Portreti i imamit të harruar atdhetar

Nuk  besoj të ketë të tjerë si ne shqiptarët, që vetëdijshëm fusim në harresë veprimtarë të çështjes kombëtare, personalitete të shquara të kulturës, artit dhe shkencës. Një i tillë është pa dyshim Hafiz Ali Korça – kleriku atdhetar, shkrimtari, poeti, publicisti, përkthyesi dhe pedagogu, krijimtaria e të cilit u la pas dore për dekada të tëra.

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë (1873), kurse vdiq në Kavajë (1957). Pas shkollimit fillor dhe studimeve në gjuhën turke, u inkuadrua në Levizjen kombëtare dhe u bë mësues në shkollën shqipe të djemve në Korçë. Zëri i tij i arsyeshëm dhe gjithmonë në favor të  Shqipërisë u dëgjua fuqishëm në Kongresin e Dibrës dhe atë të Elbasanit (1909), ku u vunë themelet e arsimit kombëtar. Krahas aktiviteteve si kryemifti, kreu dhe detyra të tjera të rëndësishme për shoqërinë shqiptare të kohës. Qe drejtor i Arsimit për Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën…; anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës; përkthyes kryeveprash të Orientit, si: Gjylistani dhe bostani e Saadiut dhe Rubairat e Khajamit. Me veprën Bolshevizma a çkatërrim i njerëzimit, Ali Korça u bë sfiduesi i parë shqiptar i komunizmit.

Vepra e tij është pasqyra e sakrificave që bëri për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj dhe bashkimin e trojeve të copëtuara shqiptare. Ai bën pjesë në mesin e klerikëve që luftoi hipokrizinë e osmanlinjëve dhe politikat antishqiptare. Kjo e futi në listën e të përndjekurve nga hafijet dhe mashat e pushtetit të kohës që, gjatë një udhëtimi në Stamboll, e burgosi për shkak se kishte marë me vete gazeta shqipe dhe libra të ndaluar, si: Historia e Skënderbeut apo Qerbelaja e Naim Frashërit.

Rreptësia e betejave të pakompromis të Hafiz Ali Korçës për një Atdhe të shpëtuar nga kthetrat e tjetrit ndihet në veçanti në disa prej fjalimeve të zjarrta, si ai që mbajti në Kongresin e Dibrës, më 23 korrik të vitit 1909, ku në prani të xhonturqëve kubarë, shtroi disa kërkesa të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë:

  • të rinjtë shqiptarë të mos dërgohen nga osmanët për të lënë eshtrat në shkterëtirat arabe;
  • të lirohen nga burgjet të gjithë të burgosurit shqiptarët “reaksionarë” dhe
  • të hapen pa vonesë në gjithë Shqipërinë shkollat shqipe.

Gjatë arsyetimit të kërkesës së fundit, ai mes tjerash tha: …Fqinjët tanë nga an e arsimit kanë arrirë shkallën më të lartë, e na, për fat të keq, kemi mbetur si populli i Afrikës së mesme. Kur  në Shqipëri tërë gjuhët mësohen, përse të mos mësohet edhe gjuha jonë?

Ndër kërkesat tjera të H. A. Korçës qenë dhe këto:

  • të hapet një shkollë pedagogjike që do të përgatisë kuadrin mësimdhënës të shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe;
  • të hapen edhe shkolla te mesme profesionale (të zanateve të ndryshme);
  • të hapet fakulteti i shkencave dhe shumë kërkesa të tjera të padëgjuara më parë nga veshët e xhonturqve.

Betejë më vete qe dhe ajo që Hafiz Ali Korça bëri për alfabetin latin të shqipes, duke ua bërë me dije mallkuesve të ABC-së se shkronjat që kemi pranuar janë vegla me të cilat shkruhet gjuha jonë. Kjo nuk do të thotë se ne i urrejmë shkronjat arabe me të cilat e mësojmë Kur’anin. Por meqë statuti shtetëror për të kënduar gjuhën e mëmës po na len të lirë, atëherë me gëzim të madh do të këndojmë gjuhën tonë me këto shkronjat e saja sa asnjë fuqi nuk mund të na i ndalojë… Shkronjat e një gjuhe nuk kanë të bëjnë as me fenë as me halifenë. Shkronjat janë vegla: s’jane as mumin, as qafir…

Kulmi i veprimtarisë së tij atdhetare qe formimi i një çete kryengritësish në Devoll, pas vrasjes mizore të Haxhi Zekës, organizatorit të kryengritjes antiosmane në Kosovë (1884-1885), nga dora e renegatit serb Adem Zajmi, për çka shkroi dhe bashkëluftëtari i H. A. Korçës Mihal Grameno: Shumë u larguan nga frika, po Orhani me Vani Kosturin, Thimi Markon, Petro Ninin, Hafëz Alinë e ca pak të tjerë, qëndruan burërisht kur më 1903 qeveria turke duke dëshiruar ta çfarosë lëvizjen shqiptare i burgosi dhe lidhur i dërgoi në Stamboll ku u dënuan për tradhëtinë e mbretërisë…

Ky është në vija te trasha portreti i shkurtër i Hafiz Ali Korçës – njërit ndër 2-3 imamët më eruditë dhe më të respektuar shqiptarë, i cili nuk e identifikoi fenë me pushtuesit, ndaj (këtë e thonë studiuesit e jetës dhe veprave të tij) më tepër i interesonte e ardhmja e Atdheut  se shpërbërja e perandorisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button