16-vjeçarja, Hana Abdullahi, me pasion të madh ndaj violinës (VIDEO)

Kultivimi i muzikës klasike nuk është një gjë e zakontë mes gjeneratës Z. Por, gjithnjë ka përjashtime. Hana Abdullahi nga Tetova është 16 vjeçarja e cila ka një pasion të madh për violinën. Ajo që në moshën gjashtë vjeçare merret me këtë instrument. Gjatë kësaj dekade, Hana ka marrë pjesë në gara në nivel internacional dhe shtetëror si dhe ajo numëron shumë koncerte duke përfshi dhe koncertet e veta recitale, shkruan Portalb.mk.

Prindërit ishin ata që e shtynë Hanën që të niste me violinë. Në fillim ajo nuk i kishte aspak me qejf orët e muzikës. Por, me kohë, në momentet kur ajo filloi të shkonte nëpër gara dhe koncerte, filloi t’i ngjallet dëshira që të merrej me violinë. Hana tani është në vitin e dytë të shkollës së mesme për muzikë.

Muaji maj do të jetë përplot me gara për Hanën. Gjatë këtij muaji ajo do të merr pjesë në katër gara ndërkombëtare, disa me prezencë dhe disa online. Dje ajo arriti që të fitojë vendin e parë në “Garat Ndërkombëtare Polyhymnia”.

“Të gjitha koncertet kanë një vlerë në vete, por, koncertet recitale të mijat kanë gjithnjë një vend të veçantë për mua. Koncerti im i parë recital u mbajt në vitin 2019 në Pallatin e Kulturës kur kisha vetëm 13 vjet, si dhe vitin e kaluar kisha një koncert recital në të njejtin vend. Në këto koncerte luajta vepra të kompozitorëve dhe kohërave të ndryshme.” tha Hana Abdullahi.

Inspirimin Hana e gjen në artistët botëror dhe idhulli i saj është violinistja amerikane, Hilary Hahn. Hana pretendon që një ditë të ngjitet në skenat botërore, por ajo tha se për të arritur aty do të duhet shumë punë. Personi që e motivon atë që të arrijë në maja patjetër që është profesori i saj Shkëlzen Pajaziti.

Hana tani e dy vite është pjesë e programit të Western Balkan Student Orchestra, një orkestër e cila u formua tani shpejt. Ata kanë nisur përgatitjet për këtë verë dhe në plan kanë të bëjnë shumë turne. Përveç kësaj, Hana planifikon që të organizojë edhe një koncert recital, por tani për tani nuk ka asgjë konkrete.

Mesazhi që Hana përcolli për të gjithë artistët e rinj është që të mos heqin dorë asnjëherë nga ëndrrat e tyre sepse rruga drejt suksesit nuk është edhe aq e lehtë, por, duhet shumë punë dhe të mos dorëzohemi asnjëherë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button