim

– 5% e mjeteve janë të destinuara për mbështetjen financiare të hotelierisë, turizmit, sportit dhe rekreacionit, qendrave arsimore për fëmijë, muzikantëve të estradës, artistëve të filmit.

-1% si mbështetje financiare për transportuesit ndërkombëtarë dhe transportin e udhëtarëve

– 5% e mjeteve u janë paguar shoqërive aksionare në pronësi shtetërore, ndërmarrjeve publike, njësive të vetëqeverisjes lokale, organizatave joqeveritare.

– 1% e mjeteve si mbështetje financiare për transmetuesit.

Para buxhetore për ndërmarrjet publike, komunat – pa kriter për ndarjen dhe për qëllimin e mjeteve…

Jo vetëm për sektorin privat, në kulmin e pandemisë, qeveria ndau mjete edhe për kompanitë shtetërore. Në fund të vitit 2020, si plotësim të pakos së 4-të të masave, janë paguar 17 milionë euro, nga të cilat 87% kanë përfunduar në mbështetje të sektorit publik, kështu që para buxhetore kanë marrë NTP Shkup, Salla Universale, HM Transport, SHA Qendra Tregtare e Qytetit, NP për Rrugë Shtetërore, Komuna e Haraçinës.

Gjatë ndarjes së mjeteve buxhetore për sektorin publik, revizorët konstatojnë një sërë dobësish.

“Vendimet për miratimin e mjeteve nga Buxheti për vitin 2020 nuk janë publikuar në Gazetën Zyrtare, edhe pse është detyrim ligjor, gjë që nuk ofron transparencë, mbështetja financiare është ndarë pa kritere të përcaktuara, edhe atë për sa i përket përzgjedhjes së institucioneve dhe komunave, për sa i përket shumës së mjeteve të pakthyeshme të miratuara, si dhe nuk është përcaktuar qëllimi për të cilin ato duhet të përdoren, gjë që krijon trajtim të pabarabartë të institucioneve, mungesë transparence në shpërndarjen e tyre, si dhe rrezik për përdorimin e mbështetjes financiare për qëllime të tjera” – konstatojnë revizorët dhe shtojnë se edhe pse sektori publik e ka “të ndaluar ligjërisht” ta përdorë këtë lloj të mjeteve për pagesën e rrogave, prapëseprapë për pagesën e rrogave janë përdorur gati 1,1 milionë euro.

“Kemi konstatuar se nuk është kontrolluar përdorimi i mjeteve në institucionet përfituese të ndihmës financiare, ndërsa mjetet e përdorura për qëllime të tjera nuk janë kthyer në buxhet” – thuhet në raportin “Masat ekonomike të qeverisë së RMV-së për përballimin e krizës së shkaktuar nga virusi Kovid-19”.

(Mos)transparenca e masave ekonomike…

Edhe pse Qeveria është zotuar për transparencë në shpenzimin e parave dhe ka përgatitur një Raport për zbatimin e masave – megjithatë revizori identifikon dobësi që tregojnë mungesë transparence, por edhe të kritereve gjatë ndarjes së mjeteve.

“Qeveria nuk ka vendosur evidencë të sistematizuar për secilën masë ekonomike veç e veç me të dhëna për mjetet e planifikuara, qëllimin e tyre, numrin e kompanive dhe qytetarëve për të cilët është dedikuar masa, burimin e mjeteve… Gjithashtu, për shkak të mosmbajtjes së evidencës, nuk ka të dhëna për mbështetjen financiare të dhënë për përdorues, dhe për këtë arsye nuk ka të dhëna për shumën totale të ndihmës që e ka marrë secili subjekt afarist në bazë të llojeve të ndryshme të masave ekonomike” – theksojnë revizorët.

Në muajin qershor, Qeveria e obligoi Sekretariatin e Përgjithshëm të publikojë në ueb-faqen e saj informacione për zbatimin e masave ekonomike, raporte tremujore për shumat e ndihmës, sipas kategorive të përfituesve, kushtet dhe kriteret e shpërndarjes, si dhe të dhënat për 50 përfituesit më të mëdhenj të ndihmës.

“Me inspektimin e informacionit që është në dispozicion publik, kemi konstatuar se të dhënat e përmendura nuk janë publikuar dhe as nuk janë përditësuar të dhënat në raport, gjegjësisht ai i përmban të dhënat e publikuara fillimisht me datën 28.02.2021” – theksojnë revizorët.

“Mungesa e një sistemi të integruar të evidencës për realizimin e mbështetjes financiare për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, e zvogëlon transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve kompetente në shpenzimin e mjeteve”, thuhet në raportin e revizionit.

Nga Buxheti për mbështetje direkte në pandeminë e Kovidit janë planifikuar 576 milionë euro, kurse janë shpenzuar 427 milionë euro. Nga marsi 2020 deri në fund të prillit 2021 janë miratuar gjashtë paketa masash ekonomike. Qeveria, përkatësisht institucionet kompetente u kanë dërguar përgjigje revizorëve, e cila është marrë parasysh gjatë konceptimit të raportit përfundimtar të revizionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button