Dita 72: Mijëra fëmijëve të traumatizuar në Ukrainë u duhet ndihmë

Ukraina ka thënë se pothuajse 500 civilë të tjerë janë evakuuar nga qyteti juglindor i Mariupolit, duke përfshirë disa njerëz nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal, ku trupat ukrainase po bëjnë rezistencën e fundit kundër forcave ruse, teksa këta të fundit po tentojnë që ta marrin kontrollin e plotë të qytetit. Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, e quajti evakuimin “një operacion kompleks” dhe tha se Ukraina do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të “shpëtuar të gjithë civilët dhe ushtrinë”. Ai falënderoi OKB-në për ndihmën e dhënë, e cila po organizon një tjetër evakuim nga Mariupoli të premten, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres. “Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i nxjerrë njerëzit nga këto pamje ferri”, tha ai. OKB-ja tha se ofron mbështetje, duke përfshirë mbështetjen psikologjike, për të mbijetuarit që po evakuoheshin nga qyteti jugor, transmeton Portalb.mk.

21:00- Evakuohen disa civilë nga fabrika Azovstal

Ukraina ka thënë se 50 civilë janë evakuuar nga fabrika e çelikut, Azovstal, në Mariupol, të premten, 6 maj, duke akuzuar Rusinë se ka shkelur armëpushimin, përmes së cilit mundësohej largimi i personave të bllokuar në këtë objekt për javë të tëra.

Mariupoli është përballur me bombardimet më të rënda prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe fabrika Azovstal është pjesë e vetme e qytetit që ende kontrollohet nga forcat ukrainase.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Rusia ka shtuar sulmet në Azovstal me shpresë që ta marrë kontrollin e fabrikës deri të hënën, kur Moska të përkujtojë fitoren e Rusisë ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Evakuimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara për qindra civilë, që janë strehuar në tunelet ë fabrikës, kanë nisur në fundjavën e kaluar, mirëpo janë penguar vazhdimisht nga rinisja e luftimeve.

Në pasditen e së premtes, 50 gra, fëmijë dhe të moshuar janë larguar nga fabrika, ka thënë zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, duke shtuar se operacioni i evakuimit do të vazhdojë të shtunën.

Ajo ka thënë se pala ruse ka shkelur vazhdimisht armëpushimin, duke e ngadalësuar procesin e evakuimit.

Rusia ka konfirmuar numrin e personave të dhe ka thënë se përpjekjet për të shpëtuar të tjerët do të vazhdojnë të shtunën.

Autoritetet e qytetit kanë thënë se 200 njerëz janë të bllokuar në fabrikë me pak ushqim me ujë.

20:00- UNICEF: Mijëra fëmijëve të traumatizuar në Ukrainë u duhet ndihmë

Mijëra fëmijë në Ukrainë kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike, marrë parasysh përvojat traumatike të luftës, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, 4,000 deri në 6,000 profesionistë për psikologji të fëmijëve janë ende në këtë shtet, dhe duhet bërë gjithçka për të siguruar pagat e tyre dhe për t’i mbështetur në mënyrë që të vazhdojnë punë e rëndësishme, ka thënë eksperti i UNICEF-it, Aaron Greenberg.

Ai ka bërë këto deklarata nga Lvivi, qytet në perëndim të Ukrainës.

Rreth 91,000 fëmijë dhe të rinj, që veçse kanë qenë në qendra kujdesi para pushtimit rus në Ukrainë, kanë nevojë për vëmendje të posaçme, ka shtuar ai.

Shumë prej këtyre fëmijëve janë nëpër jetimore dhe qendra për fëmijë me nevoja të veçanta, derisa rreth 35,000 janë kthyer te familjet e tyre pas nisjes së luftës, por ende kanë nevojë për mbështetje.

Sipas tij, 56 ekipe mobile janë duke udhëtuar brenda shtetit për të ofruar kujdes për fëmijët dhe familjet e tyre që kanë përjetuar traumë, përfshirë dhunë seksuale.

15:00 – Rusia thotë se nuk do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë

Rusia nuk do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Alexei Zaitsev.

