Ditët e Evropës

Fillimi i majit shënon ditët e Evropës. Këshilli i Evropës shënon si ditë të themelimit 5 majin ndërsa 9 maji shënohet si dita e themelimit të Bahskimit Evropian. Bashkimi Evropian është aspirate jonë e pakompromis, rruga e vetme për të ecur para, alternativa jonë e vetme për progres. E megjithatë, është e pamundur të mos e ndjesh ngecjen e këtij procesi si dhe pasigurinë se cila është rruga e vërtetë për dajlen nga qorrsokaku ku sërish jemi ngatërruar.

Në anën tjetër, që nga viti 1995 ne jemi pjesë e Këshillit të Evropës që është themeluar si organizatë ndërombëtare rajonale në vitin 1949 dhe që atëherë aty janë anëtarësuar 46 shtete. Sigurisht që kjo nuk mund ta zëvendësojë anëtarësinë në Bashkimin Evropian, por është mirë që të paktën jemi pjesë e një organizate ndërkombëtare që e ka standardizuar drejtësinë në legjislacionet e vendeve anëtare. Kjo organizatë ka ndikim të gjerë mbi një popullat prej rreth 500 milionë banorë dhe njihet ndërkombëtarisht si Kujdestari i Drejtësisë. Kjo organizatë ndërkombëtare ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm së pari në definimin e të drejtave dhe lirive të njeriut e pastaj edhe në krijimin dhe zbatimin e mekanizmave mbrojtës për këto të drejta. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që e njohim si Gjykata e Strasburgut është njëri ndër institucionet themelore të drejtësisë ndërkombëtare si dhe një ndër autoritetet kryesore të interpretimit të korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ka ca kohë që para kësaj gjykate është duke u shqyrtuar kërkesa e të akuzuarve nga ish Prokuroria Speciale për të vendosur rreth vlefshmërisë së faljeve të dhëna nga presidenti Ivanov në vititn 2016. Disa nga aplikuesit në këtë rast janë në vuajtje të dënimit, të tjerët janë në procese gjyqësore e disa të tjerë janë në arrati. Të gjithë akuzohen për vepra që lidhen ngushtë me korrupsionin e lartë dhe të gjithë thirren në faljet kolektive që Ivanov i dha para 6 vitesh me qëllim që të sabotojë vendosjen e drejtësisë. Këto falje ngadalë u harruan dhe nuk janë më pjesë e diskursit të përditshëm në shtetin tonë. Por megjithatë, ato vazhdojnë të prodhojnë situata juridike që mund të kenë pasoja të çuditshme pikërisht sa i përket vendosjes së drejtësisë. Ivanov asnjëherë nuk u ndoq penalisht për atë që bëri në vitin 2016. Ai sabotoi drejtësinë me aktin e dhënies së atyre faljeve që e kthyen botën e drejtësisë përmbys. Lëre që nuk u përgjigj për këtë akt të turpshëm dhe skandaloz, po ai vazhon t’i gëzojë privilegjet e jetës së presidentit të pensionuar dhe të gjitha atributete dhe respektet që pasojnë me këtë status. E bota e drejtësisë vazhdon të mbetet as në tokë as në qiell, si peshorja e justicias që asnjëherë nuk dihet me saktësi nga do të anojë në fund.

Vendimi që do të sjellë Gjykata e Strasburgut lidhur me këtë ankesë, ku të akuzuarit për korrupsion ankohen se u është bërë padrejtësi me faktin që nuk janë llogaritur të vlefshme faljet e presidentit dhe të njejtat më vonë janë tërhequr, do të jetë një nga ato vendime të cilat do të analizohen dhe komentohen gjatë nga studiuesit e drejtësisë. Komentet do të bëhen duke u bazuar në logjikën e shëndoshë, racionalitetin dhe objektivitetin. Por këto komente vështirë se do ta përfshinë atë që ndodhi në Maqednoninë e Veriut mes viteve 2015-2017, revoltën e madhe që u shfaq pas këtyre faljeve, si dhe sabotimin që pësoi drejtësia si pasojë e atyre faljeve. Sepse ngjarjet të cilat i kemi përjetuar nuk mund të sqarohen vetëm duke u bazuar në logjikën e shëndoshë. Ato ngjarje i tejkalonin kufinjtë e çmendurisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button