Ulja e rritjes ekonomike në Maqedoninë e Veriut imponoi shkurtim të shpenzimeve dhe orientim në prodhim

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se projeksionet e Bankës Botërore për ulje të zhvillimit ekonomik nga parashikimet, janë tregues real sa i përket ngadalësimit të zhvillimit ekonomik të vendit.

Në bazë të të dhënave të Bankës Botërore parashihet që rritja ekonomike e Maqedonisë së Veriut këtë vit të ngadalësohet nga 3,7 sa ishte paraparë më herët në 2,7 për qind, si dhe Bruto Prodhimi Vendor (BPV) nga mesi i vitit parashihet të arrijë nivelin që e ka pasur para krizës së pandemisë, përkatësisht më 2019.

Lidhur me këtë, Durim Zeqiri, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë krizës së pandemisë dhe së fundmi, krizës së imponuar nga lufta në Ukrainë, kompanitë vendore kanë humbur pozitat e shërbimeve dhe prodhimit të produkteve në tregjet e huaja. Kjo sfidë, thotë Zeqiri, në bazë të të dhënave të Bankës Botërore duket se do të jetë vështirë e menaxhueshme edhe gjatë periudhës në vazhdim.

“Projeksioni i Bankës Botërore se do të nivelizohemi me vitin 2019 gjatë kuartalit të dytë të këtij viti, jo vetëm se është real, por është edhe një tregues që flet se ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka pësuar shumë dëme dhe do të duhet një periudhë më e gjatë që të kthehet në normalitet, për të shënuar rritje, gjë të cilën, ne, si odë, e kemi proklamuar – një rritje prej mbi 4 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme”, thotë Zeqiri.

Sipas Bankës Botërore, masat që kanë të bëjnë me kapërcimin goditjeve nga kriza e pandemisë dhe së fundmi e luftës në Ukrainë, duhet të orientohen vetëm për kategoritë më të rrezikuara.

“Familja e varfër harxhon 71 për qind të ushqimit dhe energjisë, ajo nuk ka shumë hapësirë për të përballuar presionin e çmimeve të larta, kjo duhet të jetë fokusi i masave të reja. Nuk duhet të harrohen çështjet strukturore, produktiviteti dhe fuqia punëtore, sepse vetëm 49 për qind e popullsisë së aftë për punë është e punësuar dhe ky është një nivel shumë i ulët që duhet tejkaluar”, thuhet në rekomandimin e Bankës Botërore.

Përderisa Marija Zarezankova-Potevska, ligjëruese e Ekonomisë në Universitein FON në Shkup, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Qeveria duhet të tkurrë çdo shpenzim të panevojshëm në këtë situatë veçanërisht shpenzimet në administratë.

Ajo shton se i gjithë potenciali financiar që disponon shteti, duhet të orientohet në energjetikë, si dhe prodhimin e produkteve ushqimore.

“Mund të shkurtohen të gjitha shpenzimet që i bën administrata, e të cilat janë joproduktive. E dimë se këto shpenzimet kanë qenë të shumta. Në këtë situatë duhet të ulet çdo shpenzim i panevojshëm në ministritë dhe organet tjera shtetërore. Por, nuk duhet kursyer në investimet në energjetikë dhe veçanërisht aty ku Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se ka potencial , e ajo është bujqësia dhe prodhimi i produkteve të ndryshme bujqësore. Pra, tani duhet fokusuar në atë çka mund të prodhojmë”, vlerëson Zarezankova.

Banka Botërore rekomandon që Qeveria të fokusohet në mbledhjen më të mirë të të ardhurave buxhetore përmes grumbullimit të taksave.

Arben Halili, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se shteti nuk duhet të fshihet pas kursimeve për të mos shlyer detyrimet që ka ndaj sektorit të biznesit, pasi do të vinte në rrezik pikërisht segmentin e pagesës së taksave.

“Në asnjë moment nuk duhet harruar sektori privat, respektivisht realizimin e masave që do të mundësonin realizimin e transaksioneve të ndryshme. Me këtë kuptohet realizimi i pagesave në kohë të borxheve ndaj sektorit privat pasi fatkeqësisht në emër të kursimeve, masave dhe ligjeve këtu – veçanërisht ligjit për disiplinë financiare – më tepër ngarkohet sektori privat ndërkohë që borxhliu më i madh paraqitet shteti. Kjo e vështirëson gjendjen financiare të kompanive, veçanërisht kompanive me të cilat ka kontrata për realizimin e shërbimeve të ndryshme”, thotë Halili.

Banka Botërore në raportin e saj ka theksuar se Maqedonia e Veriut në afat të mesëm duhet të mbetet e fokusuar në qëndrueshmërinë e financave publike, me theks të veçantë adresimin e sfidave që kanë të bëjnë me kapitalin njerëzor të ulët dhe në rënie, të forcojë kapacitetet që kanë të bëjnë me politikën e konkurrencës dhe gjyqësorin.

Sipas projeksionit të Bankës Botërore, inflacioni do të rritet me 5,5 për qind këtë vit dhe rekomandohet që të miratohen masa të balancuara si nga politika fiskale, ashtu edhe nga ajo monetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button