AI: Rusia duhet të përballet me drejtësinë për krimet e luftës në Ukrainë

Organizata Amnesty International tha se ka dokumentuar krime të shumta lufte të kryera nga forcat ruse në komunitetet përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, përfshirë edhe ekzekutime arbitrare, bombardime të zonave të banuara dhe raste të torturës, transmeton REL.

“Llojet e krimeve të kryera nga forcat ruse që ne kemi dokumentuar përfshijnë edhe sulme të paligjshme dhe vrasje të qëllimshme të civilëve”, tha sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard.

“Është thelbësore që personat përgjegjës, përfshirë zinxhirin komandues, të dalin para drejtësisë”, shtoi ajo.

Amnesty International tha se ka mbledhur të dhëna dhe dëshmi në tetë qytete pranë Kievit, përfshirë edhe në Buça.

Pasi forcat ruse u tërhoqën nga Buça në muajin prill, në rrugët e kësaj qyteze u gjetën trupa të pajetë, shumica e të cilëve kishin duart e lidhura pas shpine. Po ashtu në Buça u zbuluan varreza masive.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksandr Pavlyuk, tha se të paktën trupat e 1,235 civilëve janë gjetur në këtë rajon.

Në raportin e Amnesty International përshkruhet vrasja në Buça e Yevhen Petrashenko, 53 vjeç, i cili ishte qëlluar për vdekje në kuzhinën e tij, teksa gruaja dhe fëmijët e tij ishin fshehur në bodrum. Ushtria ruse kishte lejuar gruan e tij, Tatiana, që të hynte në banesë, ku ajo gjeti trupin e pajetë të burrit të saj.

“Yevhen u gjet i vdekur në kuzhinë. Ai ishte qëlluar në shpinë. Trupi i pajetë i tij qëndroi në banesë deri më 10 mars, kur ne ishim në gjendje ta varrosnim në oborrin tonë”, citohet të ketë thënë Tatiana.

Në raportin e kësaj organizate është dokumentuar edhe vrasja e Leonid Bodnarchuk, 44 vjeç, i cili ishte duke ngjitur shkallët në momentin kur forcat ruse sulmuan me granatë.

Sipas Amnesty International ekzekutimet në Buça janë kryer nga pushkë të specializuara që përdoren nga disa njësi elite ruse.

Hulumtimi i Amnesty International po ashtu ka përshkruar bombardimet në qytetin e Borodijankës, ku të paktën 40 persona janë vrarë nga bombardimet që kanë shkatërruar tetë ndërtesa banimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button