Kovaçevski për opozitën: Bojkoti është në dëm të qytetarëve, nuk pranoj takim nën shantazhe dhe kërcënime

Nëse bëhet fjalë për avancimin e zgjidhjeve ligjore dhe problemeve të qytetarëve, përmirësimin e standardit të qytetarëve, të mirëseardhura janë të gjitha mendimet nga çdo parti politike, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në pyetjen se në çfarë kushtesh do të bisedonte me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i cili kërkoi takim liderësh me Kovaçevskin, por të diskutohet për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, transmeton Portalb.mk.

“Gjithmonë ka vend për debat dhe avancim të një sërë zgjidhjesh ligjore dhe kjo është rruga e diskutimit dhe debatit demokratik, por shantazhi – ose kjo do të diskutohet oe s’ka, dhe kërcënimet e tipit keni kaq ditë – nuk mundet”, tha Kovaçevski në një intervistë për TV 21.

Ai thotë se debati ekziston edhe sot në komisione, grupe parlamentare, ekspertë të fushave të ndryshme dhe se si zëvendësministër i Financave dhe si kryeministër është gjithmonë në dispozicion të të gjithë drejtuesve të institucioneve, pavarësisht se cilës parti politike i përkasin.

“Kam komunikim me BNJVL-në dhe kryetarët e komunave munden nëse kanë sfidë apo kanë nevojë për zgjidhje të ndonjë problemi ndërmjet Qeverisë dhe Komunës. Është komunikim normal, por kur një takim kushtëzohet vetëm me një kërkesë pa diskutuar për sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi – kriza ekonomike, energjetike dhe e sigurisë, nuk mund të diskutohet vetëm për një temë”, shtoi Kovaçevski.

Ai hodhi poshtë idenë për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se zgjedhjet do të mbahen në terminin e rregullt.

“Nëse ai mendon se kjo është koha e mentorit të tij kur organizuan zgjedhje në dy vite, ky nuk është më një shtet i robëruar dhe nuk do të kthehet më në atë kohë. Nuk mendoj se dikush në koalicionin qeverisës ka frikë nga zgjedhjet e parakohshme, por se opozita ka frikë nga zgjedhjet e rregullta në vitin 2024, sepse kanë fituar besimin për të udhëhequr një numër dominues të komunave dhe ne e shohim se si është performanca. Ja shembull është Shkupi”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski thotë se kanë shumicë stabile dhe Qeveri dhe zgjedhje të rregullta do të ketë në vitin 2024 dhe opozita, siç thotë ai, duhet të tregojë se si i menaxhon komunat për të cilat qytetarët kanë dhënë mandat për t’i menaxhuar.

Bojkoti në dëm të qytetarëve

Kovaçevski theksoi se shpallja e bllokadës nga opozita nuk është diçka e re dhe se në Kuvend janë bllokuar dhjetëra ligje kyçe për qytetarët – si ligji për ARM-në, Qendrën Klinike, projektet e financuara nga Banka Botërore dhe kujtoi për mënyrën e zbatimit të masave antir krizë.

“Nuk ka debat, praktikisht e gjithë procedura është zvarritur dhe gjithçka është bërë në të njëjtën mënyrë si tani”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se ajo që po bën kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është gjëja më e papërgjegjshme që mund të bëjë dikush gjatë krizës më të madhe ekonomike, energjetike, shëndetësore dhe ushtarake në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

“Në kushtet kur çmimet e energjisë po rriten, kur çmimet e ushqimeve po rriten dhe në kushte kur në Evropë të gjitha subjektet politike janë bashkuar për të gjetur mënyra për të ruajtur standardet e jetesës, Mickoski vazhdon me bllokada”, tha Kovaçevski, duke shtuar se sjellja e Mickoskit është e papërgjegjshme dhe po bën mobing ndaj deputetëve, të cilët zgjidhen nga qytetarët, jo nga partia.

“Ky bojkot aktiv, siç e quajnë ata, nuk do të dëmtojë as Qeverinë, as Kuvendin, por do të dëmtojë qytetarët. Duhet të bëhen zgjidhje të shpejta për të përballuar krizën, jo për të bllokuar dhe bojkotuar”, tha Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button