Gjermania sinjalizoi përfshirje më të madhe në dialogun Kosovë-Serbi

Një përfshirje më e madhe e Gjermanisë dhe e Francës, nga radhët e Bashkimit Evropian, do të mund t’i çonte përpara gjërat në dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka mbushur mbi dhjetë vjet, transmeton REL.

Të mërkurën e 4 majit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se marrëveshja përfundimtare midis dy vendeve do të duhet të përfshijë njohjen e dyanshme.

Qëndrim zyrtar i Serbisë është se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, ndërsa, sipas Kosovës, dialogu nuk ka kuptim nëse nuk përfundon me njohje reciproke.

Procesi i negociatave mes tyre ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Aktualisht, përfaqësues i BE-së është diplomati sllovak, Mirosllav Lajçak.

Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, thotë se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm me ndërmjetësim të BE-së dhe pa përfshirje më të madhe të Gjermanisë dhe Francës, është e pamundur.

Vetëm këto dy vende, sipas tij, mund t’i shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje që do të përfshinte njohjen.

“… sepse [Gjermania dhe Franca] janë shtetet që mbajnë barrën më të madhe brenda BE-së. Pa to, është vështirë që me disa zyrtarë të shteteve të tjera, si zoti Mirosllav Lajçak, të presim marrëveshje”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Agon Maliqit, analist politik në Prishtinë, deklarata e kancelarit gjerman sinjalizon një përfshirje më të madhe të Gjermanisë në bisedimet Kosovë-Serbi.

Ai thotë se ajo është pozitive dhe se është e fokusuar te kërkesa kryesore e Kosovës, por, shton Maliqi, nuk jep asnjë lloj garancie se procesi po shkon drejt përmbylljes.

“Është herët… Unë besoj se kjo do të matet me vendimet dhe hapat që do t’i marrin palët në takimet e ardhshme në dialog”, shton ai.

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se kancelari Scholz, me deklaratën e tij, vetëm se ka konfirmuar qëndrimin e Gjermanisë, si dhe të paraardhëses së tij, Angela Merkel.

“Në një farë mënyre, kjo është vetëm një konfirmim i asaj që tashmë dihet. Nga ana tjetër, është një lloj goditjeje për presidentin Vuçiq”, vlerëson Weber.

Deklarata e kancelarit gjerman nuk është befasi as për analistët në Beograd.

“Zyrtarët gjermanë kanë thënë shpesh se ky normalizim i marrëdhënieve, në fund, duhet të nënkuptojë zhbllokimin e Kosovës ndërkombëtarisht dhe një perspektivë të hapur për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO-n”, thotë për Radion Evropa e Lirë Stefan Surlliq, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd.

Ndonjë takim midis bartësve kryesorë të dialogut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tash për tash, nuk është i planifikuar.

Dy zyrtarët janë pritur të mërkurën në takime të ndara nga kancelari Scholz.

Kurti ka thënë pas takimit se “njohja reciproke me Serbinë duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave.

Vuçiq ka thënë tha se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi”, por ka shtuar se dialogu me Kosovën “nuk është i lehtë”.

Dy udhëheqësit kanë pasur të mërkurën një darkë joformale me diplomatin Lajçak në Berlin, por nuk janë deklaruar për rrjedhën e saj.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – hera e fundit në korrik të vitit të kaluar.

Bllokadën në bisedime besohet se e kanë shkaktuar mospajtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Dy vendet kanë arritur marrëveshje për themelimin e tij në vitin 2013, por zbatimi i saj në terren ka ngecur.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik; Vuçiq këmbëngul në formimin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button