Zaitsev tha për gazetarët të premten se përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia nuk përkon me qëllimet e Moskës në pushtimin e Ukrainës..

“[Armët bërthamore] nuk mund të përdoren për realizimin e qëllimeve, që janë përcaktuar në kornizën e operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainë”, tha ai, transmeton REL.

Zaitsev tha se sipas doktrinës bërthamore të Rusisë, këto lloje armësh mund të përdoren vetëm nëse rrezikohet ekzistenca e shtetit.

Zyrtarët perëndimorë publikisht kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore në pushtimin rus të Ukrainës.

Kremlini ka thënë se deklaratat e zyrtarëve perëndimorë për këtë çështje rrezikojnë përshkallëzimin e situatës, edhe pse presidenti rus, Vladimir Putin, pak kohë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, urdhëroi që forcat bërthamore të vendit të vihen në gatishmëri të lartë.

13:00 – AI: Rusia duhet të përballet me drejtësinë për krimet e luftës në Ukrainë

Organizata Amnesty International tha se ka dokumentuar krime të shumta lufte të kryera nga forcat ruse në komunitetet përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, përfshirë edhe ekzekutime arbitrare, bombardime të zonave të banuara dhe raste të torturës.

“Llojet e krimeve të kryera nga forcat ruse që ne kemi dokumentuar përfshijnë edhe sulme të paligjshme dhe vrasje të qëllimshme të civilëve”, tha sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard.

“Është thelbësore që personat përgjegjës, përfshirë zinxhirin komandues, të dalin para drejtësisë”, shtoi ajo.

Amnesty International tha se ka mbledhur të dhëna dhe dëshmi në tetë qytete pranë Kievit, përfshirë edhe në Buça.

Pasi forcat ruse u tërhoqën nga Buça në muajin prill, në rrugët e kësaj qyteze u gjetën trupa të pajetë, shumica e të cilëve kishin duart e lidhura pas shpine. Po ashtu në Buça u zbuluan varreza masive.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksandr Pavlyuk, tha se të paktën trupat e 1,235 civilëve janë gjetur në këtë rajon.

Në raportin e Amnesty International përshkruhet vrasja në Buça e Yevhen Petrashenko, 53 vjeç, i cili ishte qëlluar për vdekje në kuzhinën e tij, teksa gruaja dhe fëmijët e tij ishin fshehur në bodrum. Ushtria ruse kishte lejuar gruan e tij, Tatiana, që të hynte në banesë, ku ajo gjeti trupin e pajetë të burrit të saj.

“Yevhen u gjet i vdekur në kuzhinë. Ai ishte qëlluar në shpinë. Trupi i pajetë i tij qëndroi në banesë deri më 10 mars, kur ne ishim në gjendje ta varrosnim në oborrin tonë”, citohet të ketë thënë Tatiana.

Në raportin e kësaj organizate është dokumentuar edhe vrasja e Leonid Bodnarchuk, 44 vjeç, i cili ishte duke ngjitur shkallët në momentin kur forcat ruse sulmuan me granatë.

Sipas Amnesty International ekzekutimet në Buça janë kryer nga pushkë të specializuara që përdoren nga disa njësi elite ruse.

Hulumtimi i Amnesty International po ashtu ka përshkruar bombardimet në qytetin e Borodijankës, ku të paktën 40 persona janë vrarë nga bombardimet që kanë shkatërruar tetë ndërtesa banimi.

11:10 – OKB: Çmimet botërore të ushqimit shënuan rënie të lehtë

Çmimet botërore të ushqimit kanë shënuar rënie të lehtë gjatë prillit pasi në mars shënuan nivele rekorde, tha të premten agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara.

Në indeksin e çmimeve të ushqimit të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë, që ndjek të gjitha trendet globale të çmimeve ushqimore, niveli i çmimeve në prill arriti në 158.5 pikë, krahasuar me 159.7 pikë sa ishte në mars.

