fbpx

Komuna e Tetovës paditi Teuta Arifin, një zyrtar të afërt të saj, një gjykatës dhe një avokat për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës në krye me Bilall Kasamin ka ngritur padi penale ndaj kryetares paraprake Teuta Arifit, një zyrtare të afërt të saj, një gjykatësi dhe një avokati nën dyshimin se kanë keqpërdorur autoritetin dhe pozitën zyrtare duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Siç tha Kasami bëhet fjalë për një mosmarrëveshje për eksproprijimin e një prone nga viti 1980, gjatë së cilës është dashur të paguhet kompensimi në vlerën aktuale prej 50 mijë eurosh, por ato para nuk janë paguar. Rasti ka pushuar deri në vitin 2015 kur dhe është riaktivizuar dhe është dorëzuar në gjykatë. Gjykata ka vendosur në favor të pronarit që përveç parave për shpronësim (50.000 euro), e ka obliguar Komunën e Tetovës të paguajë edhe 65 milionë denarë kamatë gjobë (rreth 1 milion euro). Ndaj këtij vendimi komuna nuk ka dorëzuar ankimim. Udhëheqësia aktuale thotë se që nga marrja e mandatit kanë paguar rreth gjysmë milioni euro për kamatë.

“Dyshimi jonë është se bëhet fjalë për grup të organizuar për dëmtim të buxhetit të komunës, fillimisht gjykata nuk ka pasur vendim përfundimtar në bazë të të cilit dhe nga momenti i të cilit nis përllogaritja e kamatës. Pra në moment kur konstatohet obligimi i gjykatës me një vendim që bëhet i plotfuqishëm, konstatohet edhe obligimi për kamatë në mënyrë retroaktive që nuk ka ndodhur në historinë juridike të Maqedonisë, në Gjykatat e Maqedonisë dhe konstatohet një kamatë prej më shumë se një milion euro”, sqaroi Kasami.

Ai shtoi se nga ai moment, komuna nuk e ka ankimuar dhe bëhet i plotfuqishëm dhe nga ai moment nis përllogaritja e kamatave shtesë, të cilat në llogaritjet e reja mund të shkojë mbi 300-400 mijë euro.

Sipas Kasamit, rasti në fjalë ka ndodhur në kohën kur është hapur bulevardi kryesor “Iliria” dhe prona ndodhet në vijën e shtëpive të fundit që janë prishur.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo lëndë ka dëmtuar buxhetin e komunës dhe se për të njëjtin kërkojnë nga prokuroria të zgjidh rastin dhe të dëmshpërblehet komuna.

“Ne kërkojmë nga Prokuroria Publike që ky rast të hetohet dhe të konstatohen të gjitha lëshimet e mundshme që janë bërë dhe gjithashtu kërkojmë të dëmshpërblehet komuna për dëmin financiar që i është shkaktuar. Po ashtu kërkojmë nga Prokuroria Publike të shqyrtojë faktin nëse personat e lartpërmendur a kanë qenë bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 353 paragrafi 3 me paragrafin 1 neni 22 të Ligji për vepër penale si dhe bashkë-autor të veprës penale pengimin e të drejtës nga neni 368a – paragraf 5 të LVP”, tha Kasami.

Padinë e plotë mund ta shihni më poshtë:

This slideshow requires JavaScript.

Për rastin në fjalë kërkuam qëndrim edhe të ish kryetares Teuta Arifi, por e njëjta nuk u përgjigj në thirrjen dhe mesazhin tonë.

Nga ana tjetër kontaktuam edhe Policinë Financiare se a do të hap hetim për rastin në fjalë, të njëjtit thanë se së shpejti do na dërgojnë përgjigjen e tyre për rastin në fjalë.

Kurse nga Prokuroria pritet të njoftojnë se në çfarë faze është ky rast dhe çfarë masa do ndërmerren.

Në kontekst të rastit në fjalë, me të cilin, sipas Kasamit e ka dëmtuar buxhetin, Portalb.mk e pyeti Kasamin nëse është zvogëluar apo rritur borxhi i trashëguar i komunës, i cili sipas prezantimit të tij kap vlerën e 24 milionë eurove. Ai sot tha se borxhi është zvogëluar por për shumën e saktë presin vendim përfundimtar për padinë, presin që prokuroria të pezullojë pagesën e kësaj kamate dhe se  kanë marrëveshje me bizneset që ata të ja falin kamatën komunës dhe nga ai moment kur do jetë e qartë situata me këtë lëndë, për vlerën konkrete do të dalin me njoftim zyrtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button