Deklaratat e Putinit për Kosovën rrisin presionin mbi Serbinë, theksoi Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton REL.

Ai tha se situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ky i fundit, më 26 prill, e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.

Rusia, ashtu si edhe Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Duke iu drejtuar kombit, pasditen e së premtes, Vuçiq tha se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.

Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”.

Vuçiq tha se Serbia “po paguan çmim të lartë” edhe për faktin se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar shtetin rus, me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Fjalimi i Vuçiqit pason qëndrimin e tij në Berlin më 4 maj.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pritur në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ky i fundit ka porositur se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kurti, pas takimit, ka thënë se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit të negociatave me Serbinë”.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi”.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button