“Kjo rënie e vogël në indeks është një lehtësim i mirëpritur, veçmas për shtetet me të ardhura të ulëta e që kanë deficit ushqimor. Por, çmimet e ushqimit vazhdojnë të jenë afër shifrave rekorde të regjistruara së fundmi dhe kjo reflekton shtrëngimin e vazhdueshëm të tregut dhe paraqet sfidë për sigurinë globale të ushqimit për kategoritë më të ndjeshme”, tha Maximo Teroro Cullen nga kjo organizatë.

Edhe pse është shënuar rënie e çmimeve, nëse krahasohen shifrat me prillin e kaluar, atëherë i bie që çmimet botërore të ushqimit janë 29.8 për qind më të larta, teksa janë rritur shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në tregjet botërore pushtimi rus i Ukrainës.

Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë po ashtu parashikoi se prodhimi i grurit më 2022 do të jetë 782 milionë tonë, që është një parashikim më i ulët sa kishte qenë paraprakisht.

Parashikimet e reja për rënie të prodhimit të grurit janë bërë duke pasur për bazë gjendjen në Ukrainë, pasi në këtë shtet pritet të ketë 20 për qind më pak sipërfaqe të korrur.

 

10:46 – Orban: Hungaria nuk mund të mbështesë sanksionet e reja të BE-së kundër Rusisë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se shteti i tij nuk mund të mbështesë paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, në formën që janë prezantuar, përfshirë edhe embargon ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse.

Në një intervistë për radion shtetërore hungareze, Orban tha se propozimi i Komisionit Evropian do të përbënte një “bombë bërthamore” të lëshuar mbi ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria është e gatshme për negociata nëse sheh një propozim të ri, që do t’i përshtatej interesave të Budapestit.

Më 4 maj, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në propozim përfshihet heqja dorë nga furnizimet me naftën e papërpunuar ruse brenda gjashtë muajsh, ndërkaq nga produktet e rafinuara deri në fund të vitit.

Kjo pako e gjashtë e sanksioneve të bllokut evropian, në mënyrë që të hyjë në fuqi, kërkon miratimin unanim të 27 shteteve të BE-së.

10:41 – Mediat raportojnë se SHBA-ja ofroi inteligjencë që ndihmoi në fundosjen e luftanijes ruse

Mediat kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar inteligjencë që ka ndihmuar Ukrainën të fundosë luftanijen ruse, Moskva muajin e kaluar.

Këto raportime nga New York Times dhe NBC News, vijnë pas raportimeve të tjera nga mediat në SHBA që thanë se autoritetet amerikane kanë ofruar informacione të inteligjencës për ushtrinë ukrainase për të shënjestruar gjeneralët rusë në fushëbetejë.

Deri më tani është konfirmuar vrasja e tetë gjeneralëve rusë gjatë luftimeve në Ukrainë.

Këto raportime mediave shtuan frikën se Uashingtoni po ndihmonte në përshkallëzimin e luftës dhe mund të provokonte një përgjigje më të fuqishme nga Moska, për shembull një shënjestrim të mundshëm të konvojeve që furnizojnë forcat ukrainase me armatim të NATO-s.

NBC News raportoi më 5 maj se SHBA-ja kishte ndihmuar në lokalizimin e Moskvas në Detin e Zi, me kërkesë të ushtrisë ukrainase. Por, sipas The Washington Post dhe Times, Qeveria amerikane nuk kishte njohuri për planet e Ukrainës.

Luftanija Moskva u fundos në mes të muajit prill, pasi besohet se u godit nga dy raketa ukrainase. Moska ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në bordin e kësaj anije ka shpërthyer zjarr.

Kremlini ende nuk e ka pranuar publikisht fundosjen e luftanijes Moskva, që ka rezultuar me një numër të panjohur të marinsave të vrarë ose të zhdukur.

