SHBA: Është koha që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat me BE-në

Shtetet e Bashkuara në baza dypalëshe, udhëheqin bisedime me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur shpejt mosmarrëveshjet dypalëshe, pasi është koha që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë bisedimet e para-anëtarësimit me BE-në, porositi Departamenti i Shtetit, transmeton Portalb.mk.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian në një bisedë telefonike javën e kaluar, theksuan se procesi po përshpejtohej.

Në pyetjen e MIA-s që të zbulojë detaje dhe afate në lidhje me këtë, zëdhënësi Ned Price mbrëmë tha se vazhdon të inkurajojë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që shpejt t’i zgjidhin mosmarrëveshjet bilaterale.

“Por unë nuk do të zbuloj detaje të atyre bisedave,” tha Price.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh mbështetëse e fortë e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

“Konsiderojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin”, deklaroi ai.

Ai shtoi se vendimi i BE-së nga marsi 2020 për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë konsiderohet një hap pozitiv.

“Të dy vendet kanë përfunduar detyrat bazë dhe konsiderojmë se është koha për të ecur përpara së bashku në fazën tjetër të procesit të gjatë dhe sfidues të pranimit”, tha Price.

Zëdhënësi shtoi se “Marrëveshja historike e Prespës tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të kryejnë detyra të vështira, të arrijnë kompromise dhe vendime të vështira dhe jemi të bindur se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të bëjnë të njëjtën gjë duke negociuar mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button