fbpx

Përzgjedhja e mbetjeve u rrit lehtë vitin e kaluar, 82.7% përfundojnë të përziera në deponi (infografik)

Përzgjedhja e mbetjeve mbetet problem i pazgjidhshëm për familjet dhe kompanitë e Maqedonisë. Edhe në vitin 2021, pjesa më e madhe e mbetjeve komunale që i kemi krijuar, pa kurrfarë përzgjedhje që të hidhen në kontejnerë të posaçëm, kanë përfunduar në deponitë e vendit si mbetje të përziera. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, rreth 522.914 tonelata mbeturina të grumbulluara në kontejnerë janë mbetje komunale të përziera që kanë përfunduar nëpër deponi, njofton Meta.mk.

Në përqindje, rreth 82.7 për qind e mbetjeve të grumbulluara janë në fakt mbetje komunale të përziera, që nuk kanë kaluar nëpër procesin  e përzgjedhjes. Letra, plastika, metali, mbetjet organike, qelqi dhe mbetjet e tjera përfundojnë së bashku në kontejnerë, nga ku shërbimet komunale i mbledhin dhe i çojnë në deponi.

Krahasuar me vitet e mëparshme, ndërgjegjësimi për përzgjedhjen e mbetjeve, së bashku me përpjekjet që e bëjnë kryesisht sektori i OJQ-ve dhe disa kompani, çojnë në rritje graduale por të ngadaltë të përqindjes së mbetjeve që përzgjidhen. Vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2020, përqindja e mbetjeve të përziera komunale është ulur për 0,7 për qind, ndërsa rritje e përqindjes së seleksionimit është shënuar te mbetjet organike (nga 6,3 në 6,6 për qind), plastika (nga 1,8 në 2 për qind), letra ( nga 1,7 në 1,9 për qind), qelqi (nga 0,5 në 0,6 për qind), ndërsa rënie është shënuar në mbetjet e përzgjedhura të tekstilit (nga 1,6 në 1,4 për qind).

E shprehur në tonelata, në vitin 2021 janë përzgjedhur 41.687 tonelata mbetje organike, 12.871 tonelata plastikë, 12.263 tonelata letër, 8.737 tonelata mbetje tekstili, 3.713 tonelata qelq, 2.241 tonelata metal dhe 1.598 tonelata gomë. Në kategorinë e mbetjeve të grumbulluara nga ndërmarrjet publike hyjnë 26063 tonelata, për të cilat nuk ka informacion nëse janë përzgjedhur apo jo.

Krahasuar me statistikat e pesë viteve më parë, përqindja e mbetjeve të përziera komunale të grumbulluara në vend ka rënë nga 87.2 për qind në vitin 2017 në 82.7 për qind, përkatësisht përqindja e mbeturinave që përzgjidhen është rritur për 4,5 për qind. Edhe pse është një hap përpara, megjithatë është lëvizje e ngadaltë e vendit drejt trajtimit modern të mbetjeve sipas standardeve të BE-së.

Vërehet se rajoni i Shkupit grumbullon sasinë më të madhe të mbeturinave komunale në vend, ndërsa NP “Higjiena Komunale” – Shkup, vitin e kaluar ia ka dalë të përzgjedhë vetëm 0,32% të totalit të mbetjeve të grumbulluara në kryeqytet. Kjo përqindje është shumë më e ulët se përqindja kombëtare e mbetjeve të përzgjedhura, e cila është publikuar para pak ditësh nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit është edhe “Drislla” si deponia më e madhe në vend, për të cilën Meta.mk tashmë ka shkruar se nuk bën përzgjedhje dytësore të mbetjeve dhe se nuk ka reparte të veta për riciklimin, kompostimin apo djegien e mbetjeve, ndërsa trajtimi modern është futur ekskluzivisht në pjesën e mbetjeve mjekësore.

Për shkak të neglizhencës së këtillë në nivel të komunave, përzgjedhja e mbetjeve i është lënë kompanisë jofitimprurëse Pakomak dhe përzgjedhësve të tjerë të licencuar të mbetjeve në vend dhe në radhë të parë grumbulluesve joformalë të mbetjeve.

3,000 deri në 5,000 njerëz po luftojnë për ekzistencë nëpërmjet seleksionimit të mbetjeve komunale në vend. Kështu, për shkak të infrastrukturës së pazhvilluar me kontejnerë të ndryshëm për përzgjedhjen e mbetjeve dhe nivelit të ulët ndërgjegjësimit të qytetarëve, grumbulluesit joformalë përzgjedhin mbeturinat nga kontejnerët për të gjithë ne. Konsiderohet se 90 për qind të përzgjedhjes së mbetjeve plastike në vend e bëjnë këta persona.

Vitin e kaluar me punë filloi Ndërmarrja sociale “REDI Riciklim” që aktualisht e bën seleksionimin e mbeturinave të letrës dhe plastikës në territorin e disa komunave të Shkupit prej ndërtesave të banimit dhe e ka nisur procesin e formalizimit të profesionit – grumbullues i mbetjeve në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button