Më 4 maj, Times raportoi se zyrtarët amerikanë u kanë ofruar detaje autoriteteve ukrainase mbi shtabin mobil të ushtrisë ruse. Forcat ukrainase më pas e kanë përdorur atë informacion për të shënjestruar oficerët rusë.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se është e vërtetë që SHBA-ja ofron inteligjencë ushtarake forcave të Kievit. Por, ai tha më 5 maj:

“Ne nuk u ofrojmë inteligjencë për vendndodhjen e udhëheqësve të lartë ushtarakë në fushëbeteja dhe nuk marrim pjesë në vendimet e ushtrisë ukrainase se kë ajo synon ta shënjestrojë”.

09:23 – Përpjekje e re për evakuimin e civilëve mes luftimeve të ashpra në Mariupol

Forcat ruse kanë rinisur sulmin e tyre në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, duke përdorur avionët për të sulmuar luftëtarët ukrainas që gjenden brenda kësaj fabrike.

Vlerësohet se 2,000 ushtarë ukrainas dhe qindra civilë vazhdojnë të jenë brenda Azovstalit, teksa Kombet e Bashkuara thanë se kanë nisur përpjekjet e radhës për evakuimin e civilëve.

“Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që të mundemi që të nxjerrim njerëzit nga ky ferr”, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 6 maj se forcat ruse po sulmojnë përmes ajrit fabrikën e çelikut në Mariupolin e shkatërruar.

“Ka shumë të plagosur, por ata nuk do të dorëzohen”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një adresimi mbrëmjen e së enjtes. “Ata po mbajnë pozicionet e tyre”, shtoi ai.

Mariupoli është shndërruar në gërmadhë pas sulmeve të vazhdueshme ruse. Ndërkaq, në fabrikën e Azovstalit, trupat ukrainase po bëjnë rezistencën e fundit kundër forcave ruse, teksa këta të fundit po tentojnë që ta marrin kontrollin e plotë të qytetit.

Luftimet në Azovstal vijnë teksa Rusia vazhdon ofensivën e saj në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, por nuk raportohet se ka bërë ndonjë përparim të madh, pasi forcat ukrainase kanë bllokuar disa lëvizje ruse dhe madje kanë rimarrë kontrollin e disa pjesëve të territoreve.

Luftimet në fabrikën e çelikut në Mariupol vijnë në mes të spekulimeve se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron një fitore në Ukrainë që do të mund ta përdorë gjatë 9 Majit, kur Rusia shënon Ditën e Fitores – përvjetorin e mposhtjes së Gjermanisë Naziste.

“Rinisja e përpjekjeve nga Rusia për të marrë Azovstalin dhe për të marrë plotësisht Mariupolin ka të ngjarë që është e lidhur me festimet për Ditën e Fitores dhe për dëshirën e Putinit që të ketë një sukses simbolik në Ukrainë”, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë më 6 maj.

“Këto përpjekje kanë kosto për Rusinë, si në aspektin e personelit, pajisjeve dhe municioneve. Rezistenca ukrainase vazhdon në Azovstal, humbjet ruse vazhdojnë të rriten si dhe frustrimi i tyre për planet operacionale në Donbas”, tha kjo ministri.

Humbja e Mariupolit do ta shkëpuste Ukrainën nga një port i rëndësishëm në Detin e Azovit. Po ashtu, do t’i jepte Rusisë mundësinë që të krijonte një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë.

Ndërkaq, ukrainasit që gjenden në bunkerët në Azovstal, përmes videove dhe fotografive të postuara në rrjetet sociale, kanë kërkuar ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

Ushtarët “po vdesin në agoni nga mungesa e trajtimit të duhur”, tha kapiteni Sviatoslav Palamar, që është zëvendëskomandant i Batalionit Azov, që gjendet në Azovstal. Ai kërkoi ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për të evakuuar civilët dhe luftëtarët e plagosur.

Kombet e Bashkuara njoftuan më 5 maj se do të kryejnë edhe një operacion për evakuimin e civilëve.

“Operacioni i tretë është duke u zhvilluar, por politika jonë është që të mos japim asnjë detaj para se të kryhet operacioni, me qëllim që të mos e dëmtojmë procesin”, tha Guterres.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se përpjekja për evakuim është paraparë të zhvillohet më 6 maj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button