fbpx

Padia kundër Teuta Arifit dhe zyrtarëve tjerë sot arriti në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

Padia e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës në krye me Bilall Kasamin kundër Teuta Arifit, një zyrtare të afërt të saj, një gjykatësi dhe një avokati nën dyshimin se kanë keqpërdorur autoritetin dhe pozitën zyrtare duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës, sot ka arritur në Prokurori. Policia Financiare thotë se në rast se Prokuroria ju jep urdhër do veprojnë në bazë të ligjit. Arifi vendosi të hesht, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria njoftoi për Portalb.mk se rasti në fjalë sot ka mbërritur në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe do të shpërndahet për t’u punuar.

Nga Policia Finanicare thonë se për rastin në fjalë deri tani drejtoria e Policisë Financiare nuk ka marrë informacion për akte inkriminuese të kryera nga zyrtarët e përmendur.

“Nëse Drejtoria e Policisë Financiare merr urdhër apo udhëzim për veprim nga Prokurori Publik kompetent, ajo do të ndërmarrë të gjitha veprimet e parashikuara ligjërisht në përputhje me kompetencat e saj”, thanë nga Policia Financiare.

Teuta Arifi edhe sot vendosi të hesht ndaj pyetjeve të redaksisë për këtë rast.

Siç tha Kasami dje bëhet fjalë për një mosmarrëveshje për eksproprijimin e një prone nga viti 1980 në kohën kur është hapur bulevardi kryesor “Iliria” (prona ndodhet në vijën e shtëpive të fundit që janë prishur), gjatë së cilës është dashur të paguhet kompensimi në vlerën aktuale prej 50 mijë eurosh, por ato para nuk janë paguar. Rasti ka pushuar deri në vitin 2015 kur dhe është riaktivizuar dhe është dorëzuar në gjykatë. Gjykata ka vendosur në favor të pronarit që përveç parave për shpronësim (50.000 euro), e ka obliguar Komunën e Tetovës të paguajë edhe 65 milionë denarë kamatë gjobë (rreth 1 milion euro). Ndaj këtij vendimi komuna nuk ka dorëzuar ankimim. Udhëheqësia aktuale thotë se që nga marrja e mandatit kanë paguar rreth gjysmë milioni euro për kamatë.

“Dyshimi jonë është se bëhet fjalë për grup të organizuar për dëmtim të buxhetit të komunës, fillimisht gjykata nuk ka pasur vendim përfundimtar në bazë të të cilit dhe nga momenti i të cilit nis përllogaritja e kamatës. Pra në moment kur konstatohet obligimi i gjykatës me një vendim që bëhet i plotfuqishëm, konstatohet edhe obligimi për kamatë në mënyrë retroaktive që nuk ka ndodhur në historinë juridike të Maqedonisë, në Gjykatat e Maqedonisë dhe konstatohet një kamatë prej më shumë se një milion euro”, sqaroi Kasami.

Ai shtoi se nga ai moment, komuna nuk e ka ankimuar dhe bëhet i plotfuqishëm dhe nga ai moment nis përllogaritja e kamatave shtesë, të cilat në llogaritjet e reja mund të shkojë mbi 300-400 mijë euro.

Kjo lëndë sipas Kasamit e ka dëmtuar buxhetin e komunës dhe se për të njëjtin kërkojnë nga prokuroria të zgjidh rastin dhe të dëmshpërblehet komuna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button