Transporti publik në Tetovë rifillon këtë muaj, premtoi Kasami

Afatet për rilëshimin në funksion të autobusëve të transportit publik në Tetovë vazhdimisht po shtyhen. Kryetari i Komunës së Tetovës për Portalb.mk dha afat të ri. Sipas tij autobusët do të vendosen në funksion brenda këtij muaji. Ndërsa autobusët ka pesë muaj që po “flenë” në parking.

“Te transporti publik ne veç më kemi bërë një dinamikë. Ka kaluar procedura e tenderimit për punësimin e përkohshëm të punëtorëve aty, ndërmarrja duhet edhe leje të merr nga sektori për veprimtari komunale për transport të udhëtarëve. Besoj brenda majit të përmbyllen këto procedura dhe ashtu si e kërkon ligji ndërmarrja të vendoset në funksion”, tha Kasami.

Autoritetet komunale kanë paralajmëruar edhe rritje të çmimit të biletave nga se ishin paraprakisht, kjo si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, por kjo sipas tyre ngelet të vendoset më tutje.

Në seancën e nëntë të Këshillit të Komunës së Tetovës, këshilli votoi propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për transportin komunal dhe linjave të udhëtarëve në Komunën e Tetovës si dhe propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e lokacioneve për vendqëndrimet dhe vend-kthimet e autobusëve në territorin e Komunës së Tetovës.

Autobusët që nga dhjetori i vitit të kaluar ndaluan së funksionuari dhe qëndrojnë të parkuar, sipas autoriteteve komunale ato do lëshohen në përdorim kur të rregullohen të gjitha punët në ndërmarrje.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të gushitit të vitit të kaluar. Gjatë kësaj kohe ata disa herë ndaluan së funksionuari dhe u rikthyen prapë. Autobusët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button